Numërohen mbi 87 për qind e votave, prijnë kandidatët maqedonas, as Osmani, as Taravari nuk shkojnë në balotazh

Janë numëruar mbi 87 për qind e votave të zgjedhjeve presidenciale që janë mbajtur sot, më 24.04.2024, në Maqedoni të Veriut.

Kandidatja e partisë opozitare VMRO DPMNE, Gordana Silanovska Davkova, është duke prirë me 40.14 për qind të votave apo mbi 317 mijë vota, ndërkaq në vendin e dytë është presidenti aktual, Stevo Pendarovski, me 19.92 për qind.

I treti renditet kandidati shqiptar, Bujar Osmani, nga koalicioni “Fronti Europian” me 13.59 për qind, e i katërti është kandidati tjetër shqiptar nga opozita, Arben Taravari, i koalicionit VLEN me 9.57 për qind.

Maksim Dimitrievski ka 8.69 për qind të votave, i cili pasohet nga Bilana Vankovska, kandidate e partisë “E Majta”, e cila ka 4.46 për qind.

I fundit është renditur kryetari i Komunës së Kumanovës, Stevco Jakimovski me 0.93 për qind.

Rezultatet e votave mund t’i ndiqni në kohë reale në këtë vegëz.

Bujar Osmani ka shpallur “fitore të thellë” përballë kandidatit tjetër shqiptar, Arben Taravarit. Përderisa nga koalicioni i këtij të fundit janë shprehur të kënaqur me rezultatet e deritanishme e janë ankuar se komunitetet e tjera joshumicë votuan Bujar Osmanin.