Tolaj: Shitja online e barnave - vepër penale

Kryeshefi i Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale, Sejdë Tolaj, ka folur rreth dezinformimit në shëndetësi.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” tha se vetëm lista esenciale e barnave është zyrtare për produktet medicinale që kanë kaluar të gjitha procedurat ligjore të vlerësimit profesional e shkencor.

Sa i përket shitjes online të barnave, ai tha se s’ka ndonjë bazë ligjore për këtë.

“Kjo lidhet zinxhir me shumë akterë. Lidhet me funksionalizimin e Sistemit Informativ Shëndetësor, edhe Ligji për produkte dhe pajisje neni 14 e lejon shitjen online të produkteve medicinale, por fillimisht kjo duhet të rregullohet me një akt nënligjor dhe mbas funksionalizimit të tërësishëm të SISH-it atëherë edhe e-receta. Ende nuk është bërë SISH. Diçka që nuk është e lejuar duhet të ekzistojë baza ligjore për me u leju, me u shit online produktet gjë që nuk është kjo bazë ligjore, nuk ekziston” – tha Tolaj.

Sipas tij shitja online e produkteve mjekësore është vepër penale.

“Kjo është vepër penale sepse nuk guxon kurrkush me shitë produkte online kur nuk ka bazë ligjore. Përgjegjësia është e organeve duke fillu, nga Inspektorati Farmaceutik. Ky Inspektorat duhet të merret në bashkëpunim me PK të merret me këtë dukuri sepse e rrezikon shëndetin e qytetarit. Dezinformatat, mashtrimet janë të ndaluara” – shtoi ai.