Veteranët e Ofenduar Kërcënojnë me Protesta

Shoqatat e dala nga lufta kontestojnë ligjin për vlerat e luftës të miratuar nga Kuvendi më 8 Dhjetor të këtij viti për shkak se ai shkurton periudhën e luftës në vetëm tri vjet dhe përjashton nga beneficionet veteranët e luftës.

Fillimisht ishte paraparë që periudhë e luftës të konsiderohehej faza prej 1991 deri më 1999, por në fund ka kaluar ajo prej 1997 deri më 1999. Po ashtu, për shkak se veteranët e luftës thonë se janë diku rreth 22 mijë persona ata janë përjashtuar nga përfitimet prej këtij ligji pasi statusi i tyre është lënë të rregullohet vitin e ardhshëm me një ligj tjetër të veçantë. 

Përveç beheficioneve për veteranët, draftet e këtij ligji kishin paraparë edhe shumë lehtësime tjera sociale për kategoritë e luftës si bursat shkollore për fëmijë, regjistrimet e veturave etj.

Por, me ligjin aktual, vetëm familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës do të marrin beneficionet e tyre dhe kjo pritet të ngarkojë buxhetin e vendit me rreth 30 milionë në vit, 22 milionë të të cilave veç janë ndarë nga Qeveria.

Besohet se ndryshimet kanë ardhur sidomos si pasojë e dyshimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (IMF) se listat e veteranëve ishin fryrë tej mase dhe se beneficionet e parapara ngarkon shumë buxhetin e vendit, që edhe ashtu u përball me probleme arnimi. Versionet e fundit të draft-ligjit ishin përgatitur nën drejtimin e Zyrës Ligjore të Kryeministrit.

Xhavit Jashari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve thotë se ky nuk është ligj për të cilin kanë punuar të gjithë faktorët e përfshirë në nxjerrjen e tij. “Ligji është gjysmuar nga zyra e ligjore e Kryeministrit”, ka thënë Jashari.

Ai e quajti ligjin të papranueshëm.

Xhevdet Qeriqi, i Këshillit për Mbrojtjen e Veteranëve të Luftë së UÇK’së, rikujtoi se veteranët kishin protestuar 61 ditë përpara Qeverisë për procedimin e ligjit dhe kishin pritur se beneficionet e tyre do të rregulloheshin.

Ai tha se gjendja e vështirë e kësaj kategorie ka shtyrë 42 veteranë të bëjnë vetëvrasje, përfshirë një veteran nga Podujeva i cili kishte qenë pjesëmarrës i protestave të fundit.   

“Krahu i luftës është dashur të bëjë më tepër. Për vete janë duke jetuar në luks e nuk donë të shikojnë gjendjen në teren”, u shpreh Qeriqi.

Deputetja Flora Brovina, anëtare e komisionit parlamentar për shëndetësi, ka thënë se FMN’ja kishte kontaktuar Qeverinë dhe kishte rekomanduar që ligji për veteranët e luftës të jetë i veçantë. “FMN’ja ka kërkuar të mos kalohet vija e kuqe”, ka thënë Brovina.

Deputetja tjetër Time Kadriaj ka thënë se Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale është dashur të ketë numrin e veteranëve, por nuk ka nxjerr përpara ndonjë shifër.

Fadil Racaj, drejtor i departamentit në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, thotë se në këtë ministri ka ekzistuar për tetë vjet një departament për veteranët, por se numri i veteranëve është rritur vazhdimisht dhe se pikërisht problemi i numrit ka pamundësuar përfshirjen e tyre në ligj.

Xhavit Jashari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve tha se tani është formuar një komision që do të verifikojë numrin e veteranëve të cilët, sipas tij, llogaritet të jenë diku rreth 22 mijë dhe të cilët kanë kartela përkatëse identifikimi. Ai tha se fryrja e listave ka mundur të ndodhë në kohën e transformimit të ish-Trupave të Mbrojtjes së Kosovës në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Por, Xhevdet Qeriqi, i Këshillit për Mbrojtjen e Veteranëve të Luftës, thotë se listat kanë përjetuar fryrje të mëdha. Ai tha se e dinte vet për një rast në komunën e Drenasit ku një person edhe pse nuk ka qenë veteran ka kartelë përkatëse dhe ka përfituar një truall në këtë mënyrë.

“FMN ka kërkuar numrin e saktë të veteranëve, që janë diku rreth 13 mijë”, tha Qeriqi.

Shoqatat e dala nga lufta i kanë kërkuar Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, që të mos e nënshkruaj ligjin për vlerat e luftës me arsyetimin se është diskriminues për veteranët.

Deputetja Flora Brovina u ka sugjeruar shoqatave që të bëjnë presion tek Ministria e Punës që të përgatisin listën dhe kështu të bëhet e mundshme nxjerrja e ligjit vitin e ardhshëm.

Përfaqësuesit e shoqatave thanë se do të kishte qenë më mirë që asnjë ligj për kategoritë e luftës të mos miratohet ashtu që të mos ofendohen veteranët.

Xhevdet Qeriqi tha se nëse veteranët nuk do të jenë pjesë e ligjit, ata do të detyrohen të dalin në rrugë prej 1 Janarit.

Qeveria, megjithatë, insiston se ligji ka bërë përmirësime dhe ka rregulluar shumë aspekte të kategorive të dala nga lufta me këtë ligj.

Fadil Racaj i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale thotë se zbatimi i këtij ligji do të jetë sfidues për shkak se do të duhen gjashtë muaj që ai të nisë të zbatohen dhe diku 20 akte nënligjore. Po ashtu, ai tha se nga 30 milionë euro sa do të kushtojë ky ligj për buxhetin, 22 veç janë ndarë nga Qeveria kurse do të duhen edhe tetë milionë euro të tjera për zbatimin e tërësishëm të tij.