Avokatja Rina Kika: Arsyetimi i vendimit për pezullimin e profesorit Krasniqi është në kundërshtim me Rregulloren e UP-së

Arsyetimi i vendimit të Rektorit të Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, për të pezulluar nga puna profesorin Xhevat Krasniqi është në kundërshtim me Rregulloren e UP-së për mbrojtje nga ngacmimi seksual, sipas avokates dhe hulumtueses për të drejtat e njeriut, Rina Kika.

Në vendimin e Rektoratit për këtë rast thuhet se Këshilli i Etikës e ka rekomanduar pezullimin e Krasniqit derisa të përfundojnë veprimet hetuese nga ana e Prokurorisë së Shtetit.

Por, Kika thotë se Rregullorja në fjalë parashah që UP duhet të marrë vendim pavarësisht se çfarë procedure tjetër po zhvillohet për të njëjtin rast.

“Mirë që e suspenduan, por arsyetimi i lodhët që na e kanë dhanë është në kundërshtim me vet Rregulloren e UP-së për Mbrojtje nga Ngacmimi Seksual, sipas së cilës UP duhet me marrë vendim pavarësisht se çfarë procedure tjetër po zhvillohet për të njëjtin rast” – ka shkruar Kika në Facebook.

Neni 11, paragrafi 7 i Rregullores qartë përcakton se “Universiteti i Prishtinës do të zbatojë masat dhe procedurat disiplinore për rastet e ngacmimit dhe ngacmimit seksual, pavarësisht nga zhvillimi i procedurës penale për rastin e njëjtë”.

“Procedura disiplinore në Universitet nuk varet nga procedurat që i zbatojnë institucionet tjera. Përgjegjësia penale është një gjë, përgjegjësia disiplinore etike është një gjë tjetër” – ka shtuar ajo.

Universiteti i Prishtinës, sipas saj, po tregohet i paguximshëm t’u kundërvihet ngacmimeve seksuale.

“Ndoshta duhet të mësojnë më mirë prej Lëvizja Feministe Studentore se si duhet me qenë të guximshëm” – ka thënë Kika.

Profesori i rregullt i Fakultetit të Edukimit, Xhevat Krasniqi, është denoncuar për ngacmim seksual nga 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë.

“Këshilli i Etikës i rekomandon Rektoratit pezullimin nga puna të Prof. Xh.K, sipas kornizës normative përkatëse, derisa të përfundojnë veprimet hetuese nga ana e prokurorisë se shtetit. Për këto dhe çështje të tjera të vendosura, Këshilli i Etikës do të nxjerrë vendim me shkrim, i cili do t’u komunikohet palëve gjatë ditëve në vijim” – thuhet në vendimin e UP-së.

“Mbi bazën e vendimit të Këshillit të Etikës dhe rekomandimit drejtuar Rektoratit, Rektori i UP-së mori vendim për pezullimin nga puna të Prof. Xh.K., me efekt të menjëhershëm, sipas kornizës normative përkatëse, derisa të përfundojnë veprimet hetuese nga ana e prokurorisë së shtetit” – është thënë në vendimin e UP-së.

Më 07.04.2024, “Kallxo Përnime” transmetoi rrëfimet e studenteve dhe studentëve të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës në lidhje me ngacmimet seksuale që pretendohet t’i ketë bërë profesori i shkencave matematikore, Xhevat Krasniqi.

Përveç këtyre tri studenteve, në “Kallxo Përnime” më 07.04.2024 rrëfyen edhe 3 djem që kishin qenë dëshmitarë të këtyre ngacmimeve seksuale që u ishin bërë vajzave nga viti 2022.

Pesë ditë pas transmetimit të emisionit “Kallxo Përnime” për ngacmimet seksuale në Universitetin e Prishtinës, Prokuroria ka autorizuar organet e rendit që të nisin hetimet.

Kryeprokurori Zejnullah Gashi më 12.04.2024 ka konfirmuar për KALLXO.com se janë intervistuar katër dëshmitarë.

“Prokuroria ka autorizuar policinë për të ndërmarrë hetime pas publikimit. Janë intervistuar katër dëshmitarë dhe intervistat televizive janë vendosur në dosjen e Policisë” – tha kryeprokurori Gashi.

Ky vendim i KE ndaj Krasniqit vjen pas disa mbledhjeve të mbajtura nga ky Këshill, të cilat u shoqëruan edhe me protesta të aktivistëve të Lëvizjes Feministe Studentore dhe të tjerë, të cilët kërkuan përjashtimin e Krasniqit nga UP.

Denoncimin me shkrim studentet e Fakultetit të Mjekësisë e kishin dorëzuar zyrtarisht më 27.02.2024 në Fakultet.

Pas denoncimit të studenteve, i gjithë menaxhmenti i Mjekësisë, dekan e prodekan, janë mbledhur më 04.03.2024, me ç’rast kanë ftuar edhe profesorin Krasniqi për t’ia kumtuar me gojë denoncimin e studenteve ndaj tij dhe ndërprerjen e bashkëpunimit me të.

