Thaçi: Nuk guxon të reklamohet një produkt nëse s’ka bazë shkencore për shërim të ndonjë sëmundjeje

Lamir Thaçi nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, institucion i cili bën kontrollin e suplementeve apo shtesave ushqimore në Kosovë, ka thënë se nuk mund të reklamohet një produkt nëse ai nuk është verifikuar shkencërisht si shërues i ndonjë sëmundjeje.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” ka shtuar se nëse të njëjtat do të kishin efektin që reklamohen që e kanë nuk do të kontrolloheshin fare nga AUV-i.

“Ne kemi një problem të brendshëm i cili në shumë fusha mund të rregullohet me Ligjin për mbrojtjen e konsumatorit, që në shumë vende të botës çështja e shitjeve online është e rregulluar pasi nuk mund të reklamosh apo promovosh një produkt për disa efekte në shëndet të cilat nuk janë  të provuara shkencërisht dhe po të kishin efekte qysh reklamohen atëherë këto nuk do të ishin fare pjesë e kontrollit të AUV-it sepse pastaj nuk mund të konsiderohen suplemente, pra ato do të hynin në kategorinë e barnave të cilat do të kontrolloheshin nga AKPPM-ja” – tha Thaçi.

Ai shtoi se komplet tregu i këtyre produkteve në Kosovë kontrollohet nga Inspektorati Sanitar që është nën ombrellën e Ministrisë së Shëndetësisë.

“Këta mund ta ndalojnë e ta verifikojnë secilën prodhimtari apo ngarkesë që hyn në Kosovë” – shtoi Thaçi.

www.kallxo.com