Reliktet e Harruara

Pothuaj se saktësisht 20 vjet më parë, më 25 qershor, 1991, Sllovenia dhe Kroacia e shpallën pavarësinë, dhe kështu ra kombi i “vëllazërim-bashkimit” – huazim nga slogani i kohës së Komunizmit për federatën Jugosllave.

Sot, kujtimet e Jugosllavisë po zbehen, dhe monumentet e ndërtuara nga, apo për diktatorin karizmatik, Josip Broz Tito, janë harruar.

Secili spomenik, apo monument, në gjuhën Sllave, është përkujtues për trashëgiminë e komplikuar të harmonisë etnike, prosperitetit, represionit dhe së fundmi dështimit kataklizmatik të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, RSFJ.

Tito, i cili e udhëhoqi Jugosllavinë nga viti 1945 deri sa vdiq më 1980, autorizoi monumente nëpër tërë vendin menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore për Luftëtarët Partizanë më të nderuar, heronjtë Komunistë dhe vetë Titon. Në ditët e sotme pakkush i viziton ato.

Të vendosura në qytete dhe fshatra nëpër tërë ish-Jugosllavinë, mijëra monumente gjigante mbesin të braktisura, duke e humbur domethënien e tyre origjinale nga më parë. Republika e mëparshme tash është bërë një mozaik nga shtatë shtete të pavarura, dhe identitetet e reja kombëtare e kanë zëvendësuar lojalitetin e vjetër kolektiv.

“Njerëzit nuk i duan monumentet. Ata nuk i kanë shumë për qejf dhe ideologjia të cilën e përfaqësojnë nuk ka kuptim për shtetet e reja në Ballkan”, thotë Jan Kempenaers, një fotograf Belg i cili i ka vizituar këto relikte për më shumë se një dekadë. Libri i tij, Spomenik, e hulumton kuptimin e tyre përmes 25 monumenteve të ndryshme.
Shumë nga to është gjithashtu vështirë të gjinden.

“Ata shpesh herë janë të vendosur aq thellë në male sa vetëm njerëzit të cilët jetojnë aty e dinë si mund të gjinden dhe si të arrihet deri atje, kështu që vendasit është dashur të më ndihmojnë për ti gjetur shtigjet deri te monumentet e braktisura” thotë  Kempenaers.

Shumica janë të braktisur dhe nuk janë të mbrojtur si trashëgimi kulturore. Ata përfshijnë forma të syve me krahë nga teli, lule gjigante dhe UFO nga betoni. Materiali i zgjedhur: beton brut. Ky beton i përforcuar ishte i preferuar për shkak të forcës dhe fleksibilitetit të tij.

Tito gjithashtu i zgjidhte me kujdes disenjatorët e braktisur për ti krijuar këta gjigantë, përkujtimore nga betoni.

Angela Franz duke shkruar për revistën Gjermane Der Spiegel, e veçon Dusan Dzemonja, një skulptor të njohur i cili e krijoi “Spomenik Revolucije,” i cili ngrihet si sy gjigant me krahë në fushëbetejën afër qytetit kroat Podgaric Berek.

Franz e përmend gjithashtu edhe Vojin Bakic-in, i cili e dizajnoi spomenik-un e mbinatyrshëm në Petrova Gora, ku ishte i vendosur spitali fushor kryesor i Partizanëve, dhe Bogdan Bogdanovic-in, i cili e krijoi “Lulen e Gurit” në kampin e përqendrimit të Luftës së II Botërore në Jasenovac.    

“Gjysma e shokëve të mi të klasës vdiqën në luftë, gjysma tjetër luftoi kundër njëri-tjetrit, duke qenë Komunist ose anti-Komunist”, tha Bogdanovic në “Qarku i Kujtesës” një dokumentar i vitit 2007 nga arkitekti Italian Andrea Rossini. “Unë vetëm mund të them  këtë: … E kam parë, e kam jetuar, dhe nuk e kam kuptuar,” shtoi ai.

Bogdanovic, i cili vdiq në Vjenë vitin e kaluar, e mendoi lulen e tij të bërë nga çimentoja si simbol të paqes.

Kujtime të zgjedhura:

Wolfgang Höpken, profesor i Historisë Evropiane Lindore dhe Jug-lindore në Universitetin e Leipzig-ut, e vendos indiferencën e popullarizuar ndaj monumenteve në faktin se ato përfaqësojnë vetëm versionin Partizan të historisë. Ato janë shumë selektive, duke lënë anash shumë të tjerë që morën pjesë në luftë.

“Këto monumente janë kujtime institucionale, dhe përfaqësojnë vetëm kujtimet e ndërtuara nga shteti, e jo kujtimet individuale”, tha Höpken në një konferencë të organizuar nga Osservatiori sui Balcani me bazë në Itali. “Ato ishin të selektive dhe shumë të njëanshme, dhe ishin krijuar nga pozicioni i fituesit, duke i përjashtuar të gjithë të tjerët që nuk ishin të përfshirë drejtpërdrejtë në luftën e Partizanëve.”

Por në “Qarku i Kujtimeve,” Rossini merr një pozicion më të nuancuar. Ai argumenton se këto monumente kontribuan diçka për kujtesën kolektive të Luftës së II Botërore në Jugosllavi.

“Të liruar nga dogmat e estetikës Staliniste, artistët si Dusan Dzemonja, Bogdan Bogdanovic dhe Milodrag Zivkovic krijuan monumente të jashtëzakonshme të cilat janë bërë vende të kujtesës së regjimit Komunist që i ka ndërtuar,” thotë ai.

