10 Milionë € Dëme në Istog

Shtabi emergjent i komunës së Istogut është në mbledhje e sipër të informatave të dëmeve që ka shkaktuar stuhia gjatë fundjavës së kaluar ku pritet që shtabi të del nesër me vlerësimin preliminar të dëmeve.

“Mund të ju them se dëmet materiale kanë kaluar dhjetë milionë euro. Deri më sot nuk ka pasur kësi stuhi të fuqishme si kjo e fundit,” tha Bedri Hasanaj, drejtor i drejtorisë se shërbimeve publike, mbrojtje dhe shpëtim, dhe njëkohësisht shef i shtabit emergjent. 

Ai theksoi se dëmet materiale konsiderohen prishjet e kulmeve te objekteve institucionale, atyre private dhe dëmet në fushën e bujqësisë. Hasanaj tha se shumë serra në këtë komunë janë dëmtuar. 

Hasanaj tha se vazhdon të jetë në fuqi gjendja e jashtëzakonshme në komunë derisa nuk kthehet në normalitet puna e shkollave. 

Ai tha se 60 për qind e shkollave në komunë nuk janë duke punuar për shkak të dëmtimeve të kulmeve dhe mungesës së energjisë elektrike.

“Shpresojmë se nxënësit do të kthehen në shkolla të hënën,” Hasanaj i tha Gazetës Jeta në Kosovë duke thënë se rreziqet për momentin janë minimale duke pasur parasysh se po punohet në eliminimin e tyre siç janë mbetja e tjegullave, largimi i kabllove të rrymës dhe pastrimi i qytetit.

Në ndërkohë, ekipet e KEK’ut janë në rregullim e sipër të energjisë elektrike. Hasanaj tha se energjia elektrike është kthyer në qendër të qytetit dhe në fshatrat në anën jugore të saj por mbeten akoma shumë fshatra tjera dhe pjesë tjera të qytetit pa rrymë.

“Komuna e Istogut ka pasur gjithmonë probleme me ujë dhe shumica e familjeve kanë të instaluara pompa të ujit. Por në mungesat të rrymës, këto familje kanë mbetur edhe pa ujë,” tha ai.   

Në ndërkohë, Korporata Energjetike e Kosovës, KEK ka njoftuar se ka arritur të evitoj pjesën më të madhe të prishjeve të shkaktuara nga stuhia ku nga 150 prishje tashmë janë vetëm 10 prishje të cilat janë në riparim e sipër. 

“Gjendja ka qenë më e rënda në distriktin e Pejës, përkatësisht në Komunën e Istogut, ku kanë fryrë erëra aq të fuqishme sa nuk mbahen mend. Ekipet e KEK-ut nga të gjitha anët e vendit kanë shkuar në këtë komunë dhe janë duke i evituar prishjet përfundimtare,” thuhet në komunikatën për shtyp të KEK’ut. 

KEK thekson se stuhia ka thyer shumë shtylla elektrike dhe ekipet janë të mobilizuara dhe gjinden në çdo kënd të vendit .