Kapen me Ryshfet në Çorapë

Xhevat Haliti ishte përgatitur për të hyrë në testin e vozitjes. Besonte se do ta merrte pa problem patentshoferin. Por pronari i autoshkollës ku ai i kishte mbajtur orët, i kishte thënë se është “ligj i pashkruar” se për të kaluar testin duhej dhënë ekzaminerëve 50 euro.

“Edhe unë si profesionist që jam, nuk mund ta kalojë testin në vozitje, nëse nuk jap para”, i tha këtij kandidati, pronari i autoshkollës në Shtime, I.R.

Duke dashur që ta thyejë këtë “ligj të pashkruar”, H. e lajmëroi stacionin policor në Ferizaj. Provimi do të mbahej më 9 shtator 2011.

Policia, paraprakisht, i fotokopjoi kartëmonedhat, të cilat do t’iu jepeshin instruktorit dhe ekzaminerit. 30 euro do të duhej të shkonin për ekzaminerin dhe 20 euro për autoshkollën.

Paratë “e veta”, instruktori R. i kishte futur në librezën e veturës, e të cilat pas kalimit me “sukses” të provimit, ekzamineri Berisha i mori dhe i futi në çorapë.

Me këtë rast, policia ka ndërhyrë dhe i ka arrestuar në flagrancë të inkriminuarit, zyrtarin e Ministrisë së Infrastrukturës, dega në Ferizaj, si dhe instruktorin e autoshkollës.

Parat e gjetura janë përputhur në tërësi, me ato të fotokopjuara më parë.

Të pandehurit janë mbajtur në paraburgim nga 9 shtatori deri më 27 shtator 2011, ndërsa sot në Gjykatën Komunale në Ferizaj u zhvillua gjykimi ndaj tyre.

Të pandehurit akuzoheshin për “Marrje të ryshfetit” dhe “Dhënie të ryshfetit”, të dyja këto vepra penale të parapara me Kodin penal të Kosovës.

Trupi gjykues në përbërje, Bashkim Hyseni, kryetar i trupit gjykues; Islam Sfarqa dhe Asllan Zariqi, si gjyqtarë porotë, në emër të popullit kanë shpallur këtë aktgjykim:

“I akuzuari Beqir Berisha është fajtor për veprën penale ‘Marrje e ryshfetit’, nga neni 343, paragrafi 1 i KPK-së dhe të njëjtit i shqipton një sanksion penal – dënim me burgim, në kohëzgjatje prej 8 muaj burgim efektiv”.

“Po ashtu, i akuzuari F. është fajtor për veprën penale ‘Dhënie e ryshfetit’, nga neni 344, paragrafi 1 i KPK-së dhe të njëjtit i shqipton një sanksion penal – dënim me burgim, në kohëzgjatje prej 5 muajsh”.

Gjatë mbrojtjes së klientëve të tyre, avokatët mbrojtës e kanë pranuar që paratë janë dhënë, mirëpo sipas tyre, ato kanë qenë në emër të “gostitjes” për suksesin e kandidatit, e që këtë sukses instruktori e dinte paraprakisht.

Avokatët mbrojtës të pakënaqur me vendimin kanë paralajmëruar ankesë.

Xhevat Halili i tha Gazetës Jeta në Kosovë, pas gjykimit, se nuk kanë qenë në pyetje 50 euro, por ka dashur të japë kontributin e tij që të luftohet korrupsioni, i cili tashmë është praktikë, për çdo punë që dëshiron të kryhet.

Ai u shpreh se ekzamineri Beqir Berisha është “njeri i mirë, por ja që atij i ra e u zu, mirëpo atje ka njerëz që marrin ryshfet shumë më shumë”.

Halili iu bën thirrje qytetarëve që të veprojnë ngjashëm si ai, sepse vetëm në këtë formë, mund të luftohet korrupsioni.

12/10/2020

Artikulli është edituar tek emiri i të dënuarit F. për shkak se i njëjti ka arritur rehabilitimin gjyqësorë dhe dosja e tij është fshirë nga regjistrat penal të gjykatës.