Dramaturgët e Rinj Kosovar Dështojnë në Marrjen e Vëmendjes

Dramaturgia fituese e çmimit, Dituri Neziraj, është si shumica e kolegëve të saj dramaturgë në Kosovë: e papunë dhe e zhgënjyer me gjendjen në të cilën është teatri në vendin e saj. “Dramaturgët e rinj sot janë kamerierë ose punojnë në fusha të cilat nuk kanë të bëjnë asgjë me profesionin e tyre”, thotë ajo me keqardhje.

“Pasi i përfundova studimet e mija Master në dramë, më është dashur të kërkojë profesion tjetër. Për një kohë të shkurtër punova si gazetare dhe tash jam e papunë, si shumica e kolegëve të mi”, shton ajo.

Drama për fëmijë e Nezirajt, Unë, Ti dhe Dedushi, arriti në skenën e Teatrit Kombëtar pasi që fitoi në garën kombëtare për talentet e rinj. Por që atëherë, teatri nuk ka treguar interesim për punën e saj.

Së paku Neziraj e ka paraqitur njërin nga punimet e saj. Shumica e shkrimtarëve të tjerë nuk arrijnë t’i shohin punimet e tyre në skenë.

Teatri Kombëtar, një ndërtesë e vrazhdë e kohës së Komunizmit në Bulevardin Nëna Terezë të Prishtinës, organizon vetëm një garë në vit për shkrimtarët e rinj, garë e quajtur sipas aktores së mirënjohur Katarina Josipi.

Shumicën e kohës teatri e paraqet punën e shkrimtarëve ndërkombëtarë si Tom Stoppard dhe Eugene Ionesco, të përkthyer në gjuhën shqipe. Shkrimtari Mehmet Kraja thotë se teatrot e shtetit vuajnë nga menaxhmenti pa imagjinatë.

“Teatri duhet ta ndryshojë kulturën e tij, por momentalisht kjo është e pamundur duke pas parasysh njerëzit që i menaxhojnë teatrot e Kosovës”, thotë ai.

“Teatrot e Kosovës nuk janë institucione kulturore me programe dhe politika kulturore të hartuara”, shton ai.
“Teatrot e Kosovës nuk bëjnë performanca më, ata bëjnë gjepura”.

Ai e akuzon në veçanti Teatrin Kombëtar për injorimin e “shkrimtarëve të mëdhenjë” të shtetit  për t’u koncentruar në përkthimet dhe skenat e dobëta të dramave të huaja.

Dramaturgu i njohur, Ekrem Kryeziu, i cili është profesor në Akademinë e arteve, pajtohet se teatri mbetet art i margjinalizuar në Kosovë.

Por, ai beson se kjo është rezultat i mungesës së fondeve dhe se nuk është vetëm problem i menaxhmentit të dobët. “Seksioni i dramës në Fakultetin e Arteve ka nxjerrë autorë shumë të mirë, emra me të cilët krenohemi”, tha Kryeziu. “Por dramaturgët e rinj përkrahen shumë pak”, shton ai.
“Teatri Kombëtar i Kosovës nuk i hap dyert për ta, që më bën të konkludoj se drama në Kosovë menaxhohet keq”, vazhdon ai.

Madje edhe çmimi Katarina Josipi vije si ofendim, pasi që, siç thotë dramaturgu, shumë shpesh përdoret për të promovuar drama “pa vlera”.

Burbuqe Berisha, drejtoreshë e Teatrit Kombëtar, i hedh poshtë këto kritika, duke argumentuar se çmimi Katarina Josipi është sukses i madh në promovimin e dramës në gjuhën shqipe.

Juria është profesionale dhe e zgjedh dramën më të mirë, tha ajo, e cila pastaj me përkrahjen e teatrit prodhohet për skenë.

Ajo pranon se dramaturgët e rinj nuk po marrin vëmendje të mjaftueshme në Kosovë por thotë se kjo varet nga qeveria e cila duhet të ndajë më shumë fonde për dramë/

Jeton Neziraj, drejtor artistik i Teatrit Kombëtar pajtohet; dështimi i qeverisë për të investuar në teatër është pjesa kryesore e problemit.

“Së paku Teatri Kombëtar në Prishtinë ka arritur ta menaxhojë veten, por teatrot tjera janë në krizë të thellë si rezultat i mos-investimit në ta”, tha Neziraj.

Teatrot provincial të Kosovës në Pejë, Gjakovë, Gjilan dhe qytete tjera janë virtualisht të papërdorshëm. Pas vitesh neglizhence, ata përdoren kryesisht për takime politike gjatë zgjedhjeve.

Ministria e Kulturës i jep Teatrit Kombëtar 230,000 në vit, sipas Shasivar Haxhisë, këshilltar në ministri.

Ai tha se ministria shpresonte ta ngritë buxhetin për vitin tjetër por shtoi se teatrot jashtë Prishtinës janë përgjegjësi e komunave lokale, kështu që nuk mund të presin të pranojnë fonde nga qeveria qendrore, përveç për disa projekte specifike.

Neziraj tha se financimi momental është “skandaloz”. “Ne nuk mund t’i mbulojmë të gjitha shpenzimet me këtë shumë, kjo është e pamundur”. Ai shtoi se nuk ka pasur shtim të buxhetit gjatë viteve të fundit, vetëm premtime.

Dy teatro private në Prishtinë, teatri Oda dhe Dodona, kanë shfaqje të shkruara në gjuhën shqipe, por këto janë rrallë herë punë e dramaturgëve të rinj.

Agim Selimi, drejtor i teatrit Dodona, tha se teatri i tij është vendi i vetëm për promovimin e shkrimtarëve të rinj, por se ai ka problem për shkak të mungesës së përkrahjes financiare nga qeveria, duke u mbështetur vetëm në biletat që shiten.

Në ndërkohë, disa nga aktorët dhe dramaturgët e formuar, thonë se është detyrë e të rinjve ta prezantojnë veten dhe të sjellin ndryshime në botën e dramës shqipe në Kosovë, në vend se vetëm të ankohen.

Aktorja Melihate Qena thotë se ajo brengoset kur dëgjon për dramaturgë të rinj të pushtuar nga problemet që kanë të bëjnë me të hollat.

“Drama duhet të jetë diçka që kërkohet nga shpirti, ashtu që nuk mund të jetosh pa shkrim” thotë Qena, “por disa e kanë marrë këtë punë vetëm për përfitim dhe nuk janë në të vërtetë të interesuar për dramë.”

Arian Krasniqi, dramaturg dhe drejtor i mëparshëm i Teatrit Kombëtar, tha se shpreson që gjenerata e re e dramaturgëve do të lë gjurmë dhe kështu të sjellë “një kthesë në shkrimin dhe promovimin e dramës shqipe te ne dhe jashtë vendit”.

Ky artikull është botuar më herët në BIRN në gjuhën angleze, më 7 shtator 2011.