Flamuri i Izraelit, Foto: Eduardo Castro

Blinken nuk përgjigjet nëse SHBA-ja ishte informuar paraprakisht për sulmin e raportuar të Izraelit ndaj Iranit

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken gjatë Samitit të G7-ës që po mbahet në Itali, është pyetur në lidhje me sulmin që raportohet se bëri Izraeli ndaj Iranit, nëse SHBA-ja ishte njoftuar paraprakisht.

Blinken refuzoi të përgjigjet, përveçse ka thënë se SHBA-ja “nuk ka qenë e përfshirë në asnjë operacion sulmues”, raporton media britanike BBC.

Ai thotë se SHBA dhe G7-a janë fokusuar në punën për të ulur tensionet dhe “çdo konflikt të mundshëm”.

Blinken shton se Izraeli ishte goditur nga një “sulm i paprecedentë” dhe se SHBA-ja është e fokusuar në “të sigurohet që Izraeli të mund të mbrohet”.

Një raketë izraelite e ka goditur Iranin, i kanë thënë dy zyrtarë amerikanë partnerit amerikan të BBC-së, CBS News, më 19.04.2024.

Mediat shtetërore iraniane citojnë raporte të pakonfirmuara për shpërthime në provincën qendrore të Isfahanit, por kanë minimizuar raportet për një sulm. Izraeli nuk ka komentuar zyrtarisht ngjarjen.

Kryeqyteti iranian, Teherani ka pohuar se ishte hakmarrje për një sulm ajror të supozuar izraelit në konsullatën e tij në Siri më 01.04.2024 në të cilin u vranë 13 persona./BBC

Përgatiti: Emirjeta Vllahiu 

https://kallxo.com/lajm/bote/g7-denon-sulmin-e-paprecedente-te-iranit-ndaj-izraelit-thote-blinken/