Të Jetosh nën Hijen e Vdekjes

Avdullah Selimi-Raçi nuk merr dot frymë me gojë ose hundë, por nga një vrimë në fytin e tij, të prerë nga mjekët, të cilët, dhjetë vjet më parë, ja shpëtuan jetën duke ia larguar kancerin në fyt, atëherë pesëdhjetëvjeçarit. 

Tash, Selimi-Raçi nga fshati Dardhishtë i Obiliqit, është i sigurt se së shpejti do ta ketë fatin e njëjtë me shumë të afërm të tij të cilët kanë vdekur nga kjo sëmundje.

Me sy të mbushur me lot dhe duke iu dridhur zëri, ai numëroi të vdekurit dhe të sëmurët nga fisi i tij për Gazetën Jeta në Kosovë, të gjithë të prekur nga sëmundja e kancerit.

Mjekë dhe ekspertë të mjedisit besojnë se termocentralet e Korporatës Energjetike të Kosovës, KEK, duke e përfshirë pluhurin dhe gazrat toksike – oksidin e azotit dhe oksidin e squlfurit – si dhe hirin vdekjeprurës të hedhur në afërsi të fshatit, janë për tu fajësuar.

“Nga 115 anëtarë të farefisit tim, që nga viti 1969 kur Termocentrali Kosova A ka filluar me prodhim, 27 prej tyre kanë vdekur nga kanceri, kurse 20 të tjerë po vuajnë nga kjo sëmundje”, thotë Avdullahu.

Në këtë listë të zezë të sëmurësh dhe të vdekurish është edhe nusja e djalit të tij, e cila u diagnostifikua me kancer tash së voni. Jeta është posaçërisht e hidhur, thotë ai, pasi ata besojnë se e dinë shkaktarin kryesor të këtyre sëmundjeve vdekjeprurëse por nuk mund të bëjnë asgjë kundër saj.

Një burim mirë i informuar, i angazhuar në hartimin e të ardhmes së energjisë në vend, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se planet për ta mbyllur dinosaurin deri më 2015, ose 2017, jozyrtarisht janë hedhur poshtë dhe se KEK’u po planifikon që ta mbajë të hapur Kosovën A deri më 2025.

 

Avdullah Selimi-Raçi 

 

Burimi më i madh i Ndotjes në Europën Jug-Lindore

I pyetur për problemet shëndetësore në fshat, Avdullahu dhe 1,900 banorët e Dardhishtës drejtuan gishtat tek Kosova A, që duket se liron më shumë tym se pluhur nga oxhaqet e saj.

“Ne sëmuremi nga kanceri sepse jetojmë në ajër shumë të ndotur”, thotë 60 vjeçari, duke cekur se ky nuk është vetëm mendim i tij, por gjithashtu qëndrim i mjekëve.

Një letër e zbuluar e Stefan Fule’s, komisioner për zgjerim i BE’së, dhe Gunther Oettinger, Komisioner për Energji i Bankës Botërore, në maj e ka etiketuar Kosovën A si “burimi më i keq individual i ndotjes në Europën Jug-Lindore”.

Mjeku Musli Mehaj, specialist në Institutin e Mjekësisë së Punës, i cili deri para disa vitesh punoi për KEK’un, beson se banorët e Dardhishtës jetojnë në zonën më të rrezikshme përreth termocentralit Kosova A.

“Ne kemi 200 deri në 300 pacientë në ditë, të cilët janë kryesisht punëtorë të KEK’ut dhe familjarë të tyre”, thotë Mehaj për Gazetën Jeta në Kosovë.

“Nëse një i ri i shëndoshë fillon të punojë në KEK, për pesë vjet ai do të fillojë të vuajë nga problemet me frymëmarrjen dhe sëmundje të tjera”, tha ai, duke përshkruar ajrin në këtë zonë si “jashtëzakonisht të ndotur”.

