Dragashi në Hartën Turistike

A jeni të interesuar të hulumtoni bukuritë e natyrës së Kosovës por nuk e keni vizituar akoma zonën e Dragashit? Atëherë, mos kërkoni më tutje: udhëpërshkruesi dhe banori i Prishtinës Todd Wassel e ka shkrirë përvojën e tij të gjatë bjeshkatare nga ky rajon i lënë pas dore, në një udhërrëfyes (turistik) që synon zbulimin e bukurisë së zonës dhe shijimin e saj.

I ndodhur në pjesën më jugore të Kosovës, Dragashi është një oazë me bukuri të paprishur natyrore dhe me fshatra tradicionale mes kufirit me Maqedoninë dhe Shqipërinë.

Todd Wassel është ekspert i drejtave të njeriut dhe zgjidhjes së konflikteve, i cili ka jetuar në Japoni, Tailandë, Timorin lindor, Shri Lankë dhe së fundi në Kosovë, duke vizituar më se 30 shtete.

Ai ka filluar shëtitjet e tij para 11 vitesh, si mësues i gjuhës angleze në Japoni. Që nga atëherë, ai ka ndarë publikisht përvojat e tij të udhëtimit në ditarin e tij në internet, duke përshkruar bukuritë natyrore nga vende të jashtëzakonshme anëmbanë botës.

Gjersa në Kosovë jeton që nga mesi i dimrit të vitit 2010, Todd ka hulumtuar natyrën e vendit, duke zbuluar një natyrë të bukur e sfiduese, gjë e cila duhet të promovohet shumë e më shumë.

“Që kur fillova të jetoj në Kosovë, para një vit e gjysmë, shumicën e uikendeve i kam kaluar duke u ngjitur bjeshkëve, duke vizituar fshatra të vogla dhe duke rënë në dashuri me këtë zonë,” tha Todd për Gazetën Jeta në Kosovë.

I mahnitur nga bukuria natyrore e zonës së Dragashit e cila aspak nuk është promovuar si zonë e bukur për shëtitje në male apo bjeshkatari, Todd mori përsipër sfidën që zbulimet e tij t’i prezantojë në një doracak udhërrëfyes të dedikuar për adhuruesit e natyrës.

“Ky libërth është një udhërrëfyes për ekskursione dhe turizëm natyror në malet e Dragashit. Libërthi përfshin 12 shtigje për ecje/ngjitje në male, si dhe tri shtigje malore të Dragashit për biçiklistë, të bëra publike për herë të parë. Çdo shëtitje vjen me hartë të detajizuar dhe informata lokale. Sa i përket shëtitësve malorë me përvojë, mund të shkarkohet edhe gjurmuesi GPS që të jeni të sigurt se nuk humbeni,” shpjegon Todd.

I mahnitur nga natyra e pazbuluar e zonës së Dragashit, si dhe i prekur nga fakti se gjatë kohës së Jugosllavisë kjo zonë nuk kishte patur shansin të bëhej zonë e mirëfilltë turistike, Todd kaloi kohë të gjatë në mënyrë që t’ju bëjë me dije njerëzve se çfarë humbasin ata në Kosovë.

“Isha duke ecur maleve të Dragashit dhe nuk më besohej se njerëzit nuk dinin fare për bukurinë e jashtëzakonshme të kësaj zone. Mua më shkoi mendja që sikur njerëzit të dinin se si të arrinin në Dragash, atëherë do të fillonin të vinin shumë e më shumë turistë e adhurues të natyrës.”

“Në thelb, ky udhërrëfyes është hapi i parë drejt ndihmës jo vetëm në ngritjen e punësimit në zonën e Dragashit, por edhe që të ardhurat nga projekti të shfrytëzohen për mbrojtjen afatgjate të mjedisit natyror,” tha Todd.

Kur pyetëm Toddin se çfarë e bënte Dragashin kaq sfidues, ai tha se ky vend është “një nga zonat më të largëta dhe me popullsinë më të rrallë në Kosovë, por ka disa nga njerëzit më të dashur që kam takuar ndonjëherë.”

Për më shumë, ai thotë se ky rajon e ka magjepsur atë për jetesën tradicionale të vendit.

“Në njërin fshat akoma mund të shihen tregtarë të cilët, në kuaj, kalojnë malet e Shqipërisë për të blerë e shitur perime. Mendoj se kanë mbetur fare pak vende në botë ku tregtia ndërkombëtare akoma bëhet duke udhëtuar mbi shpinë të kalit,” shtoi Todd.

Udhërrëfyesi i Dragashit përshkruan 12 shtigje të kalueshme, ndërsa që ai mund të ketë edhe një ribotim, me qëllim që të përfshijë komente nga përdoruesit, si dhe të zgjerohet në zona tjera.

Zona e Dragashit është zonë e përkryer për familjet që e duan piknikun përskaj lumenjve të pastër, për të zënë flutura, apo për të parë momente të rralla si dhitë e egra duke kërcyer nga shkëmbi në shkëmb.

Njerëzit mund të kënaqen edhe duke mbledhur kërpudha pas shiut, apo të hanë boronica e mjedrra direkt nga shkurret.

Udhërrëfyesi për shëtitje malore në Dragash së shpejti do të jetë në dispozicion në anglisht, shqip dhe serbisht, dhe verzioni elektronik mund të shkarkohet falas nga faqja www.toddwanderings.com. Verzioni i shtypur do të jetë në dispozicion edhe nëpërmjet UNDP-së, të cilët kanë sponsoruar udhërrëfyesin, në sasi të kufizuar, por gjithashtu falas.