Pas këtij takimi, dekania e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka- Kërliu, denoncimin e studenteve e kishte përcjellë me shkresë zyrtare në Këshillin e Etikës të UP.

Në anën tjetër, më 23.04.2024, aktivistet e Lëvizjes Feministe Studentore kanë bllokuar me ngjitës derën e zyrës së profesorit Xhevat Krasniqi, i denoncuar për ngacmim seksual nga 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës.

Letra me mbishkrimet “Skenë krimi! Mos kalo!”, “ Xhevat Krasniqi nuk ke vend në UP”, janë shkruar në derë zyrës së profesorit Krasniqi dhe në hyrje të zyrës.

Ky aksion është vazhdim i protestës së aktivistëve që kërkojnë me ngulm përjashtimin e Krasniqit nga Universiteti i Prishtinës, që kur u bë publik lajmi për denoncimin e studenteve.

Në mbledhjen e KE-së të datës 22.04.2024, Krasniqi ka dëshmuar para anëtarëve të KE, mirëpo ndaj tij nuk u mor ndonjë vendim.

Kjo revoltoi aktivistët që më pas bllokuan hyrjen e Administratës Qendrore të UP-së, duke mos lejuar daljen nga objekti të anëtarëve të Këshillit dhe profesorit Krasniqi.

Pas disa orësh bllokadë nga aktivistët, Policia e Kosovës ka larguar nga salla e Admnistratës profesorin Xhevat Krasniqi dhe dy anëtarët tjerë të Këshilli të Etikës, Arben Hajdarin edhe Skender Mujin.

Pas disa minutave, ata intervenuan sërish duke i larguar nga salla edhe kryetarin e Këshillit të Etikës, Iset Morina edhe anëtarin tjetër Rrezeart Galica që kishin mbetur brenda sallës e së cilëve studentët u thanë se “i ka harruar Policia brenda sallës”.

Këshilli i Etikës së UP-së përbëhet nga katër anëtarë burra: Iset Morina (kryetar), Skender Muji, Arben Hajdari dhe Rrezeart Galica.

Xhevat Krasniqi pasi ka përfunduar deklarimin e tij, anëtarët e Këshillit të Etikës e kanë pyetur atë rreth vlerësimit që ka bërë në lëndën e tij dhe për disa prej deklaratave të studenteve që kanë raportuar ngacmimin.

Për një studente, Krasniqi tha se në protestë është shpreh që “m’ka ngacmu” mirëpo sipas tij “nënshkrimin s’e ka fare në ankesë”.

Rreth shprehjes e cila është deklaruar nga 27 studentet e Mjekësisë se Krasniqi i ka pyetur se “çka ki nën fustan?”, ai ka thanë se i pyet pasi dyshon se kopjojnë.

“M’pyesin – Ai ke thanë ti studentes çka ki nën fustan?, kurrë s’e kam thanë. Ka ndodhë – çka ki aty, e qet telefonin, t’u kopju. Krejt këmbët i shkruajnë me formula të matematikës, edhe duart” – ka thënë Krasniqi.

Krasniqi ka përmendur rreth gjashtë profesorë të Matematikës që kanë ligjëruar më herët në Mjekësi. Këshilli i Etikës e ka pyetur se cilët janë arsyet e largimit të këtyre profesorëve, sipas tij.

“Në mesin e tyre një profesor që ka qenë goxha gjatë aty, vjen në një pozitë që studentët i pytë me detyra të klasës pestë. Kot është sepse ata dojnë m’i vendos notat veç qysh dojnë ata” – ka deklaruar Krasniqi.

Këshilli i Etikës e ka pyetur se a mund të konstatohet pretendimi i tij se kjo është një fushatë për largimin e tij nga Universiteti i Prishtinës.

Këshilli i Etikës ka vazhduar ta pyesë se a ka pasur studentë tjerë prezentë kur pretendohet se është thënë fjala “masazh” ndaj nji studentje nga ana e tij.“Po çfarë masazhe po flitet aty, po na e kem detyrë zyrtare. Në asnjë mënyrë, aty thotë, njihere jena kanë vetëm, tani dalim dy-tre dëshmitarë. Në asnjë mënyrë s’ka ndodhë ajo hiç” – tha Krasniqi.

Më tej, nga Këshilli i Etikës thanë se kanë parë disa vlerësime të performancës së tij si profesor që u ka sjellur Fakulteti i Edukimit dhe se për Degën e Farmacisë në Mjekësi, nga ku është raportuar për ngacmim, ai u kishte premtuar se do t’i sjellte raportet e vlerësimit të studentëve.

Krasniqi tha se nuk e ka dëgjuar se do t’i sillte raportet e vlerësimit të studentëve të Farmacisë. Artikullin e plotë rreth deklarimit të Xhevat Krasniqit mund ta lexoni KËTU.