KEDS: Elektroseveri ka filluar t’i vendosë njehsorët e rrymës në veri

Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) njoftoi të premten se kontraktuesi i saj, kompania serbe Elektrosever, ka filluar t’i vendosë njehsorët e mençur të energjisë elektrike në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

“Këta njehsorë, që janë fjala e fundit e teknologjisë, do të rregullojnë tutje distribuimin dhe furnizimin me energji elektrike për konsumatorët kosovarë të asaj pjese”- tha KEDS në një komunikatë për media.

KEDS tha se Elektroseveri do t’i vendosë 5 mijë njehsorë të tillë “me fokus te konsumatorët që kërkojnë lidhje të reja dhe tek ata që nuk kanë njehsorë”.

“Ky shërbim është pjesë e sistematizimit edhe të konsumatorëve në veri të vendit dhe paraqet një hap të madh përpara për funksionimin në mënyrë të plotë dhe gjithëpërfshirës për tërë rrjetin distributiv të Kosovës”- thuhet në njoftim.

LEXONI EDHE KËTË:

Kreu i Bordit të ZRRE-së: Elektroseveri po i zbaton ligjet e Kosovës

Në fillim të këtij viti, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut i Kosovës (KOSTT) njoftoi se në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Leposaviq, Mitrovicë e Veriut, Zveçan dhe Zubin Potok – kishte nisur regjistrimi i energjisë elektrike të shpenzuar, duke theksuar se rryma do të paguhej njësoj si në pjesën tjetër të shtetit.

Qytetarët e këtyre komunave nuk kanë paguar për energjinë e shpenzuar prej vitit 1999. Përgjatë viteve, borxhi i tyre është paguar nga qytetarët e komunave të tjera të Kosovës dhe që nga viti 2017 nga Qeveria e Kosovës.

Elektroseveri e mori licencën nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) në Kosovë në qershor 2022, për furnizimin me energji elektrike në veri – dhe për faturimin e qytetarëve atje.

LEXONI EDHE KËTË:

Në veri nis shpërndarja e faturave të rrymës

Në fillim të dhjetorit të vitit 2023, Bashkimi Evropian kishte njoftuar se kompania serbe kishte nënshkruar kontratë komerciale për energji me KEDS-in.

Për ta rregulluar çështjen e energjisë, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje në vitin 2013 në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Por, pajtimi për zbatimin e asaj marrëveshje u arrit vetëm pas shumë vjetëve, në qershor 2022./REL