Porti i Trëndafilave

I shtrirë ndërmjet gjirit italian të Triestes dhe bregut kroat të Istrisë, bregdeti slloven (46 kilometra i gjatë) është një destinacion atraktiv gjatë tërë vitit në zemër të Evropës jugore, dhe resorti më i spikatur i tij është gjithsesi Portorozhi, apo Portorose në italisht – që në përkthim do të thotë Porti i Trëndafilave. 

Portorozhi fitoi reputacion për herë të parë si resort shëndetësor qysh në shekullin e 13 ndërsa edhe në ditët e sotme është dizajnuar për turizëm, industrinë kryesore të tij. Qyteti ka zhvilluar një destinacion të përshtatshëm që nga viti 1857, ku pas përfundimit të hekurudhës verore austriake shpejt u bë port i obligueshëm për austriakët e pasur dhe çoi në përfshirjen e rivierës austriake që në atë kohë po lulëzonte. 

Sot, Portorozhi mbetet një resort i famshëm që ofron një varg hotelesh të rehatshme të kategorive të ndryshme, me pishina moderne, kuzhina të shumëllojshme, organizime që joshin vizitorë nga të gjitha vendet, si dhe hiç më pak gjashtë ilixhe shëndetësore, duke vazhduar me këtë traditë 600 vjeçare.

Gjithashtu, Portorozhi është destinacion i njohur për kongrese dhe konferenca. Duke qenë nikoqir i shumë ekspozitave dhe panaireve, qyteti është në gjendje të mbajë atmosferë aktive e të gjallërishme gjatë tërë vitit. Një nga ngjarjet më të mëdha atje është Internautica, një ekspozim ndërkombëtar i anijeve, që mbahet çdo vit në muajin maj dhe joshë mbi 400 ekspozues dhe mbi 40,000 vizitorë.

Kjo është një ngjarje që nuk mund të lëshohet edhe nëse nuk jeni të interesuar për ndonjë jaht të ri luksoz. Larg nga plazhi, një vizitë në pjesën malore në afërsi mund ta zbukurojë ditën. Qytetet e afërta bregdetare Piran, Izola dhe Koper janë të gërshetuara me rrugica të ngushta që çojnë në sheshet piktoreske të rrethuar me pallate mahnitëse. 

Këto fshatra të afërta ofrojnë pamje madhështore të bregdetit Istrian dhe në ditë të kthjellëta mund të shihen e të admirohen edhe Alpet e largëta. Ky rajon ofron aktivitete të tjera interesante të jashtme më larg detit siç janë, vizita për në shpellat nëntokësore, apo në fermën Lipica, vendi i racës së njohur të kuajve Lipizzaner të ish Oborrit Mbretëror Austriak.

Ndryshe nga emri i tij, Portorozhi nuk është kopsht i trëndafilave, madje cinikët sllovenë edhe i kanë vënë nofkën ‘Portobeton’ (porti i betonit). Ai nuk ka lagje të vjetra të stilit venecian që mund të shihen në tërë rajonin, ndonëse nuk gjendet shumë larg Piranit – një margaritar i ruajtur i arkitekturës veneciane në bregdetin slloven.

Portorozhi mund të mos ketë bukuri arkitektonike për të cilën është i njohur ky rajon, mirëpo megjithatë është destinacion atraktiv për ata që kërkojnë plazhe me zall, ushqim dhe fjetje të lirë, si dhe qasje në pjesën tjetër të bregut. Qyteti italian i Triestes është vetëm 30 minuta larg me makinë. 

Një tren i ri turistik, që sapo ka filluar të operojë, ofron ‘udhëtime me pamje’ nëpërmjet Piranit, Portorozhit dhe Lucias. Qendër e padiskutueshme e sektorit turistik bregdetar të Sllovenisë, Portorozhi posedon një nga marinat më të mëdha moderne të Adriatikut. 

Planifikimi ka filluar qysh në vitin 1974 dhe marina është ndërtuar në lokacionin e ish pellgjeve kripore të Lucias. Sot, ajo është e pajisur me mbi 1,000 vende për ankorim për akomodim të jahteve dhe anijeve deri në 22 metra ta gjata.

I vendosur më pak se një kilometër larg qendrës së qytetit, marina është porta e rajonit drejt Mesdheut dhe resort virtual brenda resortit, me zgjidhje të akomodimeve, restoranteve, bareve dhe objekteve sportive të vetat, duke përfshirë 13 terrene argjile të tenisit, pishina, qendër fitnesi, terren për mini-golf si dhe fushë për goditje të gjata golfi.

Ata që kërkojnë pushim më aktiv mund të kënaqen në shtigjet e shumta të rajonit për ekskursione dhe ecje, të cilat ofrojnë pushim nga betoni i resortit kryesor dhe pamje mahnitëse të rajonit të tij të gjelbër dhe guror. Në mesin e destinacioneve më interesante për pushime me ecje në këtë zonë është Parku Natyror Secovlje Saline. 

Dikur një qendër e industrisë së vlefshme të kripës, tani rrafshinat kripore të parkut janë të mbrojtura dhe ofrojnë strehim të mbrojtur mirë të zogjve. Gjithashtu, parku akomodon edhe Muzeun e Kripores, i cili ofron demonstrime të metodës 700 vjet të vjetër të përpunimit të kripës dhe përfshin një replikë të një shtëpie kripore tradicionale. 

Me disa klube nate, tri kazino non-stop, një varg qendrash ilixheje dhe restorante të shumta që ofrojnë kuzhina me prodhime vendore, Portorozhi ofron aktivitete të shumta në orët e mbrëmjes. 

Ndonëse komercial dhe i zhvilluar mirë, Portorozhi mbetet destinacion i përballueshëm dhe alternativ për ata që kërkojnë vetëm të kënaqen në bregdetin Adriatik, apo si bazë për udhëtime ditore për në pjesët rurale sllovene në çdo kohë të vitit.