Paedukatë për Edukatën Fetare

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, nuk ndihej rehat në një të shtune shtatori te hoteli Grand derisa lexonte raportime e opinione në gazeta ku kryesisht thuhej se ai kishte kërcënuar institucionet e shtetit në ditën e Bajramit.
Tërnava dhe Ferid Agani, kryetari i Partisë së Drejtësisë, PD, pranuan që në fakt kishin këtë gjendje mosrehatie në raport me tërë debatin që po zhvillohet në vend rreth edukatës fetare.

Ata ishin të pakënaqur nga polemika në Kuvendin të Kosovës me 29 gusht lidhur me temën se a duhet me ligj të mundësohet që edukata fetare të bëhet lëndë fakultative në shkollat publike të vendit, që deri tash ishin krejtësisht laike. Ky debat eskaloi deri në metafizikë – a e ka njeriu prejardhjen prej majmuni apo prej zoti?

Më në fund ka shpërthyer debati që deri më tash, shumë suksesshëm ishte kontrolluar për t’u mbajtur ‘nën tepih’ nga lidershipi dhe opinionistët e shoqërisë kosovare. Në këto shkëmbime, mes nuk ka. Janë dy grupe krejtësisht të ndara që me shumë pasion i mbrojnë argumentet e veta, e edhe me më shumë emocion i shajnë argumentet e palës tjetër.

Të parët kërkojnë që edukata fetare të futet si lëndë në shkollat publike dhe të lejohet bartja e shamisë në to duke u thirrur në të drejtat e njeriut, ndërsa të dytët thonë se duke marrë parasysh që Kosova është ligjërisht shtet laik e historikisht e pandikuar shumë nga feja, mësimi fetar e shamia i cenon të drejtat e tyre për një shkollë thelbësisht sekulare dhe orientim drejt identitetit evropian.

Në Bashkësinë Islame të Kosovës, BIK, thonë se që nga paslufta kanë rënë copë duke kërkuar që lënda ‘edukatë fetare’ të futet në shkolla fillore dhe të mesme, mirëpo kjo temë është injoruar nga të gjitha qeveritë e deritashme që kanë qenë në zor ta impresionojnë perëndimin se shqiptarët nuk e marrin përkatësinë e tyre myslimane aq seriozisht.

“Ne kemi kërkuar që edukata fetare si lëndë të jetë pjesë e plan programeve shkollore, duke marrë parasysh që kjo lejohet në shtetet e Bashkimit Evropian dhe ato të rajonit”, ka thënë kryemami i Kosovës, Sabri Bajgora, për Jeta në Kosovë.
Çfarë e ka bërë dëshirën e BIK’ut të duket e realizueshme është fakti që Partia e Drejtësisë, PD, si parti që i ka vlerat islame në thelb të politikave të veta, për herë të parë ka njëfarë fuqie sado të vogël në qeveri, me t’u bërë pjesë e koalicionit qeverisës pas zgjedhjeve të fundit, ku në koalicion janë PDK, AKR dhe PD.

Duke e ditur se çfarë mosdurimi ka një pjesë e popullatës shqiptare për fenë tradicionalisht, e përmbledhur herët në shprehjen ‘feja e shqiptarit është shqiptaria’ të Pashko Vasës, poetit romantik të shekullit XIX, fjali që i ka mbajtur shqiptarët të unifikuar kundër armiqve, Gëzim Kelmendi, deputet i PD’së e zbut pak kërkesën për mësim fetar para publikut të gjerë.
“Nuk është e vërtetë që duam të fusim fenë në shkolla, por dëshirojmë që përmes një lënde si mësimi fetar të edukohemi shpirtërisht”, ka thënë Gëzim Kelmendi, deputet i Partisë së Drejtësisë në Kuvend.

Përveç kësaj, PD nuk ka asgjë kundër që në mësimin fetar të futet jo vetëm islami “por edhe katolicizmi e ortodoksizmi”, deklaroi Kelmendi, më 8 shtator, në Jeta në Kosovë.

Por një pjesë e intelektualëve të Kosovës, duke i llogaritur grupin e grave që kanë reaguar menjëherë kundër këtij propozimi për ligj, dhe një pjesë e njerëzve të afërm me kryeministrin Hashim Thaçi, si këshilltari i tij Blerim Latifi dhe ministrja e integrimeve evropiane Vlora Çitaku, nuk kanë lënë pa vënë në pah refuzimin e tyre kategorik për një ligj të tillë.
Reagimi i shoqërisë kosovare ka filluar me një grup të arsimtarëve të një prej gjimnazeve më prestigjioze në kryeqytet “Sami Frashëri” duke u pasuar me peticionin e grave intelektuale dërguar deputetëve të Parlamentit më 27 gusht që thotë: “kërkojmë nga ju si përfaqësues të popullit që t’i mbroni me vendosmëri vlerat shtetërore dhe kombëtare duke votuar kundër amendamenteve të propozuara”.

Ndërsa Blerim Latifi, i cili është edhe ligjërues i filozofisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se në Kosovë mësohet për fetë në kuadër të lëndës edukatë qytetare, sociologji e filozofi etj. “Por kjo nuk po u mjafton ngase këta [fetarët] po donë të mësojnë vetëm një fe [islamin]”, ka thënë Latifi. “Për më shumë është hipokrizi të kërkohet një gjë e tillë nën pretekstin e të drejtave të njeriut, kur dihet se pikërisht të drejtat e njeriut përjashtohen nga islami”.
Pasi që ka qenë kaq i zëshëm kundër futjes së fesë në shkolla, Latifi është kërcënuar nga lëvizja Bashkohu e cila po proteston nëpër rrugë për edukatën fetare dhe bartjen e shamisë në institucione. Kjo lëvizje kishte kërkuar nga kryeministri që ta shkarkojë Blerim Latifin.

