Gjyqësia e Izolimit

Opinioni kosovar vazhdon të përballet me mungesë informacioni dhe transparence në gjithë sistemin gjyqësor. I gjithë sistemi ka vetëm një zyrtar për informim për të gjitha gjykatat dhe një sish për të gjitha nivelet e prokurorisë.

Jotransparencë edhe sa i përket gjërave më teknike siç janë moslajmërimi i gjykimeve në tabelën e shpalljeve, pamundësia e qasjes në raportet e punës së këtyre institucioneve e deri te mungesa e një faqeje të internetit për publikimin e vendimeve të gjykatave, janë të metat tjera që vazhdojnë ta thellojnë gjendjen e gjyqësorit dhe  t’i japin imazhin e një sektori mjaftë të mbyllur për opinionin!

Të gjitha nivelet e gjykatave, duke filluar nga ai më i larti, niveli suprem, për të vazhduar më ato të qarkut, komunale dhe së fundmi me atë më të ulët,  kundërvajtje, nuk kanë të paktën një zyrtar, tek i cili do të drejtohej publiku ose ndonjë i interesuar për proceset e këtushme.

Në vitin 2007, Këshilli Gjyqësor i Kosovës si organ i cili administron me gjykatat, formoi një zyrë për informim dhe caktoi një zyrtare të vetme për informim për të gjitha gjykatat. Hiç më mirë nuk janë punët as në Prokurori.

Edhe pse shumë gjykata tani funksionojnë në sistemin model, qëllim kryesor i të cilit është transparenca, fatkeqësisht qytetari i Kosovës, vazhdon të hasë në probleme sa i përket informimit për çështjet e nevojshme në gjyqësi, edhe në qofte se të tillat kanë të bëjnë me realizimin e ndonjë të drejte të tij nga gjykata.

Gazetarët janë më të shpeshtit që nuk arrijnë të sigurojnë informatat, duke marrë parasysh procedurat burokratike dhe pengesat procedurale që ka i tërë sistemi. Duhet të kërkojnë nga ndonjë pale e tretë, për të marrë atë që iu intereson, brenda suazave ligjore.

Ndoshta është kulturë e trashëguar e sistemit të kaluar, që gjykatës e prokurorë të mos deklarohen, mirëpo në të kaluarën opinioni të paktën ka ditur se ku të drejtohej, duke e bërë atë tek zëdhënësit në secilën gjykate dhe prokurori.

Fatkeqësisht tani këtë rol e luajnë kryetarët e gjykatave dhe kryeprokurorët. Madje ka prokurorë të cilët më parë “janë të gatshëm të dalin para pushkës, sesa para kamerës” siç shprehen ata, duke treguar edhe njëherë mungesën e gatishmërisë dhe vullnetit për tu deklaruar për çështjet brenda kompetencave të tyre.

Jo sepse infrastruktura ligjore nuk i parasheh zëdhënësit, apo që ligji parash jo deklarimin për çështjet gjyqësore, mirëpo është kultura e trashëguar e këtyre gjykatësve dhe prokurorëve që hezitojnë të deklarohen dhe të japin informacione edhe për temat që parasheh ligji.

Opinioni has në vështirësi po ashtu të sigurojë raportet e punës të cilat do të duhej të ishin publike, dhe të dhënat tjera që këto institucione do të duhej të siguronin për publikun.  Përveç mungesës së kësaj kulture, kemi gjithashtu mungesë profesionalizmi dhe bashkëpunimi nga ana e këtyre institucioneve.

Organizatat e shumta dhe shoqëria civile, vazhdojnë të përballet me shkallën e theksuar të burokracisë së këtyre institucioneve.  Madje kjo ndodhë edhe në rastet kur kërkohen statistika për lëndët  në organet përkatëse si Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Kjo ndodhë edhe nëse shoqëria civile, do të bazohej që hulumtimin e saj, ta bazoje pikërisht mbi të dhënat e nevojshme që do të duhej t’i kishte ky organ.

Konkretisht Këshilli Gjyqësor i Kosovës, nuk posedon statistika për llojet e veprave penale që gjykohen nga gjykatat tona, e që po ashtu nuk posedon as të dhëna për dënimet e shqiptuara për lloje të caktuara të veprave penale për periudhat e caktuara. Shembull nëse ndonjë qytetar, hulumtues ose edhe ndonjë institucion dhe organizatë, do të interesohej se sa dënime janë shqiptuar nga gjykatat e Kosovës për veprën penale vrasje, sa për atë vjedhje apo edhe lëndim trupor për një periudhë të caktuar, do të kishte vështirësi të informohej ose nuk do të informohej fare. Kjo për faktin se Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk posedon statistika konkrete, përkundër se do të duhej t’i kishte.

Pra, edhe nëse do të duhej të bëhej një politikë ndëshkimore dhe të përcillej trendi i krimeve në Kosovë,  kjo nuk mund të sigurohet fatkeqësisht  për shkak mungesës së të dhënave të nevojshme që do të duhej të posedonte ky organ.

Misioni i EULEX, funksioni kryesor i të cilit është sundimi i ligjit, po ashtu është mjaftë i mbyllur sa i përket transparencës. Përveç hezitimit për tu deklaruar për çështjet që kanë në trajtim, EULEX po ashtu nuk është transparent sa i përket të dhënave dhe raporteve të punës. Kjo mbyllje dhe jo transparencë rëndon edhe më tutje situatën edhe ashtu mjaftë jo-transparente në gjyqësorin e Kosovës.

Në anën tjetër, Prokuroria e Kosovës, nivelet e secilës po ashtu kanë vetëm një zëdhënës, ka filluar të lëvizë për të mirë sa i përket publikimit të punës së saj, duke prezantuar raportet çdo tre ose gjashtë muaj. Sidoqoftë, ende mbetët shqetësuese hezitimi i prokurorëve që të deklarohen për opinionin për çështjet brenda kompetencës së tyre.

E gjithë kjo mungesë e transparencës nga institucionet e gjyqësisë që vazhdon ta shoqërojë tutje gjyqësorin tonë, rritë tutje shkallën e burokracisë dhe izolimit të proceseve të rëndësishme nga gjyqësia, duke reflektuar kështu edhe në humbjen e besimit të opinionit.