Edhe për Shëndetin të Ndarë në Veri

Në fshatin Suhodoll, të cilin serbët e quajnë Suvi Do, afër Mitrovicës, në veri të Kosovës, shqiptarët dhe serbët bëjnë jetë të ndarë, kur shkojnë në lutje, në shkollë dhe shoqërohen krejtësisht larg nga njëri-tjetri.

Kjo ndarje shtrihet edhe në çështje për jetë e vdekje – të shëndetit. Asnjëra palë nuk këshillohet te mjeku i komunitetit tjetër, edhe nëse qendra shëndetësore e komunitetit “tjetër”, është shumë më afër shtëpive të tyre.

Radmilla dhe Dushica Simic, dy gra të moshuara serbe, banore të Suhadollit, asnjëherë nuk kanë vizituar mjekët e tyre lokalë shqiptarë, edhe pse ambulanca e drejtuar nga shqiptarët, në Gushavcin fqinj, është më afër tyre, sesa ambulanca e drejtuar nga serbët në Suhadollin e Epërm.

“Të gjitha 40 familjet serbe në Suhadoll shkojnë në atë ambulancë [serbe]. Nuk më kujtohet që ndonjë nga fshatarët tanë ka shkuar te mjeku shqiptar në Gushavc, as që njerëz nga ana tjetër kanë ardhur për t’u konsultuar me mjekët tanë”, tha Radmila, 70-vjeçare.

Qendra shëndetësore në fshat financohet nga Qeveria e Serbisë në Beograd, dhe mjekët ndërrohen në baza javore.

“Ata ndryshojnë gjithë kohën. Ne kurrë nuk e dimë se kë do ta takojmë kur shkojmë në vizitë, sepse është e pazakontë që ta shohim të njëjtin mjek për më shumë se një javë”, vuri në dukje Dusica.

Klinika e vogël punon nga ora 9 deri në 13. Kur dikush nga fshati sëmuret më rëndë, duhet të udhëtojë edhe pesë kilometra deri në spitalin në pjesën veriore të Mitrovicës, të drejtuar nga serbët.

Rreth 500 metra më poshtë rrugës nga Suhadolli, në drejtim të Zubin Potokut, është fshati shqiptar Gushavc.

Banorët e Gushavcit kanë ambulancën e tyre të vogël, të cilën Qeveria e Kosovës e ndërtoi në vitin 2006. Ajo, gjithashtu, i shërben vetëm një komuniteti.

Ambulanta, Gushavc

 

Një infermiere nga kjo qendër shëndetësore nuk mund të kujtojë ndonjë rast kur një serb lokal ka ardhur ndonjëherë të kërkojë trajtim.

Përveç banorëve në Gushavc, mjekët këtu kanë plot punë në trajtimin e pacientëve nga fshatrat e tjera fqinje shqiptare, Vinarc, Suhodoll dhe Vidimiric.

“Ata kanë klinikat e tyre, dhe ne kemi tonat”, shpjegoi infermierja. Ajo tha se mjekët shqiptarë dhe serbë nga të dy institucionet shëndetësore të ndara nuk bashkëpunojnë. Madje edhe në qoftë se do të mbeteshin shkurt pa ilaçe, ajo dyshon se ndonjëra palë do të përpiqej për t’i marrë ato nga ana tjetër.

“Nëse atyre [serbëve] iu duhen barna, ata mund të shkojnë në spitalin në veri [të Mitrovicës] dhe në qoftë se pacientët tanë [shqiptarë] kanë nevojë, shkojnë në spitalin jugor. Kështu është që prej përfundimit të luftës dhe nuk shoh që po ndryshon”, tha ajo.

Përveç qendrave shëndetësore paralele, shqiptarët dhe serbët në këtë pjesë të Kosovës, kanë edhe çerdhet e tyre mono-etnike, sikurse dhe shkollat fillore.

Ndryshe nga pjesa tjetër e Kosovës, shumicën e popullsisë në këtë pjesë të veriut të Kosovës, e përbëjnë serbët, të cilët e kundërshtojnë autoritetin e qeverisë së udhëhequr nga shqiptarët në Prishtinë, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008. Ata e konsiderojnë veriun e Kosovës pjesë të Serbisë.

Tensionet janë përkeqësuar që nga korriku, kur Qeveria e Kosovës u përpoq ta marrë kontrollin në kufirin me Serbinë.

Serbët lokalë pastaj filluan ngritjen e pengesave të shumta në rrugët kryesore që çojnë në kufirin e kontestuar me Serbinë, disa prej të cilave vazhdojnë të mbesin ende.
 
Paqeruajtësit e KFOR-it janë përpjekur për muaj për të shpërbërë postblloqet, të cilat pengojnë qasjen e saj në bazën ushtarake në kufi.

Më shumë se 50 ushtarë të KFOR dhe serbë kanë qenë të plagosur në përleshje, gjatë disa operacioneve për të hequr barrierat.

Tensionet e kanë keqësuar edhe më jetën e banorëve shqiptarë në veri të Kosovës. Qeveria e Kosovës, kohëve të fundit, u përpoq të zbatojë një projekt për kthim në Suhadoll, duke rindërtuar disa prej shtëpive të shqiptarëve të dëbuar në lagje.

Sidomos në dritën e tensioneve të fundit, ky veprim u konsiderua si një provokim nga ana e serbëve lokalë.

Hysen Murtezaj, një 59-vjeçar shqiptar, i cili jeton në Suhodoll, thotë se në qoftë se të dy palët do të liheshin vetëm, tensionet do të zhdukeshin.

Murtezaj jeton nën të njëjtën çati, me 10 anëtarët e tjerë të familjes së tij, menjëherë afër Kishës ortodokse serbe të fshatit.

Ai ishte në mesin e shqiptarëve të parë që u kthyen në lagje, pasi konflikti përfundoi, në vitin 2001, por që nga atëherë ai ka pasur komunikim shumë pak me bashkë-fshatarët e tij serbë.

“Tani për tani, askush nuk e di se si kjo bela me barrikada do të përfundojë”, tha ai.

“Ne rrallë shohim policë të Kosovës shqiptare, dhe ne duhet të bëjmë roje gjatë natës, në rast se ndonjë ‘i çmendur’ do të mendojë të na sulmojë”, shtoi ai.