“Sëmundjet më të shpeshta këtu janë ato të frymëmarrjes, mushkërive, lëkurës dhe enëve të gjakut të zemrës. Kanceri paraqitet më së shumti në fyt dhe mushkëri dhe është krejt si pasojë e ajrit të ndotur”, thotë Mehaj, i cili ka tridhjetë vjet që punon në Institutin e Mjekësisë së Punës.

“Nga të gjitha pjesët e tjera të Kosovës, fshati Dardhishtë ka shkallën më të lartë të të prekurve nga kanceri”, thotë mjeku Mehaj. “Dardhishta është vendi më i rrezikuar në Kosovë nga sëmundjet kancerogjene”.

“E dini çfarë, ne jemi një varrezë e gjallë”, thotë Gërguri.

Pohimet e mjekëve janë po ashtu të mbështetura nga statistikat, edhe pse atyre i është dhënë shumë pak rëndësi.

Të dhënat e Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale të komunës së Obiliqit tregojnë se e gjithë komuna ballafaqohet me shkallë të lartë të sëmundjes.

Numri i atyre që kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Obiliq, vetëm për gjashtë muajt e parë të vitit 2011 e ka tejkaluar numrin e përgjithshëm të banorëve të komunës.

Në bazë të regjistrimit të fundit të popullsisë të kryer këtë vit, 2011, nga Enti i Statistikave të Kosovës, ESK, kjo komunë ka 21,548 banorë, ndërsa në bazë të të dhënave nga Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale të komunës së Obiliqit, që e posedon Gazeta, vetëm në periudhën janar deri në qershor të këtij viti, në ambulantën e kësaj komune kanë kërkuar ndihmë 27,509 persona.

Duke u bazuar në raportet zyrtare, gjatë gjashtë muajve të parë të 2011’ës, 20 persona ishin identifikuar që vuanin nga problemet me frymëmarrje, kurse 10 të tjerë ishin gjetur të kenë kancer malinje.

Ankesat hasin në vesh të shurdhër

Burim Gerguri KEK
Burim Gerguri

Banorët e fshatit Dardhishtë, kulmet e shtëpive të të cilëve janë bërë me tjegulla të hirta e që dikur kishin qenë të kuqe, me padurim presin të gjejnë zgjidhje për këtë problem.

Ata kanë dorëzuar ankesa pothuajse në të gjitha institucionet, duke e përfshirë edhe Zyrën e Kryeministrit, Kryeprokurorit dhe Ombudspersonit, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

Kopjet e këtyre ankesave mbajnë datë që në vitin 1999, por fshatarët i kanë shpeshtuar thirrjet e tyre që nga viti 2008 e këtej, Burim Gërguri, kryetar i Këshillit të Fshatit Dardhishtë i tregoi Gazetës Jeta në Kosovë.

“E dini çfarë, ne jemi një varrezë e gjallë”, thotë Gërguri, i cili ka mbaruar shkencat politike në Universitetin e Prishtinës. “Rreth 50 persona në fshat kanë vdekur ose janë diagnostifikuar me kancer. E gjitha vjen si pasojë e ndotjes që ky termocentral shkakton”, thotë ai duke shtuar se fshati një kohë ka pasur 3,000 banorë.

“E dini, ne nuk guxojmë as të bëjmë analizat se kemi frikë ta kuptojmë sa të sëmurë jemi”, përshkruan Gërguri.

Nga 60 të afërmit e tij, katër kanë vdekur e një është diagnostifikuar. Të gjithë nga sëmundja e kancerit, pohon ai.

Vetëm i çmenduri nuk do të pranonte të largohej nga aty,” thothë Zeqir Veseli, ekspert i njohur i ambientit

Jetëgjatësia mesatare në këtë fshat është vetëm 40-50 vjeç, tha ai.

