Zbogar, Shef i BE-së në Kosovë?

Pas rishpalljes së dytë të konkursit për shef të Zyrës së BE-së në Kosovë, duket se më në fund përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Cartherine Ashton, do ta emërojë një diplomat të nivelit të lartë në këtë post që për Bashkimin Evropian thuhet të jetë “ndër më të rëndësishmit në politikën e jashtme”.

Disa burime diplomatike në BE i kanë thënë “Kohës Ditore” se ministri aktual i Jashtëm i Sllovenisë, Samuel Zbogar, është kandidati kryesor për të marrë postin e shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë.

“Ai ka konkurruar, mendojmë se është njohës i mirë i Kosovës dhe i Serbisë, gjatë punës së tij si ministër ka krijuar edhe përvojë shtesë dhe do të jetë një përfaqësues i mirë i BE-së në këtë post mjaft sfidues“, i ka thënë gazetës, një diplomat nga një vend i rëndësishëm i Bashkimit Evropian, duke shprehur bindjen se Baronesha Ashton do ta emërojë pikërisht Zbogarin në këtë post.

Nëse Zbogar emërohet në këtë post, atëherë me pajtimin e vendeve anëtare të BE-së ai pritet të bëhet edhe përfaqësues i posaçëm i BE-së në Kosovë.

Prania e BE-së në Kosovë ende nuk e ka marrë formën e duhur, për shkak të mosnjohjes së Kosovës nga pesë shtete të BE-së . Por tash e sa muaj në Bruksel kërkohet zgjidhje për ta bërë këtë prani më të dukshme dhe më të koordinuar, duke krijuar Zyrën e BE-së në Kosovë.

Kjo zyrë në të ardhmen do t’i bashkonte formalisht ato që sot quhen “Zyra e Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së” dhe “Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë”.