Arma Ishte e Ministrit Beqaj

Në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës nuk lejohet që as vet bartësi i kësaj përgjegjësie të shkojë me armë, sipas kritereve të sigurisë. Por javën e kaluar aty ndodhi një shkrepje me armë zjarri e cila del të jetë pronë e Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj.

Beqaj, i cili bart armë me leje të lëshuar nga Ministria e Brendshme, kishte shkuar për një takim me eprorin e tij Kryeministrin Hashim Thaçi, të mërkurën më 9 nëntor.

Revolen e tij, Glok 9×19, e mbante pjesëtari i sigurimit të tij Besart Metaj, i lindur më 16 shkurt 1988, kur ajo kishte shkrepur. Burime të sigurta të Gazetës Jeta në Kosovë në Prokurorinë e Shtetit kanë treguar se kështu kishte deklaruar vet shkrepësi Metaj.

Ngjarja kishte ndodhur në orën 11:27 minuta, por rasti ishte lajmëruar vetëm në orën 14:20 të ditës në polici, tri orë më vonë. Shpjegime nuk janë dhënë se përse është vonuar lajmërimi dhe ndërkohë në vendin e ngjarjes nuk janë gjetur as gëzhoja e plumbit dhe as predha.

Kur hetuesit policorë kishin mbërritur në vendin e ngjarjes, atyre iu kërkua t’i lënë armët në armëtore, në katin e partë të ndërtesës së Qeverisë, por këta të fundit nuk lejuan meqë veç kishte pasur shkrepje më herët.

Sipas të njëjtave burime, Besart Metaj ishte paraqitur prapë në stacionin policor rreth orën 19:00 të asaj dite. Roja kishte thënë se vinte pasi kishte folur me zyrën e Ministrit dhe Zyrën e Kryeministrit dhe donte të thoshte të vërtetën. Sipas versionit të ri, arma ishte TT-am 57.762 mm, pronë e Halil Sopit, i lindur më 10 shkurt 1966, edhe ai truprojë e Ministrit Besim Beqaj. Metaj kishte me vete atë armë, shtatë fishekë dhe një gëzhojë.

Ai kishte thënë në polici se dëshminë e rrejshme të mëhershme e kishte bërë me shpresën se po të thuhej se arma ishte e ministrit, rasti nuk do të hapej për hetim në polici.

Sipas deklaratës së Metajt, shkrepja kishte ardhur derisa ai po shkarkonte karikatorin e armës.

Prokurori kujdestar Feti Tunuzliu kishte autorizuar atë ditë hetime në lidhje me shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, deklarim të rrejshëm dhe armëmbajtje pa leje.

Më vonë, ishin suspenduar kapiteni Ilmi Kqiku, shef i sigurimit të Qeverisë dhe Parlamentit, si dhe Halil Sopi, truproja tjetër e Ministrit.

Këshilltari i Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Gëzim Baxhaku, e ka konfirmuar të dielën në mbrëmje për Gazetën Jeta në Kosovë se një “shkrepje pa dashje e armës zyrtare të vozitësit dhe  truprojës së ministrit kishte ndodhur”.

“ Për këtë rast është njoftuar policia, zyrtari (Metaj) ka dhënë deklaratë në polici”, ka shtuar ai. “Pas këtij rasti Ministri Beqaj e ka suspenduar vozitësin/ truprojën e vet (Hotin) dhe është hapur procedura disiplinore ndaj tij. Ministri Beqaj sikurse edhe të gjithë ministrat tjerë ka dy vozitës të cilët njëkohësisht kanë edhe detyrën e truprojës së ministrit”.

Agron Borovci, zëdhënës i Policisë për Rajonin e Prishtinës, nuk ka mundur ta konfirmojë këtë rast të dielën në mbrëmje.

Autoritetet thonë se të gjitha rregullat e sigurisë janë shkelur me rastin e shkrepjes dhe hyrjes së ndaluar me armë si dhe dyshojnë se shkrepje nga arma e ministrit Beqaj po tentohet të fshihet.