Kryetari i Gjakovës me mbi gjysmë milioni pasuri të paluajtshme

Ardian Gjini, kryetar i Komunës së Gjakovës, njëherësh nënkryetar i parë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka deklaruar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit se posedon pasuri të paluajtshme në vlerë prej 550 mijë eurove.

Dy shtëpi e një shitore/dyqan ka deklaruar se i ka në pronësi të vetën, ndërsa një truall dhe një banesë ka deklaruar se i ka në pronësi të përbashkët.

Një veturë të tipit Mercedes në vlerë 35 mijë euro ka deklaruar se e posedon vet, ndërsa për fëmijën e tij ka thënë se e ka një veturë Renault në vlerë 8 mijë e 500 euro.

Në bankë ka deklaruar se i ka 20 mijë e 242 euro, si të hyra nga paga dhe mëditjet.

Për bashkëshorten e tij ka deklaruar se i ka 4 mijë e 56 euro e 38 centë, të ndara në dy llogari. Kurse për fëmijët ka thënë se i kanë 560 euro dhe 911 dollarë- të ndara në tri llogari.

Gjini ka deklaruar të ketë marrë një kredi në vlerë prej 70 mijë euro në vitin 2023, prej të cilave thotë t’i kenë mbetur për t’i kthyer edhe 65 mijë e 62 euro.

14 mijë e 747 euro e 26 centë i ka deklaruar si të ardhura nga paga si kryetar komune, ndërsa 2 mijë e 864 euro e 90 centë si mëditje.

Nga shitja e banesës në Fushë Kosovë, Gjini thotë t’i ketë marrë 38 mijë e 500 euro. Në formularin e pasurisë nuk figuron se ku kanë përfunduar këto para, përderisa paratë që i ka në bankë, Gjini ka deklaruar t’i ketë nga pagat dhe mëditjet, jo edhe nga shitja e banesës.

Por, në një përgjigje me shkrim për KALLXO.com, Gjini thotë se një pjesë e këtyre të ardhurave janë paraqitur si “para të gatshme në bankë, ndërsa pjesa tjetër është shpenzuar si në paraqitjen në deklarimin vjetor”.

Si të ardhura të bashkëshortes së tij, Gjini i ka deklaruar 8 mijë e 480 euro, ndërsa për fëmijën e tij ka thënë se ka pagë vjetore prej 11 mijë e 938 euro.

Linku për qasje në deklarimin e pasurisë së Ardian Gjinit.