“Por kemi pasur raste kur nga kanceri kanë vdekur edhe fëmijë të moshës 9 vjeç”, shpjegon ai, duke identifikuar një mbeturinë të rrezikshme të quajtur “Fenoli”, lëshuar në intervale të ndryshme në procesin e djegjes së qymyrit, si një shkaktar i rëndësishëm i sëmundjeve në këtë rajon.

“Toka, uji e ajri këtu janë të kontaminuara”, thotë Gërguri.

Fenol gjendet në tokat përgjatë Kosovës, por sasitë më të mëdha besohet se gjenden në hapësirën rreth Kosovës A, sepse përqëndrohet në qymyrin që digjet, qymyrin e djegur dhe dekompozimet e mbeturinave organike.

Shyqyri Dumani, magjistër i shkencave teknike dhe ekspert i njohur i ekologjisë, i tregoi Gazetës Jeta në Kosovë se “Fenoli” është mbatja nga kalbja e ngadaltë e ujërave të zeza ose mbeturinave. Duke marrë parasysh se Kosova lë për të dëshiruar sa i përket rrjetit të kanalizimit, ai beson se “Fenoli” mund të gjendet në tërë territorin.

“Por më së shumti fenol lëshon KEK’u, atje ku është i përqendruar thëngjilli”, tha ai. “Fenoli është lëngu që derdhet gjatë procesit të tharjes së thëngjillit nga qymyri i nevojshëm për prodhim të rrymës”.

Ai shpjegoi se kjo materie është e dëmshme për shëndetin e njeriut pasi përzihet me ujëra nëntokësorë që njerëzit, nëpërmjet puseve, i përdorin për pije.

Mbrojtja Mjedisore – Vetëm në Letër

Se ajri, uji dhe toka janë të ndotura në këtë zonë, e cila ndodhet vetëm disa kilometra nga Prishtina, konstatohet edhe në dokumente të ndryshme zyrtare.

Njëra prej tyre është një monografi për ambientin, e para e këtij lloji në Kosovë, e hartuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve, e cila do të jetë pjesë e Enciklopedisë kombëtare, edhe kjo e para në historinë e vendit.

Zonat përreth dy Termocentraleve të Kosovës – Kosova A dhe Kosova B – qyteti i Mitrovicës si dhe fabrika e “Ferronikelit” që ndodhet në Drenas, sipas kësaj monografie, kanë nivelin më të lartë të ndotjes në vend.

Ky dokument, një kopje të së cilit e ka siguruar edhe Gazeta Jeta në Kosovë, vë në pah se zona përreth Termocentraleve të KEK’ut ka nivele mjaft të larta të përhapjes së pluhurit dhe shkarkimeve të dioksidit të karbonit.

“Sa i përket gazeve me efekt serrë, vetëm KEK’u gjatë vitit, kontribuon me rreth 8.5 milionë tonë CO2 të liruar si rezultat i djegies së qymyrit”, thuhet në monografi.

Lumi Sitnica, që kalon përmes fshatit Dardhishtë, sipas Akademisë së Shkencave dhe Arteve, zë vendin e parë për nga ndotja.

Hiç më mirë nuk qëndron gjendja as me tokën në këtë zonë. Arat e shndërruara në të papunueshme pasi KEK’u ka eksploatuar sipërfaqen për linjit kapin një hapësirë prej 1,470 hektarë – përafërsisht sa 1,500 fusha futbolli – ndërsa ato nga mihjet mbulojnë rreth 1.599 hektarë.

Kosova A nuk do të mbyllet  në vitin 2017”, tha një burim i informuar mirë me procesin.  

Deri më tash, Kuvendi i Kosovës ka miratuar 32 ligje që ndërlidhen me ambientin, të cilat janë përcjellë me 28 akte nënligjore që kanë të bëjnë me mbrojtjen e ajrit, zhurmës, kemikaleve dhe mbeturinave. 

Por duket se për këto ligje vetëm është shpenzuar ngjyrë e letër në të cilat janë shkruar, pasi asnjë nga këto rregulla nuk janë zbatuar rreth zonës së Kosovës A.

