Mundësi e Humbur me Mineralin Bonanza

Kosova po humbë miliona euro çdo vit, si rrjedhojë e mos-eksploatimit të duhur të rezervave të këtij minerali me lëvërdi potenciale të lartë, vlera e të cilit ka hipur shumë.

Indiumi, një metal i çmueshëm i cili përdoret në pajisje të teknologjisë së lartë siç janë iPad-ët, aeroplanët dhe panelet për energji diellore, ka shënuar një ngritje tepër të lartë në vlerë, që nga viti 2002.
Që nga ky vit, çmimet janë ngritur në më shumë se dhjetëfish – nga 90 në 1,000 dollarë amerikanë për kilogram, meqë kërkesat për iPad-ë, ekrane të rrafshta televizive, telefona mobilë dhe pajisje tjera elektronike po rriten eksponencialisht anembanë botës.

Ekspertët e industrisë parashohin që çmimet e indiumit mund të shkojnë deri në 3,000 dollarë për kilogram, meqë ky metal përdoret edhe në panelet e sofistikuara për energji diellore – të cilat në ditët e sotme, kur zgjidhjet për energji po paraqesin sfidë, janë me interes shumë të lartë.

Përkundër kësaj, deri tani nuk është forcuar ndonjë plan i sadopaktë për rritjen e nivelit të prodhimit në minierat kosovare, posaçërisht në gjigandin Trepça.

Sipas një prezantimi të bërë para investitorëve potencialë në vitin 2007, Trepça kishte shpresuar që deri në vitin 2012, të shiste 20,000 kg apo 20 tonë indium të përpunuar, çdo vit.

Marrë parasysh këtë hov të lartë të çmimit të indiumit, shteti do të kishte gjeneruar së paku 14 milionë euro në vit.
Në vend të kësaj, Kosova vazhdon t’i shesë indiumin e papërpunuar kompanisë zvicerane Glencore me çmim shumëfish më të ulët, në formë zinku – prej të cilit përftohet indiumi – dhe xehes së plumbit.

Edhepse me nxjerrje prej vetëm 20 tonë në vit, Kosova do të mund të bëhej njëri prej prodhuesve më të mëdhenj botërorë të këtij metali – dhe do të kishte mundësi të furnizonte akoma më shumë me indium, meqë madhësia e rezervave të saj definitivisht nuk dihet.

Një studim i bërë për metale të çmueshme në Trepçë, në kompleksin e ndodhur në qendër të qytetit të ndarë të Mitrovicës, tregoi se çdo tonelatë zinku përmbante afërsisht 200 gramë indium. Mihjet cilësohen si ekonomikisht të vlefshme në qoftë se niveli tejkalon 100 gramë për tonelatë.

Mirëpo, nuk është bërë ndonjë hulumtim i hollësishëm i rezervave kosovare të zinkut. Shifrat shtrihen prej 2 milionë tonë në Trepçë, e deri në 30 milionë tonë nëpër tërë vendin.

“Kosova është në dijeni për praninë e indiumit, por problemi qëndron në ndarjen/veçimin e këtij minerali”, është shprehur Zenun Elezaj, anëtar i trupit udhëheqës të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, KPMM, si autoriteti përgjegjës për menaxhimin e industrisë së mihjeve.

Ai tha për Gazeta Jeta në Kosovë se qeverisë i është dashur të shpall një tender për një kompani, për kryerjen e një hulumtimi të mirëfilltë në Trepçë dhe pastaj studimin e një zone tjetër me gjerësi prej 80 me 35 kilometra.
Ai tha se vlera e Trepçës do të rritej dukshëm pas një studimi të tillë. “Na duhet një studim i hollësishëm për të parë sasinë e indiumit si dhe të metaleve tjera të rralla që ndodhen në xehe,” tha Elezaj.
Ferat Shala, menaxher i Trepçës, tha se gjersa hovi i indiumit ka bërë bujë në botë, në Kosovë nuk i është kushtuar fare vëmendje.

Problemi është tek ajo se teknologjia në Kosovë nuk është adekuate për të nxjerrë këtë element nga zonat ku ka zink, tha ai. “Trepça nuk mund t’i trajtojë këto metale të çmueshme shkaku i dëmtimit të shkaktuar gjatë luftës së fundit”, tha Shala për Gazeta Jeta në Kosovë.

Katër nga tetë minierat e Trepçës dhe të dy centralet metalurgjike të saj, njëra për plumb dhe tjetra për zink, të cilat përdoren për të nxjerrë metalin nga xeheroret, janë jashtë përdorimit.

“Germaniumi dhe metale të tjera të rralla janë të pranishme [në Trepçë] por këto nuk mund t’i eksplorojmë më shumë apo qoftë edhe të bëjmë ndarjen e tyre, shkaku i centraleve metalurgjike të shkatërruara”, tha Shala.
Kosova ka depozita të konsiderueshme të kadmiumit, germaniumit, taliumit dhe galiumit si dhe të indiumit, ku të gjitha këto përdoren në pajisjet elektronike të teknologjisë së lartë.

Por, Shala shtoi se sasisa e elementeve të rralla në Kosovë mbetet ende e panjohur, marrë parasysh hulumtimet e pakta shkencore.

“Sektori hulumtues në Kosovë ishte shkatërruar para 20 vitesh, jo vetëm në Trepçë por edhe në tërë sektorin e hulumtimit mineralogjik”, tha ai.

Trepça – gjiganti i fjetur:

Dikur një prej ndërmarrjeve më të rëndësishme në ish Jugosllavi, e cila punësonte më shumë se 20,000 njerëz, Trepça, ishte afër ndalimit të plotë të punës pas vitit 1999.

