Mendohet për Harmonizim Rajonal Energjetik

Mungesat e energjisë elektrike në vendet e rajonit mund të evitohen përmes një harmonizimi ku Kosova do të kontribuonte me energji prej qymyrit ndërsa Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia me ujë.

Udhëheqësi i departamentit të energjisë në Institutin “RIINVEST”, Naim Hoxha, thotë se një bashkëpunim i kësaj natyre është pikërisht çfarë duhet të ndodhë. “Investimi i vendeve të rajonit në potencialet alternative të energjisë do të ishte një nga zgjidhjet më të urta për të sanuar mungesën e energjisë”, thotë Hoxha.

Aktualisht  Shqipëria prin me kapacitete të ujit për prodhim të energjisë në vendet e rajonit, pasi mund të prodhojë deri në deri 4.5 gigavat energji elektrike.

Hoxha thotë se aktualisht Kosova dhe Shqipëria në lëmin e energjetikës sillen si të kishin qenë dy popuj me qëllime të ndryshme e jo si shtete me të gjitha interesat identike.

“Unifikimi i sistemeve energjetike në një dhe investimi në energji duhet të jetë obligim rajonal, thënë konform terminologjisë europiane, kurse bekim dhe obligim karshi aspektit kombëtar e historik”, ka shtuar ai.

Ish-ministri i Energjisë dhe Minierave, Ethem Çeku, ka thënë për Gazetën JnK se ka pasur marrëveshje dhe pajtime për fillimin e studimit të fizibilitetit për një hidrocentral në Lukovë, Maqedoni. Por, ky investim ka ngecur dhe nuk përmendet më.

Nisma për hidrocentral në fushën e Lukovës shihet, megjithatë, si e dobishme dhe teknikisht e realizueshme. “Përveç përmirësimit të gjendjes energjetike do të ishte shembull i mirë i kooperimit rajonal”, thotë Hoxha.

Sipas tij, iniciativa të tilla do të ishin të mirëseardhura sidomos në dritën e vonesës së ngritjes së kapacitetiteve të hidrocentralit të Zhurit për të siguruar furnizim të balancuar me rrymë.

Ish-ministri Çeku thotë se iniciativat për hidroenergji kanë ngecur dhe janë lënë anash.

Tash ai e sheh ngritjen e kapaciteteve të përbashkëta energjetike si alternativë në mesë vendeve fqinjë për të siguruar energji të mjaftueshme. “Prodhimi i energjisë nga linjiti dhe energjisë së
ripërtritshme duhet të jetë prioritet”, thotë ai. “Rajoni ka nevoja të mëdha për energji. Vetëm Europës Juglindore i mungojnë 11 mijë kilovatë orë energji”.

Kosova dhe Maqedonia më 5 korrik të vitit 2010 kishin nënshkruar një memorandum bashkëpunimi në fushën e energjisë. Memorandumi ishte nënshkruar nga ish-ministrja e Energjisë dhe Minierave Justina Shiroka-Pula, si dhe ish-ministri i Ekonomisë dhe Energjetikes së Maqedonisë, Fatmir Besimi.

“Memorandumi i Mirëkuptimit, i hapë rrugë intensifikimit të bashkëpunimit bilateral në sektorin e energjisë në pajtim me politikat dhe strategjitë shtetërore, me synim arritjen e furnizimit
më të sigurt të energjisë për dy vendet dhe më gjerë”, ishte shkruar në komunikatën e MEM-it të 5 korrikut 2010.

Por në realitet asgjë konkrete për të bashkëpunuar në fushën e energjisë në mesë të Kosovës dhe Maqedonisë nuk ka ndodhur deri më sot

Zëdhënësja e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Leonita Shabani, thotë se ndërtimi i kapaciteteve të reja energjetike mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë kanë qenë
vetëm ide të ish Ministrisë së Energjisë dhe Minierave (MEM).

“Ministria e mëparshme e Energjisë dhe Minierave nuk ka nënshkruar marrëveshje me Maqedoninë për ndërtimin e Hidrocentralit në Lukovë. Me rastin e nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit në mes të MEM-it dhe Ministrisë së Ekonomisë së Maqedonisë është përmendur kjo mundësi si ide”, thotë Shabani.

Ajo shton se MZHE deri në fund të dhjetorit do të rishikojë edhe arsyeshmërinë e projekteve hidrike brenda vendit, përfshirë Zhurin.

“Fillimi i ndërtimit të HC të Zhurit varet nga rishikimi dhe vlerësimi, ato  do të jenë bazë për vendime eventuale lidhur me kapacitet energjetike në ketë hidrocentral”, ka thënë Shabani.

Zëdhënësja thotë se Qeveria po gjurmon mundësitë për hidrocentralet e vogla, energjinë e erës dhe energjinë nga biomasat. Ajo shton se në hidrocentralet e vogla, që mbulojnë rreth 3 për qind të energjisë në vend, ka pasur zhvillime pozitive.

“Në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë së Kosovës janë duke aplikuar shumë kompani”, thotë ajo.

Por në ZRRE thonë se që nga 2009 asnjë kompani nuk ka aplikuar për tu licencuar për
prodhim të energjisë alternative. Kompania e vetme e cila kishte marrë autorizim më 29 dhjetor 2009, Wind Power, tash veç është jofunksionale. 

Ilir Rama, këshilltar nga njësia e Partneritetit Publiko Privat (PPP) në Ministrinë e Financave, ka treguar se kjo njësi e cila kishte nisur projektin e hidrocentraleve të vogla ka stopuar pasi kjo është ndaluar me ligjet e reja.

“Sipas ligjeve të aprovuara nga Parlamenti përgjegjësinë për dhënien e licencave për gjenerim e ka ZRRE, kështu që procesi është stopuar”.

KEK’u mirëpret kapacitetet e reja, por heziton të flas për idenë e investimeve në nivel rajonal.

Zëdhënësi Viktor Buzhala thotë se vendet e rajonit janë importuese të energjisë.

“Sigurisht, secili ndërtim i kapaciteteve të reja energjetike në rajon i ndihmon terë
rajonit sepse të gjitha vendet fqinje aktualisht janë shndërruar në importues
të energjisë elektrike, gjë që po sjellë automatikisht mungesa dhe vështirësi të
mëdha ne sigurimin e importit të energjisë elektrike”, thotë Buzhala.

Ai tregon s kapacitetet aktuale të prodhimit të energjisë elektrike nëpër blloqet e korporatës
nuk i plotësojnë kërkesat e konsumatorëve të cilat janë më të mëdha se kapacitetet prodhuese të KEK-ut.

Kërkesat e konsumatorëve për rrymë gjatë verës shkojnë deri në 600 megavat orë
energji elektrike, ndërsa gjatë dimrit kjo kërkesë ndodhë të dyfishohet, pra deri 1200 megavatë orë energji elektrike.