Atmosferën e dhunshme e kërcënuese e konfirmon edhe Teuta Sahatqija, deputete e LDK’së . Ajo thotë se nuk ka pasur konsensus për këto tema as në komision e as në kuvend dhe se ky debat është i hershëm.
“Ka pas mallkime, kërcënime e shantazhime për deputetët që janë shprehur kundër këtij ligji”, thekson Sahatqija.

Ndikimet politike dhe talibanizmi

Kolumnisti Halil Matoshi beson se prapa këtyre kërkesave që thirren në ‘të drejtat e njeriut’ fshihen tendenca shumë më dashakeqe. “Manipulimi më i madh që po bëhet (në opinionin) janë thirrjet se në Evropë kinse po u lejuaka edukimi i fesë nëpër shkolla”, thotë Matoshi.

Përveç kësaj, ai mendon se kërkesat për të rritur ndikimin e islamit në Kosovë, nuk janë autentike, pra duke buruar nga vetë populli i Kosovës, por se janë manipulim “i lëvizjeve të pas-luftës të talebanëve të rinj që studiojnë islamin me pare të shërbimeve sekrete të vendeve islamiste me qëllimin që të ndërrojnë qëndrimin kryesisht pro-perëndimor të shoqërisë kosovare”.

Kryeimami i Kosovës e pranon se ka grupacione të rinjsh fetarë, por insiston se nuk ka rrezik nga talibanizmi dhe frymë të ngjashme. “Në shoqërinë tonë nuk ka tendencë talibanizmi, por janë disa grupime që perceptimin fetar e shprehin në mënyrë pak më ekstreme” thekson Bajgora. “Ata janë xhematlinj të organizuar në OJQ të cilët nuk e kanë rol primar të merren me aspekte fetare, por me ato humanitare” i arsyeton Bajgora duke theksuar që edhe pse ata kanë mjekra të gjata, “nuk ka rrezik prej tyre”

Mirëpo burime të JnK’së thonë se në vendin tonë ka vizita të personave të dyshimtë që vijnë kryesisht nga shtete si Afganistani, Pakistani, Irani, Libani, Arabia e shumë vende tjera me shumicë myslimane e të cilët kanë pasaporta britanike. Arsyet e vizitave të tyre shpesh justifikohen si humanitare dhe këta persona nuk dihet se me ftesë të kujt vijnë pasi ata nuk i fton Bashkësia Islame.

Të njëjtat burime i kanë thënë JnK’së se BIK’u ka kërkuar nga qeveria, agjencia e inteligjencës dhe policia që të merren me këta persona të cilët shëtisin lirshëm nëpër vendin tonë dhe që arrijnë të mbajnë ligjërata nëpër qytete të vendit. BIK’u nuk lejon hapësirat e tyre, e këta marrin hapësira tjera me qira duke paguar deri në 2.000 euro.
Në anën tjetër, liderët e BIK’ut, e shfrytëzojnë ekzistencën e këtyre grupeve si shkop para autoriteteve të sundimit të ligjit dhe kritikëve duke thënë se po të mos ishin ata për të mbajtur paqen mes rrymave të ndryshme më radikale, Kosova do të kishte probleme shumë më të mëdha se që ka tash me këto rryma.

Xhamia: kërkesë legjitime por e ndikuar politikisht

Një kërkesë tjetër shumë e zhurmshme e komunitetit mysliman në Kosovë është kërkesa për ndërtimin e një xhamie të re në kryeqytet dhe për vendin se ku duhet të ndërtohet ajo.
Edhe pse Prishtina me periferi ka 24 xhamia që frekuentohen përafërsisht prej 40 -50 mijë njerëzve, ajo çka e bën këtë temë të ndjeshme është këmbëngulësia e LDK-së në pasluftë që të ndërtojë një katedrale mu në mes të Prishtinës, duke e rrënuar një shkollë të mesme për këtë, vetëm pse kjo ishte një dëshirë e liderit kryesor të shqiptarëve të Kosovës në të 90-tat, Ibrahim Rugovës. Ndërtimi i kësaj katedrale është interpretuar nga partia që e udhëheq pushtetin në Prishtinë si ‘amanet i Rugovës’, edhe pse vetëm 5 për qind e kosovarëve janë katolikë.

Kjo i ka dhënë komunitetit mysliman pretekst që të kërkojë gjithashtu tokë për ndërtimin e një xhamie të madhe në qendër të qytetit, më saktësisht brenda kompleksit universitar ose në pjesën mbrapa Institutit Albanologjik ku momentalisht ndodhet çerdhja e fëmijëve. Është paksa bizare që edhe Milosevici gjatë regjimit të tij në të 90tat pat filluar ndërtimin e një kishe ortodokse mu në kompleksin universitar, me idenë që ta shndërroj pjesën universitare në studime teologjike të ortodoksizmit. Sot e kësaj dite, muret e kësaj kishe kanë mbetur pa mbaruar.

Për komunën e Prishtinës, lokacioni i kërkuar nga komuniteti për xhami është i papranueshëm e për këta të fundit lokacioni i propozuar nga komuna përjetohet si ofendim pasi nuk është në qendër.
“Lokacioni i ndarë nga komuna te parkingu i PTK-së,  nuk është lokacion i përshtatshëm që do t’i kënaqte kërkesat tona që ne i kemi planifikuar me atë xhami. Së pari është vend i vogël dhe nuk do t’i nxë ata që do të falen. Ne mendojmë se aty do të falen 5000-8000 mijë vetë dhe do të ishte një simbol në kryeqytet qysh është Katedralja’, ka thënë kryeimami Bajgora.