Ligji Nis ‘Trepçën’ Kah Privatizimi

Përkundër mospajtimeve të zëshme mes partnerëve të koalicionit qeverisës, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Koalicionit për Kosovën e Re, Parlamenti miratoi projektligjin për ‘riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë së tyre’ që i hapë udhë privatizimit të gjigandit metalurgjik ‘Trepça’.

Projekti ia kishte nxehur gjakun zëvendëskryeministrit Behxhet Pacolli, i cili kunërshtonte privatizimin e kësaj ndërmarrje. Partneri i vogël në Qeveri ishte shprehur se lëvizja në vendimet për ‘Trepçën’ dhe procesin e privatizimit në përgjithësi do të mund të përcaktonte edhe jetëgjatësinë e marrëveshjes së bashkëqeverisjes. 

Pacolli ka ndarë mendimin se fillimisht në ‘Trepçë’ duhet të investohet dhe të rritet prodhimi, duke e rigjallëruar atë, dhe më pas të mendohet për një formë të Partneritetit Publiko-Privat – gjë që, siç shprehej ai, do të ndihmonte kauzën e punësimit në afat të shkurtër dhe të përfitimit më të madh në të ardhmen.

Ai madje kishte akuzuar partnerët e tij qeveritarë për kontrabandim ligjesh, duke drejtuar gishtin kah ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, i cili e ka sponsorizuar këtë ligj në Qeveri e Parlament dhe i cili sot qëndron në ball të projekteve të privatizimit. 

Mirëpo, ligji u miratua nga mazhoranca ndërsa Pacolli gjendej në vizitën e nivelit të lartë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në një ekip me Presidenten Atifete Jahjaga dhe Kryeministrin Hashim Thaçi.

Vend të veçantë në ligj zë administratori i ndërmarrjes, të cilin rol do ta luaj Agjencia Kosovare e Privatizimit, AKP. Sipas nenit 17 të ligjit, Agjencia do të shërbejë në kapacitetin e administratorit gjatë tërë procesit të riorganizimit. 

Minatoret ne Stan Terg

Megjithatë, për disa veprime të administratorit kërkohet edhe miratimi i gjykatës, si në rastin e shitjes, tjetërsimit, bartjes ose dhënies me qira të pronës së ndërmarrjes, si tërësi apo pjesërisht, përfshirë çfarëdo bartjesh për përmbushjen e detyrimeve ekzistuese mbi vlerën prej njëqindmijë (100,000) euro, ose në rast të dhënies me qira të pronës, pagesave të qirasë mbi vlerën prej dhjetëmijë (10,000) Euro në muaj etj. 

Administratori po ashtu mund të marrë kredi të pagarantuar gjatë veprimtarisë së rregullt afariste të ndërmarrjes. Kjo kredi duhet të miratohet nga gjykata dhe në rast të miratimit do të konsiderohet kërkesë për shpenzime administrative dhe do të paguhet në pajtim me prioritetet e përcaktuara në nenet tjera të ligjit. 

Po ashtu, administratori ka të drejtë të emërojë ndonjë agjent për të kryer afarizmin e nevojshëm të ndërmarrjes që vet nuk është në gjendje ta kryej ose që agjenti mund ta bëjë më mirë si edhe të bëjë sigurimin, përfundimin ose ruajtjen e kontratave të sigurimit lidhur me biznesin dhe pronën e ndërmarrjes. Normalisht, administratori ngarkohet edhe më punësimin ose përjashtimin e punëtorëve.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj thoshte se është duke u punuar që Qeveria e Kosovës të jetë aksionari kryesor në Trepçë, pasi që siç thotë ai, ajo ka investuar mbi 100 milionë euro në këtë ndërmarrje.

“Jemi duke punuar që Qeveria e Kosovës të jetë aksionari kryesor në Trepçë për shkak të investimeve që kanë ndodhur aty deri më tash, të cilat e kalojnë shifrën prej mbi 100 milionë euro”, ka thënë Beqaj.

