Urime Viti i Ri, Krishtlindjet, Viti i Ri i Serbëve...

Të dashurit e mi, nuk jemi dëgjuar që nga viti i kaluar. Sinqerisht shpresoj se ju kam mirë, të lumtur, të kënaqur, të shëndetshëm dhe natyrisht plot energji dhe se të njëjtat do t’ju përcjellin gjatë tërë vitit 2012. Unë arrita të pushoj pak dhe t’ia përcaktoj vetes disa caqe të cilat u zotova t’i arrij gjatë këtij viti. Thënë sinqerisht, në anën tjetër edhe u lodha pak, që nga festa e Shën Nikollës, kur për dy net radhazi kishim shumë mysafirë, e deri në festimin e Vitit të Ri dhe Krishtlindjeve.

Për herë të parë, pas ndoshta dhjetë vitesh, Vitin e Ri e prita me familjen time, me tryezën e shtruar me ushqime solemne, me verë dhe program festiv në TV. Serbët në përgjithësi nuk bëjnë festim tradicional familjar të vitit të ri kalendarik. Tek ne, Viti i Ri kryesisht festohet me miq nëpër klube e restorante. Viti i Ri nuk është madje as festë familjare dhe nuk ka simbolikë. Në fakt, tek ne festë familjare është kremtimi i Krishtlindjeve, më 7 janar. E edhe kjo festë më së shumti ka kuptim nëse paraprakisht agjërohet për 40 ditë, duke u përmbajtur nga mishi, qumështi, vezët dhe produktet e ngjashme. Në rrethana të tilla, njerëzit mezi presin që pas liturgjisë në manastir, të kthehen në shtëpi për të ngrënë pjekjet e ndryshme (kryesisht pjekje gici) të cilat janë pjekur tërë natën para Krishtlindjeve.

Këtë vit unë, motra dhe nëna jemi munduar me të gjitha forcat që të përgatisim sa më shumë ushqime të shijshme dhe që tryeza e Krishtlindjeve të na jetë e pasur dhe me sa më shumë lloje ushqimesh. Dita që i paraprinë Krishtlindjeve është shumë e rëndësishme dhe është ditë e disa zakoneve të cilat janë përplot simbolikë krishtere dhe njerëzore e familjare, të ndërlidhura me shtëpinë dhe vatrën familjare. Sipas meje, Krishtlindjet kanë të bëjnë simbolikisht me tri gjëra: familjen, dashurinë dhe faljen.

Zakonet popullore lidhur me ditën para Krishtlindjeve janë shumë të vjetra dhe shumë prej tyre janë humbur apo janë harruar. Herët në mëngjes shkohet në pyll për të grumbulluar dushkun. Serbët nga Kosova qendrore marrin dushkun nga pyjet dhe lisat pranë liqenit të Badovcit. Dushku pritet vetëm nga meshkujt dhe më së shpeshti këtë punë e kryejnë i zoti i shtëpisë dhe djali më i madh.

Para prerjes së drurit, atij i thuhet ‘mirëmëngjesi’ i urohet festa dhe i kërkohet që t’i sjellë familjes shëndet dhe lumturi. Më pas, drurit i hidhen drithëra, ndërsa në disa treva të tjera atij i dhurohet edhe një ëmbëlsirë e përgatitur enkas për këtë rast. Në trevat tona më së shpeshti ndodh që zoti i shtëpisë ta lyejë me verë, vendin ku druri do të prehet me sëpatë. Druri gjithnjë pritet nga ana lindore, sepse pas prerjes ai duhet të bie në lindje. Ai që kryen prerjen përpiqet që drurin të mos e mundojë, do të thotë ta presë atë me një goditje të vetme dhe kurrsesi jo me më shumë se tri goditje sëpate. Pasi që i zoti i shtëpisë ta sjellë drurin me dushk, atë e vendosë pranë derës së hyrjes, ndërsa sipas zakonit në vatër, ai vendoset tek pasi të ketë rënë muzgu.

Darka e mbrëmjes në prag të Krishtlindjeve është darkë agjërimi, por e begatshme. Darka kalon në qetësi dhe paqe. Kashta që sillet në shtëpi, ngrënia në dysheme dhe shpërndarja e arrave nëpër shtëpi janë pjesë e kultit të të vdekurve. Atë natë në shtëpi pritet të vijnë ‘të shtëpisë’, ‘të ndjerët nga ajo shtëpi’ apo ‘shpirtrat e shtëpisë’. Të gjithë paraardhësit janë pranë njerëzve të shtëpisë dhe për këtë arsye edhe darka bëhet në gjetësi, në mënyrë që shpirtrat të mos largohen. Për të njëjtën arsye, nga tryeza nuk hiqet asgjë për tri ditë me radhë, por vetëm sillen sende të reja. Sipas zakonit, ata që janë grindur me dikë gjatë vitit, në këtë ditë duhet të pajtohen.

Këtë natë, në kopshtin e manastirit të Graçanicës çdo vit digjet dushku, ndërsa besimtarët grumbullohen rreth zjarrit dhe pinë rakinë dhe verën e zier që aty u shërbehet.

Përveç Kishës ortodokse serbe, krishtlindjet më 7 janar i kremtojnë edhe Kisha ortodokse ruse, Patrikana e Jerusalemit, Mali i Shenjtë, ata që i përmbahen kalendarit të vjetër në Greqi dhe në Malin e Shenjtë, dhe koptët nga Egjipti, të cilët respektojnë kalendarin julian.

Për serbët thuhet se janë të hareshëm dhe se janë popull që çdo rast e shfrytëzon për të festuar diçka, kështu që përveç kremteve të shumta gjatë tërë vitit dhe krishtlindjeve, festohen edhe dy festa të vitit të ri: ai gregorian dhe ai julian. Viti i ri sipas kalendarit julian, i cili tek serbët quhet më së shpeshti Viti i Ri i Serbëve, ndërsa tek të tjerët njihet si Viti i Ri i Vjetër apo Viti i Ri Ortodoks, është festë e cila festohet më 13 janar të çdo viti sipas kalendarit gregorian. Sipas kalendarit julian, në këtë datë i bie 1 janari.

Edhe pse kjo festë nuk shënon zyrtarisht vit të ri, ajo festohet me shumë ëndje në shumë vende të Ballkanit. E njëjta festohet edhe në Rusi, Bjellorusi, Ukrainë, Armeni, Moldavi, Gjeorgji… Vlen të theksohet se shënimi i vitit të ri julian bëhet edhe në disa kantone gjermane të Zvicrës (siç është ai Alter Silvester) dhe në disa vise të banuara nga komuniteti gal në Skoci (Am Bothan nga Edinburgu).

Për Vitin e Ri të Serbëve në disa vise të ish-Jugosllavisë përgatitet një ëmbëlsirë në të cilën vendoset një monedhë. Serbët e Kosovës këtij zakoni i përmbahen edhe sot e kësaj dite. Që herët në mëngjes, e zonja e shtëpisë e përgatitë ëmbëlsirën e cila gjatë ritit sillet mes anëtarëve të pranishëm dhe nga e cila secili e merr nga një pjesë, ndërsa, ai që e ka fatin t’i bie monedha do ta ketë një vit edhe më të lumtur se të tjerët. Në Graçanicë, kjo festë tradicionalisht festohet në sheshin kryesor. Këtë vit, nën organizimin e Komunës së Graçanicës, është duke u përgatitur një spektakël i madh me verë dhe raki të vluar, me dem në hell dhe me paraqitje nga shumë këngëtarë të shquar të muzikës popullore.

Deri në leximet dhe shkrimet e radhës, ju përshëndet e Juaja Dee.