Dimri ua Kujton Rregullimin e Ngrohjes

Shkaku i të ftohtit, 2200 nxënës të shkollës fillore dhe të mesme të ulët “Gjon Serreçi” në Ferizaj nuk janë duke mbajtur mësim qe tre ditë.

Drejtori i kësaj shkolle, Milazim Dërguti, i tha Gazetës JnK se mësimi është ndërprerë pasi që është duke u ndërruar komplet sistemi i ngrohjes nga ai me naftë, në sistem të ngrohjes me thëngjill dhe dru.

Durguti tha se kostoja e ngrohjes me naftë ishte shumë e lartë dhe për 2000 euro tejkalonte buxhetin e përgjithshëm të shkollës. I pyetur se pse kjo çështje nuk është rregulluar deri më tani, drejtori tha se deri në vitin 2009/2010, shkollat nuk kanë pasur buxhet të vetëmenaxhuar dhe kjo kosto nuk është vërejtur, sepse është mbuluar nga shkollat tjera.

“Tani shkollat kanë buxhet të vetëmenaxhuar, andaj kjo shkollë nuk ka mundur ta përballojë koston deri më tani. Gjithashtu në bazë të Planit Urbanistik të qytetit të Ferizajt, ky objekt do të rrënohet dhe do të ndërtohet në një vend tjetër, prandaj deri më tani Komuna e Ferizajt nuk e ka parë të arsyeshme që të investojë”, tha ai.

Në fakt, mësimi me orë të shkurtuar kishe nisur të mbahej qe më tepër se një javë, por me rënien e temperaturave është vendosur të ndërpritet plotësisht.

Valbona Sylejmani, e ëma e Elonit 5-vjeçar, i cili vijon edukimin parashkollor, tha për Gazetën JnK se djali i saj nuk është duke shkuar në shkollë, për shkak të të ftohtit. “Ai është fëmijë i ndjeshëm, prandaj edhe po të mbahej me mësim në këto kushte të ftohta, nuk do të mund ta lejoja që të shkoj në mësim, sepse do të sëmurej”.

Ndërkohë prindi Florim Avdiu tregoi se e kishte sjellë djalin në shkollë, mirëpo drejtori i shkollës i ka thënë se nuk do të mbahet mësim fare.

Këta prindër shprehin shqetësim për humbjen e orëve të mësimit, megjithëse drejtori ka thënë se ato do të kompensohen.

Për ndërrimin e sistemit të ngrohjes është kontraktuar kompania “Termokolog” nga Ferizaj, e cila ka filluar punën qe 3 ditë dhe është zotuar se deri në fund të javës puna do të kryhet.

Ky investim ka kushtuar 20.000 mijë euro. Drejtori i shkollës, Durguti, tha për gJnK se mësimi i humbur do të zëvendësohet të shtunave, ose do të shtyhet pushimi dimëror, në mënyrë që të arrihet të përfundohet planprogrami.