“Ne i kemi ligjet më të mira në rajon në letër, por në praktikë është krejt ndryshe”, thotë Zeqir Veseli, një nga ekspertët më të njohur në vend në fushën e ambientit.

“Nuk ka fare nevojë të jesh ekspert kur të shkosh aty [në Dardhishtë], që ta dish se ambienti është i ndotur, e që është parakusht edhe për sëmundje”, thotë Veseli.

“Vetëm i çmenduri nuk do të pranonte të largohej nga aty”.

Child looking at Kosovo A
Femija kalon perskaj Termocentralit

Ai është i bindur se sikur të kishin mundësi, banorët vetë do të largoheshin nga ai vend.

Veseli e bën përgjegjës KEK’un për këtë shkatërrim ambiental, duke pohuar se ajo duhet të bartë pasojat e asaj që është duke bërë.

“KEK-u do të duhej të ishte më i përgjegjshëm dhe disi t’ua lehtësonte banorëve sadopak jetën,” tha profesor Veseli. “Fokusimi duhet të jetë tek ndotësi e jo tek ata që pësojnë”.

Prapakthim në Datën e Mbylljes së Kosovës A

Ata që mbahen përgjegjës për prodhimin e energjisë elektrike, të cilëve u kërkohet edhe të kenë parasysh ambientin, ankohen pse ata duhet të bartin barrën problemeve të grumbulluara me dekada. 

Zyrtarë të KEK’ut insistojnë se janë duke punuar dhe hartuar projekte që ndërlidhen me përmirësimin e ambientit rreth zonës Kosova A, përfshirë edhe fshatin Dardhishtë.

Viktor Buzhala, zëdhënës i KEK’ut, tregon se korporata ka filluar me procesin e rikultivimit të deponisë së hirit. Kjo nënkupton që një pjesë do të largohet e një pjesë tjetër do të mbulohet me dhe.

Ne gjithashtu kemi filluar edhe me largimin e 18 mijë tonëve të fenolit, tha Buzhala, të cilat do të oksidohen në Holandë e Gjermani.

“Projekti i rikultivimit të hirit dhe oksidimi kushton rreth 15 milionë euro dhe ka filluar në vitin 2009”, tha ai, duke shtuar se kjo punë do të përfundojë këtë vit, me paratë e dhëna nga Banka Botërore, Qeveria e Kosovës dhe vetë KEK’u.

Në njërën anë synojmë përmirësimin e gjendjes tek popullata e në anën tjetër ndotja vazhdon”, tha Ilir Morina, Kryeshef Ekzekutiv në Agjencionin për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë.

Buzhala e pranon se vetëm në fshatin Dardhishtë, janë të deponuara 40 milionë tonë hi, por ai përmendi se 7.5 milionë euro do të jepen për bartjen e atij hiri nëpër tuba.

Zyrtari i KEK’ut thotë se tashmë kjo Korporatë ka nënshkruar kontratë me një kompani të huaj për blerjen e elektro-filtrit që do të vendoset në njërin oxhak të Termocentralit Kosova A.

“Me blerjen e filtrit për 8 milionë euro, ai oxhak do të tymosë bazuar në standardet e BE-së”, tha zyrtari i KEK-ut, duke premtuar se në vitet e ardhshme, filtra të tillë do të vendosen edhe në oxhaqe të tjera.

Në këtë mënyrë, jeta e këtij dinozauri industrial mund të vazhdohet edhe më tej, pavarsisht thirjeve të Komisionit Europian që të mbyllet deri më 2015. 

Paralelisht me zgjatjen e jetës së këtij termocentrali, propozimet për termocentralin e ri, Kosova e Re, kanë ngecur.

