Zgjedhjet Presidenciale Mund të Shtyhen
Zgjedhjet presidenciale në Kosovë mund të shtyhen për vitin e ardhshëm. Paralajmërimi vjen nga kryetari i Parlamentit, Jakup Krasniqi, pasi Kryesia e Kuvendit, të mërkurën, pranoi kërkesën për zgjatjen e mandatit Komisionit për Ndryshime Kushtetuese.
Komisioni ka kërkuar që të ndryshohet edhe neni 84 i Kushtetutës, i cili përcakton kompetencat e presidentit. Por ndryshimi reflekton edhe në pjesë të tjera të Kushtetutës, pasi implikon raporte të reja ndërmjet institucioneve të Kosovës.
“Ndoshta zgjedhjet nuk do të mbahen në këtë vit. Duhet të bëhet një amandamentim i plotë i Kushtetutës dhe zgjedhjet të mbahen ashtu siç e parasheh Kushtetuta. Nuk do të duhet të nguteshim, por na duhet një dokument bazik i shtetit dhe jo ta ndryshojmë çdo 6 muaj, e kjo varet nga partitë dhe Kuvendi”, ka thënë kryeparlamentari Krasniqi.
Sipas një komunikate shtypi, të lëshuar pas mbledhjes, Kryesia e Kuvendit, pas një debati të gjerë lidhur me kërkesën e Komisionit ad-hoc për Amendamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, për mandat të ri, që ka të bëjë me ndryshimin e nenit 84 të Kushtetutës së Kosovës lidhur me qartësimin e kompetencave të presidentit të Kosovës, si dhe për ndryshimin e dispozitave kalimtare për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, ka vendosur që çështjen t’ia adresojë seancës plenare të 20 janarit.
Kryeparlamentari Krasniqi kërkesën e Komisionit ad-hoc e ka quajtur jo të plotë, kurse shumica e nënkryetarëve dhe të shefave të grupeve parlamentare krijimin e këtij komisioni e kanë quajtur praktikë jo të mirë, që ishte rrjedhojë e një marrëveshjeje, ndërmjet partish, për zgjedhjen e presidentit.
Shumica nga diskutuesit në këtë temë janë pajtuar se ka nevojë të ndryshohet neni 84 i Kushtetutës, që të qartësohen kompetencat e presidentit dhe ato të kryeministrit të Kosovës, por kanë tërhequr vëmendjen se ndryshimi gjithsesi reflekton në çdo faqe të Kushtetutës dhe implikon raporte të reja ndërmjet institucioneve të Kosovës. “Ka pasur zëra, ndërkaq, që ndryshimet duhet të jenë më gjithëpërfshirëse (duke e specifikuar nenin 65, për mënyrën e zgjedhjes së presidentit në Kuvend, pastaj paragrafët për sistemin zgjedhor në Kosovës etj.)”, thuhet në njoftim.
Kryesia është pajtuar se Komisioni ad-hoc nuk mund të ketë kompetencë për shqyrtimin e çështjeve që kanë të bëjnë me mbikëqyrjen e pavarësisë së Kosovës. “Këto shqetësime dhe dilema pritet të shprehen edhe në mbledhjen plenare të Kuvendit, kur çështja të shtrohet për shqyrtim”.
Ndryshimi i nenit 84 po bëhet me qëllim të qartësimi të kompetencave mes Presidentit dhe Kryeministrit dhe është përkrahur edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Por, jo edhe shtyrja e zgjedhjeve presidenciale.
“Ne jemi që të bëhet amandamentimi për nenin 84 të Kushtetutës, kjo pjesë të ndryshohet si edhe nëse ka eventualisht ndikim edhe në ndonjë nen, edhe ajo mund të bëhet. Sidoqoftë, përsëri jemi të bindur se kjo nuk duhet të merret si pretekst për shtyrjen e zgjedhjeve presidenciale”, ka thënë shefi i Grupit parlamentar të LDK’së, Ismet Beqiri, transmeton Express.