Po Bashkëpunojnë

Beogradi po e mban fjalën.Ky është interpretimi i parë që Prishtina zyrtare nxjerr, pasi kamionët me prodhime të Kosovës, hynë në Serbi, pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes së fundit mes dy palëve.

Pushteti madje vlerëson se ky hap paraqet edhe një bashkëpunim formal mes dy vendeve.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, thotë se tash e sa ditë autoritetet e Serbisë po lejojnë kamionët me mall të prodhuar në Kosovë që shitet në territorin e saj ose  kalon transit.

“Kjo po i bie se (autoritetet në Beograd) kanë filluar të përmbushin marrëveshjet”, thotë Kusari-Lila.

Të premten, nga pika kufitare Dheu i Bardhë, kaluan në Serbi kamionë me mall të prodhuar në Kosovë. Ata nuk u penguan nga doganierët serbë rreth vulave të Kosovës ose dokumentacionit përcjellës, ashtu siç e përcakton marrëveshja e 2 shtatorit ndërmjet palëve.

Raportet e bashkëpunmit Prishtinë-Beograd, pritet të vlerësohen sërish të martën në Bruksel, në raundin e radhës të dialogut teknik.

Edhe pse Beogradi nisi të zbatojë marrëveshjen, gjashtë ditë pasi ajo ka hyrë në fuqi, Prishtinës më shumë po i dhemb pse nuk po ka kapacitete më të mëdha eksportuese, për të vënë më shumë në sprovë qasjen e ndryshuar të Serbisë.

“Ka shumë pak trafik nga ana e prodhuesve kosovarë. Të rralla janë kalimet. Na është thënë se ende ka brengë dhe hezitime për të dalë në tregun e Serbisë. Dhe mbi të gjitha kemi edhe kapacitet të vogël eksportues”, thotë ministrja kosovare

Autoritetet doganore në Prishtinë, sqarojnë se prej largimit të masës së reciprocitetit, më 16 shtator, mbi 700 kamionë të mbushur me prodhime serbe, hynë në Kosovë.

Deficiti tregtar mes dy vendeve, është edhe arsyeja përse Prishtina zyrtrare, thotë të ketë lënë anash “për çdo rast” rikthimin e embargos për Serbinë.

Dy palët kanë arritur 5 marrëveshje deri më tani, në saje të dialogut teknik. Prishtina dhe Beogradi, fillimisht janë pajtuar që të njohin tabelat e automjeteve, kopjet e regjistrave civilë dhe diplomat universitare. Kurse në etapën e radhës, Edita Tahiri e Borisllav Stefanovic, si kryenegociatorë, u pajtuan për vulat doganore dhe kopjet e dokumentacionit katastral.