Samiti i Beogradit ishte një ushtrim nostalgjie

Për dy ditë të plota, Beogradi rikujtoi ditët e mira të së kaluarës. Më 5 dhe 6 shtator qyteti ishte qendra e një konference ministrore të Lëvizjes së Pa-Inkuadrimit, e cila mirëpriti qindra delegatë: ministra të jashtëm, zëvendësministra, sekretarë shteti, të dërguar të posaçëm, ambasadorë dhe zyrtarë tjerë. Ndalimet e trafikut në zonën e parlamentit ishin rikujtim i një epoke të lënë prapa.

Përfaqësuesit e 118 shteteve të Pa-inkuadrimit, 16 shteteve vëzhguese dhe delegacioneve vëzhguese të nëntë organizatave ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Kombet e Bashkuara, ishin në Beograd në nder të 50 vjetorit të themelimit të Lëvizjes së Painkuadrimit, LMI, e cila zyrtarisht ishte themeluar këtu nga tre të përkushtuarit e “Botës së Tretë”: Tito i Jugosllavisë, Nehru i Indisë dhe Naseri i Egjiptit.

Beogradi atëherë ishte kryeqytet i Jugosllavisë, shteti i cili pas tre dekadash u tret në pluhurin e historisë. Sot është vetëm kryeqytet i Serbisë, njërit prej gjashtë [apo shtatë, nëse llogarisim edhe Kosovën) shteteve pasardhëse. Vetë LMI’ja është kujtim i lashtë i Luftës së Ftohtë të mbaruar që moti.

Serbia as që është anëtare e Lëvizjes sëPa-inkuadrimit por vetëm shtet vëzhgues, sikurse të gjitha republikat tjera jugosllave. Ajo synon të hyjë në Bashkimin Europian, por ky cak është vite larg. Ndërkohë, vendi po përpiqet të këndellë veten lidhur me shkëputjen e provincës së saj jugore, Kosovës, shkëputja dhe pavarësia e së cilës është njohur nga fuqitë e mëdha perëndimore. Politika e jashtme e Serbisë është ndonjëherë konfuze: në vend se të kërkojë aleatë të fortë në BE, ajo humbet kohë me Rusinë dhe Kinën, duke i parë ata si mbrojtës të interesit të saj kombëtar pranë organeve ndërkombëtare.
Atëherë, pse liderët e Serbisë deshën të shtrojnë një tubim madhor të LMI’së?

Për ta portretizuar Serbinë si shtetin më të rëndësishëm trashëgimtar të Jugosllavisë? Për t’u shtirur për një kohë se ajo ende ka peshë ndërkombëtare? Për të shfrytëzuar këtë rast për të lobuar më shumë kundër Kosovës? Për të përfituar ekonomikisht duke hapur dyert e tregtisë me shtetet e LMI’së? Përgjigja është: të gjitha më lartë. Pas një serie keq-llogaritjesh dhe humbjesh diplomatike, mos-kthimi mbrapsht i vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare lidhur me atë se shkëputja e Kosovës nuk ishte në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar – që shënoi humbjen më të madhe nga të gjithat, Beogradit i duhej diçka për të ngritur pak vetëbesimin.

Në këtë aspekt, të qenit nikoqir i njërit prej tubimeve më të mëdha ndërkombëtare kishte një qëllim. Ndonëse Kosova nuk ishte pjesë e agjendës, janë bërë përpjekje që të pengohet njohja e Kosovës, gjë e cila ka marrë hov më të madh kohëve të fundit. Deri në fillim të shtatorit, 81 shtete e kanë njohur atë, ku 32 prej tyre janë shtete të Lëvizjes së Mos-Inkuadrimit.
Ndonëse Agjencioni i Serbisë për Promovim të Investimit dhe Eksportit – Dhoma Ekonomike e Serbisë si dhe 15 kompani tjera të mëdha paraqitën prezantimet e potencialit të tyre, askush nuk pret ndonjë marrëveshje madhore ekonomike në ndonjë të ardhme të afërt. E vërteta e hidhur është se Serbia, pas procesit katastrofal të privatizimit që ia shkatërroi industrinë, nuk ka se çfarë të ofrojë. Përveç ndonjë lloji mallrash nga industria e renovuar ushtarake e saj, të cilat u promovuan nga ana e Ministrit të Mbrojtjes, Dragan Sutanovac.

Marrë parasysh të gjitha, konferenca e 5 dhe 6 shtatorit ishte një shfaqje nostalgjie për të gjithë pjesëmarrësit. Fjalimet e shumë ministrave u zhytën në të arriturat e kaluara të Lëvizjes, e cila nuk kishte liderë formalë, seli kryesore apo statut, por megjithatë u bë me peshë gjatë Luftës së Ftohtë. Samitet e shpeshta të lëvizjes, që mbaheshin çdo tre vjet, prodhuan deklarata që mendohej se paraqisnin koncensusin e shumicës së njerëzve në botë, edhe pse të qenit anëtar i LMI’së nuk ishte pengesë për ato shtete lidhur me aleancat e ngushta të tyre qoftë me Bashkimin Sovjetik apo Shtetet e Bashkuara.
Fjalimet që u mbajtën në të njëjtën ndërtesë ku ishte mbajtur samiti themelues i LMI’së para gjysmë shekulli kryesisht ishin vetë-uruese, dhe në thelb ishin përkujtime të lavdit të shkuar në botën bipolare të asaj kohe. Si organizatorët ashtu edhe pjesëmarrësit u bënë mjaft përpjekje të theksojnë atë se lëvizja akoma ka peshë; madhësia e saj 118 anëtarëshe, më e madhja ndonjëherë, citohej shpesh si argumenti kryesor për këtë. Por, kjo nuk ishte aq bindëse përballë një realiteti botëror shumë-polar që ekziston sot.

Takimet e LMI’së sot nuk janë ndonjë lajm me bujë. Organizata është akoma e infektuar me problemet e njëjta me të cilat po hahej që nga themelimi i saj: si të gjejë një emërues të përbashkët për politikën dhe vlerat e saj. Përpjekjet anti-koloniale, që paraqesin edhe kauzën kryesore të saj të hershme, ka kohë që kanë mbaruar. Nuk ka më nevojë që të ndërmjetësohet ndërmjet dy blloqeve ideologjike dhe ushtarake të Luftës së Ftohtë. Nuk kanë as kuptim kërkesat për një rend më të drejtë ekonomik në botën e sotme të globalizuar. Në rrethana të këtilla, e vetmja gjë me rëndësi që doli nga takimi i Beogradit ishte mbështetja politike për një kauzë të rëndësishme, por të lashtë: shtetësinë e Palestinës.

Është interesant fakti që të gjashtë ish-republikat e Jugosllavisë, tani shtete të pavarura dhe anëtare të LMI’së, kanë dërguar delegacionet e saja në Beograd. Në fjalimin e tij presidenti Boris Tadic deklaroi se “është në interes kombëtar të Serbisë të thellojë dhe të ripërtërijë miqësitë historike që janë kultivuar përgjatë dekadave”. Por, kur zgjedhjet kombëtare janë vetëm muaj larg, nën presionet e shtuara nga jashtë që të definojë kufijtë dhe të pranojë realitetin e pavarësisë së Kosovës, dhe marrë parasysh krizën e shfaqur ekonomike – ka fare pak gjasa që të ketë energji shtesë politike ose edhe diplomatike për një gjë të tillë.