Njohjet Kërkojnë Fakte

Kosova ka nevojë për njohje sa më të gjerë ndërkombëtare. Kjo jo vetëm për të hyrë si vëzhguese në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), por edhe për ta legjitimizuar mbi të gjitha pavarësinë e cila çdo ditë është duke u vënë në pyetje nga disa shtete, përkatësisht Serbia dhe Rusia. Çështja e njohjeve është shumë temë e rëndësishme sepse e vendosë Kosovën në skenë ndërkombëtare, siguron lidhje ekonomike dhe kulturore me kombe tjera dhe afron e krijon aleatë kritik në këtë kohë kur shteti jonë është në formim.

Projekti KosovoThanksYou ishte nisur për të mbushur një vakum në informim dhe komunikim për njohjet nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ), gjë që u tregua si realitet në vitet e para të ekzistencës së shtetit tonë. Duke ditur kapacitetin e MPJ’së në atë kohë, është bërë e qartë se nuk do të ketë kohë as resurse për të ndërtuar një kornizë adekuate për komunikim dhe përhapje të lajmeve për njohjet.

Në disa raste vet shtetet kanë hyrë në kontakt me KosovoThanksYou për t’i komunikuar njohjet (p.sh. Marshal Islands), gjë që dëshmon mbi habinë dhe kaosin e viteve të para të Kosovës. Paralelisht, Kosova nuk kishte asnjë dritare për të komunikuar me mbarë botën dhe për t’i falënderuar atyre për njohjet dhe përkrahjen. Me fjalë tjera, politika e jashtme ishte ende në formim.

Sot, këto kapacitete dhe resurse janë në disponim të MPJ’së. Ambasadat, diplomatët, zyrtarët, zëdhënësit, etj, janë të emëruar dhe aktivë. Sot, potenciali dhe kapaciteti nuk është problem, çështje ose pengesë.

Sot, diplomacia kosovare pëson nga mungesa e përcaktimit të qartë të detyrave, por edhe nga joqartësia e kanaleve përgjegjëse për komunikimin e zhvillimeve të reja. Ngjarjet e fundit në lidhje me shtetet Oman, Nigjeri dhe Gabon, dëshmojnë mbi këtë fakt.

Javën e kaluar siti KosovoThanksYou largoi nga lista zyrtare Nigjerinë dhe Gabonin. Kjo është bërë për interes të vet shtetit dhe shtetasve të Kosovës sepse jemi të besimit që kemi të drejtë të kërkojmë një qasje më serioze, të sigurtë dhe të koordinuar kur bëhet fjalë për njohjet.

Politika e jashtme e Kosovës është duke pësuar nga mungesa e koordinimit dhe komunikimit të bërë jo si duhet. Si rezultat, e tërë puna për sigurimin e njohjeve është duke u rrezikuar dhe në disa raste është duke e shkatërruar atë që është arritur deri sot.

Duhet shtuar që në të kaluarën KosovoThanksYou ka pranuar lajme për njohje të cilat ende nuk ishin deklaruar si zyrtare. Në të gjitha këto raste informatat që i kishim në duar janë mbajtur sekrete për ta mos rrezikuar procesin. Duhet shtuar se sekretin e kanë mbajtur edhe shumë kontribues të KosovoThanksYou.

Njerëz nga mbare bota, të shumë fushave të ndryshme të veprimtarisë. Këta kontribues, qofte diplomatë, gazetarë, përkrahës të Kosovës, shumë herë edhe jo shtetas kosovarë, kishin aftësi ta marrin me seriozitet procesin e njohjeve.

Marrëdhëniet mes shteteve janë ndërmarrje serioze dhe duhen të trajtohen si të tilla. Temat e diskutuara me zyrtarët e krerët e shteteve nuk duhen të bëhen publike para zyrtarizimit të akteve juridike. Kjo nuk është normë në asnjë sferë të aktiviteteve politike e diplomatike.

Përfshirë këtu edhe marrëveshjet për tregti, ato bilaterale dhe ato me organizata të ndryshme. Kjo vjen sidomos në konsiderim kur e marrim parasysh që njohjet janë të lidhura jo vetëm me dashamirësinë e shteteve ndaj Kosovës, por dhe me premtimet, mundësitë, preferencat, që Kosova do t’i japë atij shteti. Në këtë sferë Kosova nuk mundet të krahasohet me Serbinë, shtet i cili shet armatim nëpër shtetet e Afrikës, Amerikës Latine dhe Azisë. Prandaj, përcjellja e protokolleve, sigurimi i premtimeve, bëhet aq më shumë i rëndësishëm.

Kosova nuk mund t’ia lejojë vetës të jetë joserioze në këtë proces.

Sot në Kosovë nuk është e qartë se cili është kanali zyrtar për vërtetimin e njohjeve, për komunikimin me media dhe për të shërbyer si referencë për ato njohje. Për shkak të këtyre dobësive, ekziston rreziku real që politika anti-kosovare ta sabotojë procesin e njohjeve. Shembull i thjeshtë do të ishte Nota Verbale joautentike e cila me nguti vlerësohet si zyrtare pa përcaktuar vërtetësinë e saj. Në mungesë të përgjegjësisë së qartë për këtë proces, Kosova s’ka kë ta mbajë përgjegjës për gabimet.

Në procesin e sigurimit të njohjeve duhet të mënjanohen të gjitha mundësitë për gabime dhe, mbi të gjitha, nuk duhen të bëhen publike hapat dhe veprimet e diplomacisë kosovare. Strategjia, planet, kontaktet, temat e diskutuara, premtimet, të gjitha duhet të sigurohen nga pikja. Ndërsa kur njohjet sigurohen, ato duhen të komunikohen në mënyrë adekuate që nuk lë asnjë pyetje shtesë.

Për këtë arsye, KosovoThanksYou kërkon nga institutet shtetërore të Kosovës që ta përcaktojnë një fytyrë zyrtare e cila do të shërbejë si pika kryesore për komunikimin e njohjeve dhe vërtetimin e tyre. Një person i cili nuk ka ngjyra partiake. Roli i zëdhënësit ose zëdhënëses duhet të veprojë në kuadër të MPJ’së.

Si përfundim, duam të cekim se ka shumë individë të cilët janë duke punuar me zell dhe vullnet për sigurimin e njohjeve nga shtetet e botës. Këta individë janë duke punuar ose nga vetiniciativa e tyre ose në kuadër te qeverisë së Kosovës. Si ekip i KosovoThanksYou, kemi dëshirë që t’i falënderojmë të gjithë ata që janë duke punuar në këtë drejtim dhe të cekim se puna e tyre është pa çmim.

Kritikat e lartpërmendura kanë për qëllim të shtyjnë drejtë përmirësimit ose rregullimit të gjërave që mund të rregullohen shumë lehtë dhe për ta ndezur alarmin para se të bëhet vonë për Kosovën.

Shpresojmë se kjo porosi do të mbartet deri tek ata që janë përgjegjës dhe se do të ndërmerren hapat që Kosova dhe shtetasit e saj i meritojnë.

Ky artikull është shkruar për Gazetën Jeta në Kosovë.

*Projekti KosovoThanksYou është krijuar nga Betim Deva dhe Genc Kastrati me 13 Shkurt 2008. Kontribuesit e projektit vijn nga mbarë bota dhe në ditët e para të pavarësisë ky grup i njerëzve ka luajt rol të rëndësishëm në furnizim me informata mbi njohje. KosovoThanksYou është sit i pavarur dhe pa prapavijë partiake apo institucionale.