Konjufca “jashtë linjës” së bashkëpartiakëve në Kuvend: Komisionet hetimore s’duhet të pengohen

Glauk Konjufca nuk pajtohet me qëndrimin e kolegëve të tij në Kuvend nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, për ta pamundësuar krijimin e komisioneve hetimore parlamentare. Përkundrazi, ai vlerëson se komisionet hetimore, çfarëdo qofshin ato nuk duhet të pengohen.

Këtë qëndrim, kryeparlamentari i Kosovës e ka shprehur pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, të mbajtur më 29.03.2024, përkatësisht një ditë pasi deputetët e LVV-së pamundësuan themelimin e Komisionit hetimor parlamentar për kontratat njëburimore.

Konjufca tha se krijimi i komisioneve hetimore është instrumenti i vetëm që opozita e ka në dorë sa i përket Kuvendit.

Por, bashkëpartiakët e tij kanë kushtëzuar propozimin e emrave për anëtarë të këtij komisioni me arsyetimin se paraprakisht duan të binden nëse opozita kërkon me të vërtetë zgjedhje të parakohshme.

E kjo qasje kushtëzuese nuk është mbështetur nga Konjufca.

Ai tha se nuk duhet të vendoset një kushtëzim i tillë, sepse nëse ky bëhet precedent, atëherë sipas tij, do të dëmtohet Kuvendi dhe parlamentarizmi në mënyrë afatgjate.

“Betejat gjithmonë duhet të bëhen brenda komisioneve pasi që të bëhen ato dhe të mos vendosen kushtëzime dhe pamundësime teknike për themelim. Unë, si kryetar e shpreh qëndrimin tim që komisionet hetimore nuk duhet të pengohen” – deklaroi Konjufca.

Me kërkesën e 40 deputetëve, Kuvendi i Kosovës më 28.03.2024 ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme për themelimin e Komisionit hetimor për kontratat njëburimore, procedurat e prokurimeve të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë, në ministri dhe në ndërmarrje publike qendrore, të nënshkruara gjatë qeverisjes Kurti.

Në votim për formimin e këtij komisioni kanë marrë pjesë vetëm 26 deputetë, përderisa deputetët e pozitës, as nuk janë përfshirë në votim e as nuk i kanë prezantuar pesë emrat për anëtarë të këtij komisioni.

“Nuk po e dimë a janë më me prioritet hetimet këtu brenda në Kuvend apo zgjedhjet jashtë Kuvendit për ta ndërruar strukturën e Kuvendit… Prandaj deri sa të bindemi se këta me të vërtetë kërkojnë zgjedhje, ne nuk i kemi këta pesë emra. Ta dinë qytetarët se ky do të bëhej komisioni i gjashtë ose shtatë” – ka thënë Shefja e Grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari Lila.

Ndërkaq, kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se tashmë partia e tij e ka propozuar një datë për zgjedhje dhe ajo është 9 qershori.

Shefat e tri grupeve parlamentare, PDK, LDK dhe AAK kanë propozuar emra për përbërjen e komisionit, e kanë akuzuar pozitën se kanë frikë dhe nuk janë të gatshëm të marrin përgjegjësi.

Tri partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës, PDK, LDK dhe AAK, kanë shprehur gatishmërinë për të shkuar në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se do ta ndihmojnë opozitën nëse dëshiron që të shkojë në zgjedhje.

Abelard Tahiri ka thënë sot se PDK do të ndërmarrë hapa konkret për shpërndarjen e Kuvendit në mënyrë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.