Në lidhje me pretendimet e kreditorëve të ndryshëm, sidomos nga Greqia dhe Serbia, për investime dhjetëra milionëshe në këtë ndërmarrje gjatë viteve të 90-ta, Beqaj sqaron se para se gjithash, sipas ligjit, duhet të shikohet se a është kreditor i kualifikuar apo jo.

“Kualifikohet nëse kreditimi ka ndodhur kur Kosova ka pasur juridiksion në këtë ndërmarrje, ndërsa nuk mund të kualifikohet nëse kreditimi ka ndodhë kur Kosova nuk ka pasur kurrfarë juridiksioni në këtë ndërmarrje”.

Në anën tjetër, shefja e grupit parlamentar e Koalicionit për Kosovën e Re, Myzejene Selmani, thotë se ideja e këtij koalicioni është që nga “Trepça” të krijohet një ndërmarrje e re, e cila mund të josh shumë investitorë, ta rris prodhimin dhe pasi t’i rritet vlera të shkohet me Partneritet Publiko-Privat.

Ajo akuzon ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqajn, se ka për qëllim që këtë ndërmarrje ta çoj shpejtë e shpejtë në privatizim dhe të shitet me një vlerë më të ulët.

“Qëllimi i Beqajt është që Trepça të dërgohet menjëherë në privatizim dhe të shitet me një çmim më të ulët”, thotë Selmani.

Sipas saj, “Trepça” nuk mund të shpallet ndërmarrje me interes të veçantë, sepse, siç thotë ajo, është nën administrim të AKP-së. “Nuk e di kush po e këshillon kaq keq ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqajn, për Trepçën”, shprehet ajo.

Selmani shton se kjo ndërmarrje duhet të hyjë në berza botërore dhe të regjistrohet si ndërmarrje e re me seli në Londër. 

“Me këtë ide, z.Pacolli synon që kreditorët eventualë mos të mund të nxjerrin asnjë cent nga Trepça, pasi që siç dihet kanë pretendime të mëdha financiare për investime aty”, pohon ajo. 

Menaxheri i Trepçës, Ferat Shala, pajtohet që Qeveria të ketë shumicën e aksioneve në ndërmarrjen që e drejton ai dhe më pas t’i nënshtrohet një procesi të partneritetit publiko-privat.

“Duhet të dihet pronari i Trepçës. Kjo çështje është e rregulluar edhe me Kushtetutën e vendit ku flitet për mineralet, prandaj Qeveria duhet të jetë aksionari kryesor në ndërmarrje”, ka nënvizuar Shala.

Sa i përketë kërkesave të kreditorëve, Shala thotë se këta të fundit duhet t’i nënshtrohen një procesi transparent gjyqësor.  

Gjatë gjithë veprimtarisë minerare prej 70 vitesh, nga vendburimi i “Trepçës” janë nxjerrë 35 milionë tonë xehe. Aktivitete minerare janë zhvilluar nga sipërfaqja e deri në 745 metra thellësi. 

Nga viti 1945 deri më 1990 mesatarja e prodhimit vjetor ka qenë përafërsisht 580,000 tonë xehe. Viti me prodhimtari më të lartë prej 704,000 tonë ka qenë viti 1984. Vlen të përmendet se derisa prodhimtaria e xehes është rritur përmbajtja e plumbit e zinkut është zvogëluar.

Pas përgatitjes së bazës ligjore, sipas Ministrit Beqaj, i mbetet AKP-së të vendos se si të vazhdojë më tutje me këtë ndërmarrje. 

“Të investohet në teknologji nga buxheti i Kosovës dhe të rritet prodhimi, për shkak të kërkesës së madhe për xehe në tregun ndërkombëtar, ose ta privatizojë ndërmarrjen”, nënvizon ministri i Zhvillimit Ekonomik.