Dialogu Vazhdon Gjatë Vikendit?

Dialogu ndërmjet Kosovës e Serbisë, raundi i tetë i të cilit përfundoi pa sukses mbrëmë vonë gjatë natës, do të mund të vazhdojë gjatë fundjavës.

“Deri të hënën ka mjaft kohë që të dy delegacionet të merren vesh për ndonjë gjë”, ka thënë një zyrtar i BE-së, në kushte anonimiteti, transmeton Tanjug.

Shefja e delegacionit të Kosovës në bisedime me Beogradin, Edita Tahiri, ka thënë se Serbia nuk ka pranuar marrëveshjen e propozuar nga Bashkimi Europian për menaxhimin e integruar të kufijve.

Kryenegociatorja Edita Tahiri iu ka thënë medieve se “Kosova e ka pranuar marrëveshjen ndërsa Serbia jo”.

“Ne e kemi pranuar marrëveshjen, por tani e tutje i mbetet BE-së që të merret me Serbinë në ditët në vazhdim. Kosova edhe sonte ka fituar një vlerësim të lartë para miqve”, ka thënë Tahiri, transmeton KTV.

Ajo shpreson se Bashkimi Europian do t’i bëjë presion Serbisë për ta pranuar marrëveshjen për kufijtë.

Edhe shefi i delegacionit të Serbisë, Borislav Stefanoviq, e ka konfirmuar për mediet serbe se takimi ka përfunduar pa marrëveshje.

Ndërmjetësi Robert Cooper do të njoftojë sot vendet anëtare të BE-së me “rezultatet” e deritashme të bisedimeve Kosovë – Serbi.