Burime të Gazetës kanë treguar se mbyllja e Termocentralit Kosova A deri në vitin 2017 nuk mund të arrihet, ashtu siç ka qenë e planifikuar. “Kosova A nuk do të mbyllet  në vitin 2017”, tha një burim i informuar mirë me procesin. 

“Termocentrali Kosova A do të vazhdojë të funksionojë si të mundet, me investime e riparime, deri në vitin 2025”, tha burimi.

Cornfields Kosova A
 

Edhe pse aty do të vazhdohet të derdhen miliona, ekspertët e mjedisit si Zeqir Veseli besojnë se rezultatet do të jenë minimale. “Plaka nuk mund të bëhet nuse e re”, tha ai.

Veseli, profesor në Universitetin e Prishtinës, beson se Kosova A do të vazhdojë së ekzistuari edhe për 14 vjet, në krahasim me katër të tjerat përkohësisht të planifikuara nga qeveria. Ai këtë kornizë kohore e bazon në dinamikën e ecurisë së projektit për ndërtimin e termocentralit të ri Kosova e Re.

Viktor Buzhala, zëdhënësi i KEK-ut, tha se “ditë të mira po e presin Dardhishtën dhe Obiliqin”.

“Me investimet që po bëhen brenda dy viteve të ardhshme, asnjë banor i Dardhishtës nuk do të ketë arsye të ikë nga aty”, thotë ai.

Problemit të ndotjes nuk i duket fundi

Nëse KEK’u mund të japë garanci të shpejta se mund t’i zvogëlojë nivelet e ndotjes, zyrtarë të qeverisë së Kosovës të cilët janë të ndërlidhur drejtpërdrejt me këto çështje janë më pak optimistë për këtë.

Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë, pjesë e Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit hapësinor, tha se përmirësimet në ambient do të marrin kohë. “Në njërën anë synojmë përmirësimin e gjendjes tek popullata e në anën tjetër ndotja vazhdon”, tha Ilir Morina, Kryeshef Ekzekutiv në Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë.

Ilir Morina, Kryeshef Ekzekutiv në këtë agjenci, i tregoi Gazetës Jeta në Kosovë se projektet për rikultivimin e hirit, largimin e materieve të rrezikshme të Fenolit dhe milionat që do të shpenzohen për ambient nuk pritet të ndjehen së shpejti.

“Në njërën anë synojmë përmirësimin e gjendjes tek popullata e në anën tjetër ndotja vazhdon”, tha Morina. “Duhet të vazhdojmë të punojmë.”

 Toka, uji e ajri, papunësi e të gjitha. E si mund të jetohet?”

 

Ndërkohë, ata që jetojnë me pluhurin, as që duan që dikush t’iu përmend plane, projekte milionëshe për të përmirësuar ambientin aty, sepse ata kanë humbur besimin.

“Ka dy vjet që askush nuk jep për ne leje ndërtimi, sepse zona është e klasifikuar për shpërngulje të detyruar”, thotë Burim Gërguri, drejtuesi i fshatit.

“Këtu kemi mungesë të investimeve, por paradoksalisht, edhe rryma ndalet, kurse oxhaqet hedhin tym e pluhur mbi ne”, thotë Burimi.

“Unë së shpjeti do të vdes, por nuk e kam dert”, tha Avdullahu, duke hequr gishtin nga vrima në fyt sa herë që i duhet të thotë ndonjë fjalë. “Por më dhemb kur e di se çfarë i pret fëmijët, nipat e mbesat”.

Përveç të tjerave, ai është i mbushur me mllef, kur shikon të bijtë se janë edhe të papunë.

“I sjellin me lista njerëzit nga të gjitha anët e Kosovës e punojnë në KEK, para derës të shtëpisë sime. Ne edhe ashtu jemi në pluhur, bile të ishim në punë”, thotë ai.

 “Si fshat, jemi të shtypur nga të gjitha anët si me presion të ajrit. Toka, uji e ajri, papunësi e të gjitha. E si mund të jetohet?”.