Familja Fajëson EULEX’in

Në oborrin e një shtëpie të vogël në fshatin Nashec të Prizrenit, një karrige qëndron e mbuluar me peshqir dhe e zbukuruar me një vazo lulesh. Është një gjest tradicional simbolik zie për humbjen e një anëtari të familjes. Familja Zogaj po mban zi rreth vdekjes së pashpjeguar të djalit të vet.

Agim Zogaj, 54 vjeç, më shumë i njohur si ‘Dëshmitari X’ – dëshmitari kryesor në procesin gjyqësor në nisje kundër ish-Ministrit Fatmir Limaj – ishte gjetur i vdekur të martën në Duisburg. Policia gjermane ka thënë se ajo dyshon që Zogaj bëri vetëvrasje.

Në Prizren, brenda një shtëpie dykatëshe në një dhomë të errtë, babai i tij, që mbante plis, po fshinte lotët. Idriz Zogaj kishte udhëtuar nga shtëpia e tij në Lipjan për në Prizren të mërkurën për të ngushëlluar të vejën e djalit dhe katër fëmijët që ai ka lënë prapa.

Rënkimet e tij vënë në siklet të tjerët që po provonin ta qetësonin. “Mos u brengosni, ata që e morën duhet të përgjigjen për atë se si ndodhi”- një i afërm i thotë plakut. “Të presim dhe të shohim çfarë do të thotë EULEX’i rreth vdekjes së Agimit. Ata ishin përgjegjës për jetën e tij”, ai shton.

76 vjeçari nuk mund ta besojë se djali i tij ka vdekur, edhe më pak se ai ka vrarë vetën.

Ai dhe shumica e familjes kishin menduar se Agimi ishte nën mbrojtjen e EULEX’it, misionit të BE’së për sundim të ligjit, pasi që ishte marrë nga shtëpia.

EULEX’i i kishte dhënë Zogajt ‘statusin e dëshmitarit të mbrojtur’ në shkëmbim të pajtimit të tij për të dëshmuar kundër Fatmir Limajt, ish-bashkëluftëtarit të tij në luftë, në të ashtujqujturin rasti i ‘Kleçkës’.

Muajin e kaluar, aktakuza kundër Limajt dhe nëntë të tjerëve ishte konfirmuar dhe gjykimi mund të fillojë në tetor.

Aktakuza ngarkon të dyshuarit, atëherë ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, me kryerje të krimeve të rënda ndaj të burgosurve të mbajtur në një burg të improvizuar në fshatin Kleçkë.

Zogaj pritej të jepte dëshmi rreth ngjarjeve të cilat supozohet të kenë ndodhur në Kleçkë, pasi ai thuhet të ketë qenë roja e burgut dhe kishte mbajtur një ditar, për të shkruar detajet, emrat, ditëlindjet dhe komunat prej nga këta të burgosur ishin sjellë.

Dëshmitari X supozohet se kishte marrë urdhra nga Limaj, atëherë komandant i UÇK’së, për të ekzekutuar disa nga të burgosurit, tregojnë dokumente të nxjerra nga dëshmitë e tij.

Prokurorët dyshojnë se Limaj kishte urdhëruar ekzekutimin e dy policëve të kapur serbë “me plumba në kokë” dhe kishin torturuar pengjet tjera serbe dhe shqiptare.

Krimet mendohet të kenë ndodhur nga fillimi i 1999’tës deri në Qershor atë vit, kur OKB dhe NATO morën kontrollin mbi Kosovën.

Në muajin mars, policia e EULEX’it arrestoi nëntë të dyshuar në lidhje me rastin Kleçka, Zogaj në mesin e tyre. Idrizi thotë se djali i tij ishte marrë nga shtëpia atë ditë.

Ai e kujton djalin e tij si një luftëtar të madh, të respektuar nga të gjithë që e njihnin nga koha e tij në UÇK.
“Gjithçka që di është se EULEX’i e mori djalin tim me forcë në muajin maj këtë vit dhe që atëherë e kam pasur të vështirë të dëgjohem me të”- i ka thënë ai Gazetës Jeta në Kosovë. “Është krim i madh çfarë i ka ndodhur djalit dhe unë e familja e bëjmë EULEX’in përgjegjës për këtë”.

