Shkëmbim Ambasadorësh Kosovë - Mal i Zi

Ministri kosovar i punëve të jashtëm, Enver Hoxhaj në takimin me homologun e tij në Mal të Zi, Milan Rocen të mërkurën kanë konfirmuar që këto dy vende të hapin ambasadat në Prishtinë e Podgoricvë.

Ai ka thënë se ka zgjedhur së pari të vizitoj Malin e Zi për këtë vit pasi që ky shtet është ‘partner shumë i rëndësishëm politik, ekonomik dhe kulturor i Kosovës’.

Malazezët kishin kushtëzuar qeverinë e Kosovës për themelimin e marrëdhënieve diplomatike në mes fqinjëve nëse kjo e fundit e njeh komunitetin malazias me kushtetutë.

Ministri Hoxhaj ka njoftuar homologun tij Rocen se qeveria e Kosovës ka aprovuar ligjin i cili përfshinë komunitetin malazez në mesin e komuniteteve të Kosovës.

Ministri Rocen ka thënë se brenda disa muajsh Podgorica dhe Prishtina do të nënshkruajnë disa marrëveshje shumë të rëndësishme në fushën e ekonomisë, sigurisë dhe arsimit.

Ministri Hoxhaj ka takuar po ashtu edhe Presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanovic dhe Kryeministrin Igor Luksic.

“Unë jam siguruar nga Presidenti, Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme që shqiptarët që jetojnë në Mal të Zi janë të integruar. Por, unë po ashtu jam siguruar që shqiptarët do të jenë edhe më mirë të përfaqësuar si në nivelin lokal edhe në atë qendror”, tha ministri Hoxhaj.