Kërkojnë Mjekim Në Beograd

Ora shënon gati 22 e 30. Gjersa pret para autobusit që çdo natë niset nga Prishtina për në Beograd, burri me mustaqe të thinjura, sjell paska me dorën e majtë nyjën e kravatës që e kishte lidhë më shtrënguar se ç’duhet. Gishtërinjtë i kishin marrë ngjyrë tjetër nga tymosja e njëpasnjëshme e cigareve.

Autobusi rrinte ndezur dhe shoferi mbante edhe për një çast derën hapur në konsideratë për duhanxhiun, në pritje të nisjes për kryeqytetin serb, pastaj këpuca e zezë me maje rëndoi për një çast mbi cigaren që u la në gjysmë e u shua mbi asfalt.

Mund të ndodhë se ai ishte njeriu më miqësor në autobus. I njohur edhe për shoferin, edhe për konduktorin.
“Më vjen keq F…, por na duhet të ikim …”, i thoshte klientit të tij, shoferi i kompanisë “Fjolla” që kishte para vetës një natë të tërë rrugë.

Udhëtari pati mirëkuptim. “Hajde se në Merdar na pret mjaft pushim, atje e ndez tjetrën hiq pa problem. Zaten, ra kjo cigare e unë jam këtu …”, i thoshte udhëtari shoferit, duke aluduar në sëmundjen e tij që e detyron ta vizitojë Beogradin shpesh.

F.I. është pensionuar vetëm para pak muajsh. Ai ka punuar në një ndërmarrje në Prishtinë që është marrë me mobilie, kurse vuan nga një sëmundje e veshkave. Por, thotë se hiq punët më mirë nuk i ka edhe me mushkëritë.

Ka disa muaj që ai ka filluar të mjekohet në Kliniken Spitalore të Beogradit.

Atje ka qëndruar i hospitalizuar mbi dhjetë ditën pranverë. E tash, pas trajtimit hospitalor, shkon atje për kontrolle, një herë në muaj. 

“Më solli ky duhan buzë vdekjes. Dhe s’po mundem me lanë. Kam probleme serioze me veshkat. Por, ja që shpëtova edhe një herë…”.

Ai ishte trajtuar tek disa klinika në Kosovë. Ishte bërë për dializë, ndonëse diagnozën nuk ia kishin gjetur. Por thotë se trajtimi në Klinikën Universitare të Beogradit ia ka shtyrë edhe për një kohë jetën.

Tash, F.I. kur shkon për kontrolle, e vëren se është më mirë. Por, edhe në Beograd mjekët e kanë njoftuar se duhet që të qëndrojë një kohë të gjatë me terapi.

E megjithëse raportet politike mes dy vendeve nuk janë të mira, sëmundja është ajo që i detyron kosovarët që mjekim të kërkojnë edhe në spitalet e Serbisë.
“Këtu mjekët tanë janë të kufizuar të kryejnë intervenime. Ka edhe në Kosovë mjekë që kanë potenciale, por nuk kanë kushte pune për diagnostikë. Thjesht, këtu s’ka sistem. E sistemin duhet ta bëj Qeveria, e jo mjekët”, thotë kosovari F.I., gjersa ndërron kartelën e telefonit, posa autobusi futet në Serbi.

Bashkim Hisari, është një qytetar tjetër, që nga Kosova për mjekim ka shkuar në Serbi, në fund të janarit të këtij viti.

Ai thotë se arsyeja që ka shkuar ai nga Kosova për trajtim në Klinikën e Zemunit në Beograd ka qenë sjellja e mjekëve në Kosovë, por edhe procedurat e lodhshme.

“Janë disa mjekë këtu në Kosovë që nuk e kryejnë detyrën e tyre humane dhe kërkojnë para, zvarrisin punë….”, thotë Hisari. Ai nuk dyshon në profesionalizmin e mjekëve të Kosovës. Por, thotë se mjekët në Beograd gjatë trajtimit të tij kanë dëshmuar se kanë më tepër përvojë dhe kanë mundësi shumë më të mëdha për trajtim.

Hisari, edhe pse shqiptar, thotë se gjatë trajtimit të tij mjekësor në Beograd nuk ka vërejtur asnjë diskriminim. “Kam pasur një trajtim të mirë dhe kam qenë jashtëzakonisht i kënaqur edhe gjatë përgatitjes për operacion edhe pas operacionit”.

Ajo shton se nuk ka pasur asnjëherë ndonjë problem sigurie ose diçka të ngjashme.

Në anën tjetër, as institucionet e Republikës së Kosovës e as ato të Serbisë nuk kanë të dhëna të sakta për numrin e pacientëve që nga Kosova shkojnë për trajtim mjekësor në qytetet e Serbisë.

Drago Jovanoviq, zëdhënës i Qendrës Klinike Spitalore në Beograd, sqaron se ka shumë pacientë nga Kosova që trajtohen në Serbi.

Por, ai thotë se nuk mund të ofrojë statistika se sa njerëz nga Kosova trajtohen në klinikën ku ai punon.

I pyetur për pagesat që duhet bërë atje, ai thotë se nëse pacienti shkon si rast Emergjent, trajtohet pa pagesë nga stafi i Qendrës Spitalore. Ndryshe, nëse kosovarët kanë libreza shëndetësore të vërtetuara në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore të Serbisë, sipas Jovanoviqit, trajtohen si qytetarë të Serbisë. Duhet bërë vetëm një participim të vogël.

foto
Foto: SXC

E zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë së Serbisë, nuk kanë pranuar të flasin për mediat e Kosovës. Varësisht përpjekjeve të ekipit të “Jetës në Kosovë” për t’u takuar me zëdhënësen e Ministrisë së Shëndetësisë, Tina Anicic, ajo ka refuzuar një gjë të tillë.

Në anën tjetër, Faik Hoti, Drejtor i zyrës për informim në Ministri të Shëndetësisë në Kosovë, thotë se në mënyrë institucionale nuk ka pasur nisma mes dy shteteve për asnjë lloj bashkëpunimi.

Sipas Hotit, ka pasur raste individuale që pacientët kanë sjellë faturat sa mund të kushtojë shërbimi në Serbi. Mirëpo, Ministria e Shëndetësisë nuk ka dërguar asnjë pacient për trajtim në Serbi.