Sot, Trepça ka vetëm 1,345 punonjës aktivë. Më shumë se 4,000 punonjës janë çuar në pension nga ana e qeverisë kosovare.
Prodhimi filloi të ngecë në vitet 90’të si rrjedhojë e mungesës së investimeve, sanksioneve ndërkombëtare mbi Serbinë, e cila atëherë sundonte Kosovën, si dhe tensioneve të ngritura mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë.
Paditë gjyqësore të bëra nga kreditorët që nga fundi i luftës në vitin 1999, kanë shkaktuar që procesi për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme për Trepçën të jetë akoma më i vështirë. Ata pohojnë se gjigandi industrial u është borxh atyre më shumë se 50 milionë euro.

Në shkurt, Gjykata Supreme e Kosovës caktoi një administrues për likuidimin e aseteve të minierës, shpagesën ndaj kreditorëve dhe privatizimin e saj.

Megjithatë, ky vendim u ndesh me kundërshtime nga shumë anë, duke përfshirë edhe sindikatat tregtare, Odën Ekonomike të Kosovës, si dhe partinë nacionaliste opozitare Vetëvendosje.

Bislim Muça, zëdhënës i minierës, pohoi se qëllimi i vetëm i emërimit të administruesit ishte likuidimi i Trepçës “dhe pagesa e kreditorëve”.

“Vendimi është ekonomikisht i palogjikshëm dhe nuk do ta pranojmë atë”, tha për Gazeta Jeta në Kosovë, menaxheri i Trepçës, Shala.

Shumë potencial, pak vepër:

Konsiderohet se vlera e resurseve minerale të Kosovës, të cilat paraqesin një të pestën e rezervave botërore të thëngjillit të kaftë, linjitit, mund të ketë vlerë prej 7.6 miliardë euro në 25 vitet e ardhshme.
Deri më sot, KPMM-ja ka lëshuar 21 licenca për firma private për eksplorim të metaleve, ndonëse kjo nuk ka rezultuar në mihje të shumta.

Një nga akterët më të mëdhenj është kompania kanadeze Avrupa Mineral Ltd, e cila muajin e kaluar kishte marrë licencë të re për eksplorimin e një zone me shtrirje prej 36.9 km2 dhe e cila është në kërkim të plumbit, zinkut dhe argjendit. Kjo kompani tani ka pesë licenca për eksplorim, të cilat në total përfshijnë hapësirë eksplorimi prej 185.5 km2 në Kosovë.
Sipas një komunikate për shtyp të lëshuar nga kjo kompani, zona e fundit e eksplorimit ka potencial të lartë për “zbulimin e një baze të re dhe metaleve të çmueshme të kërkuara”.

Paul Nelles, përfaqësues i lartë i Avrupa-s për operimet në Kosovë dhe ish kryesues i minierës gjatë misionit të UNMIK-ut, pak kohë më parë tha: “Jemi duke kërkuar plumb dhe zink, si dhe argjend, por po i mbajmë sytë hapur në rast se kemi ndonjë tregues se aty mund të ketë bakër apo ar.”

Shpuarjet në zonën e licencuar do të fillojnë këtë verë, afër minierës kryesore të Trepçës. “Në qoftë se gjejmë diçka, ka gjasa të mira që ato të jenë afër sipërfaqes dhe jo shumë thellë, dhe kjo na e bën të mundshme hapjen e shpejtë të një miniere,” tha Nelles.

Ai rikujtoi çfarë kishte thënë gjersa menaxhonte Trepçën, “Unë u kam thënë kosovarëve, ju akoma mihni në xeheroret të cilat romakët i kishin ditur 2,000 vjet më parë.”
“Nuk kishte patur asnjë studim për shumë vite dhe mendoj se tani jemi duke u kthyer në shtegun e duhur. Mendojmë se ka potencial të lartë, e tani duhet ta dëshmojmë këtë,” tha ai.

Metal i nxehtë

Indiumi prodhohet kryesisht nga mbetjet e krijuara gjatë përpunimit të xehes së zinkut, por gjindet edhe në xehe të hekurit, plumbit dhe të bakrit.

Kanada është prodhuesi kryesor. Rafineria Teck Cominco me seli në Trail, British Columbia, është prodhuesi më i madh i indiumit, me prodhim prej afro 32,500 kilogramë në vitin 2005.
Malku Khota në Bolivi është burimi më i madh i indiumit, me resurs të dëshmuar prej 845,000 kg dhe resurse të vlerësuara prej rreth 968,000 kg.

Miniera Mount Pleasant, e kompanisë Adex Mining Inc në New Brunswick të Kanadasë, përmban afro15 deri në 20 përqind të resurseve të përgjithshme të indiumit në botë.

Konsumimi i indiumit është në masë të madhe rrjedhojë e përdorimit botëror të tij në prodhimin e ekraneve LCD (ekrane me kristal të lëngshëm). Prodhimi botëror aktualisht është në nivelin e 476 tonelatave në vit nga mihjet dhe 650 tonelata në vit nga riciklimi.

Kërkesat janë rritur në mënyrë shumë të shpejtë pas rritjes së popullaritetit të ekraneve kompjuterike dhe atyre televizive me LCD, të cilat përfshijnë 50 përqind të konsumit të indiumit.
Rritja e efikasitetit në prodhim si dhe riciklimi, posaçërisht në Japoni, kanë mbajtur në baraspeshë kërkesat dhe furnizimin (Burimi: Wikipedia).

Ky artikull është botuar më herët në BIRN në gjuhën angleze, më 24 mars 2011.