Foto: KALLXO.com
Fakulteti Ekonomik shkeli Rregulloren e UP-së, zgjodhi senatorin për mandat të tretë
Universiteti i Prishtinës i ka zgjedhur anëtarët e rinj të Senatit të UP-së, të cilët do të fillojnë mandatin katërvjeçar më 01.10.2024.
Zgjedhja e senatorëve bëhet nga këshillat e fakulteteve në bazë të Rregullores për rregullat dhe procedurat për zgjedhjet e përgjithshme të personelit akademik dhe joakademik të UP-së, të datës 07.03.2024.
Në mesin e këtyre senatorëve, profesori në Fakultetin e Edukimit, Liridon Veliu, është zgjedhur për mandat të tretë, përderisa Rregullorja e UP-së nuk lejon që anëtarët e Senatit të kenë mandat të tretë.
Sipas biografisë së Veliut në uebfaqen e Universitetit të Prishtinës, mandatin e parë si anëtar në Senatin e UP-së e ka pasur nga data 04.02.2016 deri më 30.09.2020, kurse mandatin e dytë nga data 01.10.2020 dhe vazhdon të jetë.
KALLXO.com e ka pyetur Veliun, Fakultetin Ekonomik, rektorin e UP-së, Qerim Qerimi, dhe menaxhmentin e UP-së, si dhe Këshillin Drejtues të UP-së, lidhur me zgjedhjen e Veliut për senator për mandat të tretë, dhe është në pritje të përgjigjeve.
Në Rregulloren për rregullat dhe procedurat për zgjedhjet e përgjithshme të personelit akademik dhe joakademik të UP-së, të datës 07.03.2024, në nenin 7, paragrafi 6, thuhet “anëtarët e Senatit të UP-së nuk kanë të drejtë të zgjidhen për më shumë se dy mandate”.
Kurse, në nenin 10, ku flitet për zgjedhjet për Senat, në paragrafin 1 thuhet “një anëtar i personelit akademik nga secili fakultet zgjidhet”, ndërsa në paragrafin 2 thuhet “Përfaqësuesi i fakultetit në Senat do të zgjidhet nga personeli akademik i secilit fakultet siç përcaktohet në statut, respektivisht profesor i rregullt, profesor i asociuar, profesor asistent dhe asistent”.
Ndërsa, zgjedhja e senatorëve nga këshillet e fakulteteve bëhet me anë të një procesi votash, i cili rregullohet sipas nenit 10, paragrafit 3 të Rregullores së UP-së të cituar deri më tani.
“Përfaqësuesi i fakultetit në Senatin e UP-së zgjidhet me shumicën absolute (50%+1) të votave të të gjithë personelit akademik që marrin pjesë në votim” – thuhet në paragrafin 3, neni 10, të Rregullores për zgjedhjet e përgjithshme të personelit akademik dhe joakademik të UP-së të datës 07.03.2024.
Në këtë rast, sipas paragrafit 4 të nenit 10 të Rregullores së UP-së, “për zgjedhjen e përfaqësuesit të fakultetit në Senat, të drejtë vote ka i tërë personeli akademik në marrëdhënie të rregullt pune në fakultet, në pajtim me dispozitat e kësaj rregulloreje”.
Përveç Veliut nga Fakulteti Ekonomik, anëtarët e tjerë të zgjedhur nga 13 njësitë e tjera akademike të UP-së për Senat janë:
Fakulteti i Arkitekturës: Prof. Florina Jerliu,
Fakulteti i Arteve: Prof. Adem Rusinovci,
Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë: Prof. Imer Haziri,
Fakulteti i Edukimit: Prof. Eda Vula,
Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportit: Prof. Bujar Turjaka,
Fakulteti i Filologjisë: Prof. Shpetim Elezi,
Fakulteti Filozofik: Prof. Sejdi Rexhepi,
Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike: Prof. Valdete Rexhëbeqaj-Hamiti,
Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike: Prof. Rexhep Selimaj,
Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit: Prof. Figene Ahmedi,
Fakulteti Juridik: Prof. Iliriana Islami,
Fakulteti i Mjekësisë: Prof. Kreshnike Dedushi-Hoti,
Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore: Prof. Fisnik Aliaj.
Anëtarë në Senat të UP-së janë nga Rektorati i UP-së (rektori e prorektorët dhe sekretari i UP-së), anëtarët nga personeli akademik (dekanë e senatorë për njësi akademike) dhe ai administrativ, dhe anëtarët nga radhët e studentëve (kryetari i Parlamentit Studentor të UP-së dhe përfaqësues të tjerë të studentëve).
Më 23.04.2024 UP ka zgjedhur dekanët e rinj të 14 fakulteteve, të cilët po ashtu fillojnë mandatin më 01.10.2024, në fillim të vitit të ri akademik.
Dekanët e zgjedhur janë:
Fakulteti i Arkitekturës: Prof. Violeta Nushi,
Fakulteti i Arteve: Prof. Hazir Haziri,
Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë: Prof. Arben Musliu,
Fakulteti i Edukimit: Prof. Blerim Saqipi,
Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportit: Prof. Florian Miftari,
Fakulteti Ekonomik: Prof. Driton Balaj,
Fakulteti i Filologjisë: Prof. Abdulla Rexhepi,
Fakulteti Filozofik: Prof. Bekim Baliqi,
Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike: Prof. Isak Shabani,
Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike: Prof. Mirlind Bruçi,
Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit: Prof. Florim Grajçevci,
Fakulteti Juridik: Prof. Avni Puka,
Fakulteti i Mjekësisë: Prof. Sefedin Muçaj,
Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore: Prof. Kajtaz Bllaca.
Këtë javë UP, ka marrë vendim edhe në lidhje me profesorin e rregullt të Fakultetit të Edukimit, Xhevat Krasniqi i denoncuar për ngacmim seksual nga 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë.
Më 23.04.2024, Rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, e ka pezulluar nga puna profesorin Krasniqi, pasi KE i ka rekomanduar pezullimin e Krasniqit derisa të përfundojnë veprimet hetuese nga ana e Prokurorisë së Shtetit në lidhje me denoncimin për ngacmim.
Prokuroria e Prishtinës ka njoftuar se është iniciuar rast ndaj profesorit Krasniqi, në drejtim të veprës penale – ngacmim seksual.
Ky vendim i KE ndaj Krasniqit erdhi pas disa mbledhjeve të mbajtura nga ky Këshill, të cilat u shoqëruan edhe me protesta të aktivistëve të Lëvizjes Feministe Studentore dhe të tjerë, të cilët kërkuan përjashtimin e Krasniqit nga UP.