Vulat Doganore: Zgjedhja e Serbisë, Mundësia e Kosovës

Mund të duket e çuditshme, mirëpo “kompromisi” i arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë në lidhje me vulat doganore në fakt nuk është ndonjë kompromis. Realisht, Serbia pranoi vulat që Kosova i kishte në përdorim që nga viti 2008.
Lulëzim Rafuna, shefi i zyrës ligjore në Doganat e Kosovës, konfirmoi se vulat doganore që Serbia i pranoi në shtator 2011, janë po të njëjtat që Serbia i kishte kundërshtuar në 2008. Madje, ai insistoi se vulat doganore asnjëherë nuk e kishin fjalën “republikë” të shënuar mbi to.

Një informatë e tillë jo vetëm që pasqyron qartazi shtrembërimin e fakteve për ta reflektuar këtë akt si kompromis, mirëpo po ashtu ngrit pyetjen se çka e shtyri Serbinë që papritmas pas tri vitesh t’i ndërrojë qëndrimet e saja.
A ishte embargo tregtare e përplasur në eksportet serbe për në Kosovë? A ishte operacioni i ROSU’t në veri të vendit, detajet e të cilit ende janë të paqarta? Apo mos ishte bluza e stilit të qenit Dalmatin e Edita Tahirit që i detyroi serbët të bëjnë amin për vula?

Marrëveshja e arritur këtë muaj vazhdon të interpretohet në të gjitha mënyrat e mundshme duke iu mundësuar secilës palë t’i përdorë ato për kalkulime politike.

I ashtuquajturi Ministër për Kosovë dhe Metohi në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq,  akuzoi Prishtinën për interpretimin e marrëveshjes në përparësi të Kosovës, përderisa kryenegociatori Serb, Borko Stefanoviq e interpretoi marrëveshjen me retorikë të zymtë por të logjikshme si një “zgjidhje neutrale ndaj statusit”.

Mirëpo, që të dy shpresojnë se kjo marrëveshje nuk është “neutrale edhe ndaj statusit të kandidatit për BE”.

Këto deklarata kanë për qëllim ta qetësojnë opinionin publik në Beograd në kohën kur Serbia është futur në qorrsokak me çështjen e Kosovës, mirëpo shumica e opinionit publik në Serbi ende duhet të mësohet me këtë fakt. E ballafaquar me presionet ndërkombëtare që të bëjë koncesione në mënyrë që të fitojë statusin e kandidatit,  Serbia është e detyruar të bëjë lëshime për të përfituar nga Brukseli, mirëpo po ashtu ajo mundohet që t’i shtrembërojë marrëveshjet me Kosovën për t’i rehatuar nacionalistët.

Pranimi i faktit se Serbia pranoi vulat që Prishtina i kishte në përdorim që nga shpallja e pavarësisë do të ishte ngacmim i madh për serbët që vitin 1389 e kanë të ngulitur në kokë apo duar.

Si rezultat, pala serbe u tregua e shpejtë në interpretimin e kësaj marrëveshjeje si një pseudo-fitore duke insistuar se emblemat shtetërore dhe flamuri nuk përdoren në vula dhe ato e kanë vetëm fjalën “Dogana e Kosovës”. Z. Stefanoviq po ashtu arriti të bllokojë një plan fiktiv që vulat të përmbanin si emblemë kokën e Thaçit, e po ashtu arriti që të parandalojë ndërtimin e një statuje të tenistit Novak Gjokoviq në qendër të Prishtinës.

Megjithatë, duket se Serbia nuk është e vetmja që po mundohet t’i fshehë skuqjet e saja nga turpi.  BE-ja po ashtu po luan një rol kyç në parandalimin e poshtërimit të lidershipit serb para popullit. Kjo u bë evidente me komunikatën për shtyp të lëshuar nga BE’ja më 2 shtator ku thuhet se “vulat doganore me termin ‘Dogana e Kosovës’ do të pranohen”. Kjo faktikisht është e vërtetë, mirëpo e anashkalon faktin që këto janë vulat tona që nga 2008.

Këto qasje neutrale e pajtuese i ndihmojnë BE’së në përpjekjet e tyre për mbrojtjen e popullaritetit të Presidentit Boris Tadiq në prag të zgjedhjeve të përgjithshme vitin që vjen. Në këtë mënyrë BE-ja sigurohet se nuk ka rrezik nga marrja e pushtetit prej radikalëve që nuk bashkëpunojnë me perëndimin.

Është e qartë se karrota e BE’së e detyroi Serbinë që të pajtohet për vulat. Mirëpo, çfarë ndikimi pati “embargo reciprociteti” dhe sa ndihmoi aksioni i ROSU’t ne këtë drejtim?

Në rrafshin e embargos, Kosova përbënte vetëm 4% të eksporteve të Serbisë, përkundër deklaratave në mediet kosovare që embargo kosovare e solli Serbinë në dy gjunjë. Normalisht se askush nuk dëshiron të humbë një partner tregtar, mirëpo Serbia do të mund të mbijetonte edhe pa eksportuar në Kosovë.

Ndërkaq, në rrafshin e ROSU-t, deklaratat që i bëri rishtazi kryesuesi i ICO-së Pieter Feith lënë të kuptohet se operacioni i ROSU-t e dridhi situatën aq shumë sa që e pamundësoi kthimin në status kuon e para 25 korrikut. Kjo tregon se përdorimi i forcës në veri, sado që ajo ishte e kufizuar, i bëri të dy palët që të ulën në tavolinën e negociatave.

Marrëveshja për Beogradin në relacion me Prishtinën është një humbje dhe gjysmë-njohje – jo pse ata pranuan diçka që vjen nga Kosova, po mu për faktin se pranuan vulat e pas pavarësisë, të cilat i patën refuzuar me ngulm në 2008 sepse ato aludonin në shtetësinë e Kosovës. Ndërkaq, në raport me BE-në Serbia e  përmbushi edhe një kusht të “ri” në aspiratën e saj për të fituar statusin e kandidatit.

Në anën tjetër, marrëveshja definitivisht ende nuk është fitore për Prishtinën. Pranimi i vulave doganore është një anë e tregimit. Por, për të shpallur fitore të plotë Kosova duhet të përfitojë politikisht nga situata e dobësuar e Serbisë në mënyrë që përfundimisht t’i spastrojë strukturat paralele në veri dhe të shtrijë pushtetin e saj në tërë territorin.
Kjo paraqet një çështje të konsolidimit të shtetësisë së Kosovës. E mu kjo është arsyeja pse Hashim Thaçi duhet të mbetet edhe shumë netë të tjera pa gjumë e të punojë që slogani tij “i pavarur, sovran dhe demokratik” të ketë një fije kredibilitet.