Lulja e Jasenovac-it

Monumenti i krijuar nga arkitekti Bogdan Bogdanovic u zbulua solemnisht në vitin 1966 në vendin ku qeveria Fashiste e Kroacisë në Luftën së II Botërore kishte një kamp asgjësimi për Serbët, Çifutët, Romët dhe disidentët politik.

Lulja e Jasenovcit

Lulja e Jasenovcit, foto nga Osservatorio Balcani e Caucaso

 

 

Pas hapjes së muzeut në vitin 1968, Jasenovac-i u shpall qendër Memoriale. Gjatë luftë së 1990-tave monumenti u dëmtua dhe u plaçkit muzeu.

Por memoriali u rihap në vitin 2004 pas riparimit të “Lules” dhe meremetimit të muzeut.

Ueb faqja e Memorialit: www.jusp-jasenovac.hr

‘Kështjella’ e Mrakovica-s

Kozara, Bosnja dhe Hercegovina

Monumenti, i dizajnuar nga arkitekti Dusan Dzamonja, u zbulua solemnisht në malin Mrakovica në vitin 1972 në kujtim të njërës nga episodet më tragjike të Luftës së Dytë Botërore.

Në Kozara pas një rrethimi të gjatë, mijëra partizanë dhe civilë humbën jetën në duart e trupave Naziste të përkrahur nga Ustashët. Të gjithë të mbijetuarit vdiqën në Jasenovac, ku ishin internuar.

 

Monumenti i Kështjellës së Mrakovicës

Monumenti i Kështjellës së Mrakovicës, foto nga Osservatorio Balcani e Caucaso

‘Kështjella’ ishte ndërtuar në Parkun Kombëtar të Kozara-s që ndodhet në veri-perëndim të Bosnjës dhe Hercegovinës, afër lumenjve Una, Savam Sana, dhe Vrbas.

Qendra Memoriale ishte vend i dhunës së re gjatë luftës së viteve të 1990-ta dhe sot është në gjendje të harresës. Falë donacioneve të huaja, muzeu është momentalisht duke u rinovuar.

Ueb faqja e Parkut: www.npkozara.com

‘Shtyllat’ e Sutjeska-s

Sutjeska, Bosnja dhe Hercegovina

I dizajnuar nga skulptori Miodrag Zivkovic, monumenti u zbulua solemnisht në vitin 1971 në vendin e njërës nga luftimet më të përgjakshme në mes të Forcave Axis dhe Armatës Nacional Çlirimtare të Jugosllavisë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Memoriali është themeluar në Parkun Nacional Sutjeska, duke përfshirë komunat e Foca-s dhe Gacko-s në Bosnje dhe Hercegovinë.

Monumenti i Sutjeskës
Monumenti i Sutjeskës, foto nga Osservatorio Balcan e Caucaso

 

I lënë pas dore gjatë luftës së 1990-tave eshte rihapur në gusht 1996 sipas vendimit të autoriteteve të Republika Serpskes (B&H).

 

Monumentet Jugosllave po injorohen në Prishtinë

 

Simboli i kombeve të bashkuara Sllave në Jugosllavinë e Titos kurrë nuk është pranuar tërësisht në Prishtinë.

Vendorët kryesisht i injorojnë dy monumentet komuniste në kryeqytetin e Kosovës. Monumenti i cili nderon ata te cilët kanë luftuar për Partizanët është i dukshëm në mospërfshirjen e luftëtarëve shqiptarë, thekson Emin Salihu, historian në Institutin e Mbrojtjes së Monumenteve Kosovare.

Daton qe nga viti 1960, është i vendosur në afërsi të varrit të Ibrahim Rugovës, presidentit të parë te Kosovës
 
Prandaj, ekzistimi i këtyre simboleve ka shqetësuar shumë shqiptarë, posaçërisht ata të cilët nuk ndjejnë nostalgji për Jugosllavinë, tha Salihu.

Ne qendër te Prishtinës, “Bashkim Vëllazërimi” i vitit 1957 qëndron si simbol lapidar i motos së Jugosllavisë së Titos, në një vend ku harmonia etnike ka qenë e zbehur.

Monumenti 'Bashkim Vëllazërimi' në Prishtinë

Monumenti ‘Bashkim Vëllazërimi’ në Prishtinë, foto nga Shengjyl Osmani

“Ideologjia e monumentit të ‘Bashkim Vëllazërimit’ e shpërndarë në kohën e Jugosllavisë ku Serbët, Malaziasit dhe Shqiptarët nuk kanë qenë kurrë të mireseardhur nga asnjëra nga palët,” thekson Haxhi Mehmetaj, Drejtues i Institutit për Monumente dhe Muzeut Regjional të Prishtinës.

Që të dyja, memoriali i luftës dhe “Bashkim Vëllazërimi” i kanë shpëtuar demolimit përgjatë viteve por ato nuk janë të mbrojtura.

Mehmetaj thotë që kjo ka kuptim sepse shumica e Kosovarëve kurrë nuk e kanë përkrahë krijimin e tyre fillimisht.

Dhe Salihu thotë që Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës nuk ka plane t’i mbroj këto monumente ose t’i mirëmbajë ato për atë arsye.

Ky artikull është botuar më herët në BIRN në gjuhën angleze, më 16 qershor 2011.