Merr Tender pa Licencë

Qasja e Prishtinës për të trajtuar problemin e qenve endacakë të qytetit përmes kastrimit ka hasur në një pengesë të madhe pasi që kontrata për të kryer fushatën e sterilizimit është anuluar.

Organi Shqyrtues i Prokurimit, OSHP ka kthyer në ri-vlerësim tenderin e komunës së Prishtinës për trajtimin e qenve endacakë pasi që fituesi i tenderit, OJQ’ja “Qendra Kosovare për Strehim dhe Trajtim të Qenve Endacak”, QKSTQE nuk ishte e licencuar për këtë punë. 

E tërë kjo kishte ardhur pas një ankesë të një kompanie tjetër që kishte marrë pjesë në tender, ambulanca veterinare “Spana” e cila në ankesën e saj kishte vërtetuar se QKSTQE’ja nuk figuron në listën e kompanive të licencuara të Agjencionit të Ushqimit dhe Veterinarisë.

“QKSTQE” kishte ofruar çmimin më të lirë prej 47,250 euro ndërsa çmimi më i lartë ishte prej 199,500 euro. “Spana” kishte ofertuar me 95,850 euro.

Komuna e Prishtinës ka ndaluar me vrasjen e qenve endacakë pas fushatave të ndryshme kundër kësaj çështje pas një fushate të organizuar nga “Animal Friends of Kosovo”.

Çështja e vrasjes së qenve endacakë ishte kritikuar ashpër edhe nga aktorja e famshme franceze Brigid Bardot e cila kishte dërguar letër protestuese komunës së Prishtinës duke thënë se vrasja e qenve ishte mizore.

Komuna e Prishtinës ka ndryshuar qëndrimin e saj dhe ka ndaluar gjuetinë e qenve endacakë nga viti i kaluar. 

Tani, kjo komunë ka filluar të aplikoj trajtimin e tyre më ndryshe duke përdorur sterilizimin dhe kastrimin e tyre si metodë më e mirë për parandalimin e shumimit të tyre të pakontrolluar.

Mirëpo, komunat tjera në Kosovë vazhdojnë me vrasjen e qenve. Komuna e Mitrovicës kishte vrarë 125 qenë dhe kishte paguar 16 euro për qen.