Pas rrëfimit të tij, i gjithë akraballëku pohon me kokë, në shenjë pajtimi.

Kryefamiljari rrëfen tutje se si më vonë ka kuptuar që djali i tij në fakt nuk është arrestuar, si gjithë bashkëluftëtarët e tij, edhe pse EULEX-i erdhi për ta marrë edhe atë nga shtëpia.

“EULEX-i krejt gabim e ka pasur. Ma ndanë Agimin prej gruas dhe fëmijëve, pa vullnetin e tij. Unë ata i zë përgjegjës për vdekjen e djalit tim”- thotë Idrizi.

Familjarët thonë se kanë mësuar, pak kohë më vonë, se Agimi ishte dëshmitar në rastin e Kleçkës dhe se ai fshihej pas emrit të koduar si “Dëshmitari X”. Pas këtij zbulimi, shpjegojnë se kanë pasur frikë dhe ishin të kufizuar në lëvizjet e tyre në publik.

“Ka pasur raste kur kam shku në një barnatore dhe njëri që qëlloi aty brenda i thoshte shitësit se qe ky është baba i dëshmitarit X. Ku ka ma keq se kjo?”- shpjegonte kryefamiljari.

Të mërkurën mbrëma, Idriz Zogaj kishte mbledhur rreth vetes familjen e ngushtë në odën e improvizuar të shtëpisë.

Disa edhe kuvendonin se si do t’ia bëjnë me varrimin e të ndjerit. Por, morën vendim që detajet të vendosen, pasi në shtëpi të kthehen katër vëllezërit e Agimit, që jetojnë dhe punojnë jashtë Kosovës.

Burrat e ulur këmbëkryq në odë, nisën të kujtojnë edhe momentet e fundit kur folën me të ndjerin. E aty ndërhyri Idrizi.

Kujtoi se si para një muaji, në dyert e shtëpisë së tij në Lipjan trokiti një nëpunës i EULEX-it me përkthyes. Thotë se ishte rumun, dhe se nuk i pëlqeu që i erdhi në shtëpi, pasi nuk e ka fort në qejf shtetin e tij pasi nuk e njeh Kosovën.

“Erdhën ata dy dhe më pyetën se çka i keni punët dhe nëse isha dëgju me Agimin. Ju tregova se jam përmallu shumë dhe se po mërzitna a është mirë a jo! Ai djali i EULEX-it më tha shkurt se djalin e kam mirë dhe se besa i ka punët dhe vendin shumë më të mirë se unë! Pak nejtën dhe ju thash që t’ia përcjellin të falat se në shpi krejt mirë jena”- rrëfen plaku i cili kishte dyshime për arsyet pse i kishin ardhur këta mysafirë në derë.

Tash e gjithë familja është mbledhur në Nashec dhe është në dilemë për mënyrën se si shkoi Agimi në Gjermani.

Djali i të ndjerit, Sahiti, që rrinte ballaballë në odë me gjyshin, thoshte se nuk arrinë të gjejë një përgjigje logjike për vdekjen e të atit. Madje vë në pyetje konkluzionet aq të shpejta të policisë gjermane e cila, sipas tij, doli me aq nxitim për të thënë se i ati i tij vrau veten.

“Po pse more ai me e vra veten? Nëse u konë puna qysh u konë, nuk po marr vesh se pse e vrau veten. Nuk ka pasur more asnjë arsye me qenë në Gjermani dhe me e vra veten”, thotë ai.

Ende mungon një sqarim zyrtar nëse Agim Zogaj ishte në të vërtetë në ndonjë program të mbrojtjes së dëshmitarëve, që e çoi atë në Gjermani. Po aq e paqartë mbetet edhe se çfarë po bënte i ndjeri në Duisberg dhe sa gjatë kishte qëndruar atje.

Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë, edhe të enjten është përmbajtur nga dhënia e informatave shtesë rreth vdekjes së dëshmitarit kryesor të saj në rastin Kleçka. Në EULEX vetëm thonë se po presin rezultatet e obduksionit të Agim Zogajt.