Zykije Bytyqi varroset në vendlindje

Vajza nga Kosova, e vrarë në Kabul të Afganistanit, u varros të dielën në vendlindje. Kufoma e Zykije Bytyqit, dy javë pas vrasjes, u kthye në Kosovë. Ajo punonte në një kompani për llogari të ushtrisë amerikane.

Shumë njerëz ishin mbledhur në shtëpinë e saj në Ferizaj për t’i dhënë lamtumirën e fundit. Në varrim kishin ardhur edhe koleget e punës nga kampi amerikan Bondsteel, shkruan gazeta Express.

Vjollca Selimi, e cila ka evokuar kujtime nga jeta e Zykijes, e cila vdiq në moshën 35-vjeçare, e përshkroi atë si një vajzë të sinqertë me karakter të fortë dhe e dashur për familjen.

Zykija për herë të fundit ishte në shtëpi për pushime më 22 tetor. Pas shtatë ditësh më 29 tetor ka ndodhur sulmi në Kabul. Ajo punonte në bazën amerikane si kryekuzhiniere. Bashkë me Zykien u vranë edhe 16 njerëz të tjerë, ushtarë e civilë që punonin për kompanitë e kontraktuara nga ushtria amerikane.

Zykia më parë kishte punuar në Kampin “Bondsteel”, ndërsa nuk i kishte bërë ende një vit të plotë, prej se kishte shkuar në Afganistan.