I dyshuari si administrator i grupit 'Albkings' në Telegram, i ulur në gjykatë: Foto: Kallxo.com/18.04.2024

Gjykata vendos për adminin e grupit 'Albkings'

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka vendosur më 18.04.2024 për caktimin e masës së paraburgimit për një muaj ndaj E.N, njërit prej administratorëve të grupit “Albkings” në aplikacionin Telegram.

Ai po dyshohet për kryrjen e vepres penale “vjedhja e identitetit dhe kredencialeve’.

Sipas njoftimit të Gjykatës, ai dyshohet se në vazhdimësi nga muaji nëntor i vitit 2023 e deri më datë 12.02.2024 duke vepruar në bashkëkryerje me personat ende të paidentifikuar, ka ofruar dhe shpërndarë tek personat e tretë pa autorizim fotografi, video intime dhe numër të telefonit të dy të dëmtuarave.

Gjithashtu, dyshohet se ka ofruar dhe shpërndarë edhe të dhënat e identifikimit edhe të personave të tjerë-kryesisht të gjinisë femërore në grupin “Albkings” në rrjetin social Telegram, por edhe në rrjete të tjera sic është aplikacioni TikTok, për qëllime të prostitucionit siç janë emrat, mbiemrat, adresat dhe numrat e telefonave të tyre.

“Gjykata ka vlerësuar se duhet të caktohet paraburgimi, duke marr parasysh faktin se i pandehuri E.N është shtetas i huaj, shtetas i Republikës së Serbisë dhe nuk ka vendbanim në Republikën e Kosovës dhe lehtësisht mund të largohet nga Kosova me qëllim që të shmanget procedurës që zhvillohet kundër tij, duke patur parasysh dëmin që është shkaktuar të dëmtuarve”- thuhet tutje në komunikatën e Gjykatës.

Personi në fjalë u arrestua më 16.04.2024 dhe më pas ishte ndaluar për 48 orë pas zbatimit të masave të fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit nën dyshimin për kryerjen e veprës penale – Vjedhja e identitetit dhe kredencialeve.

Siç raportoi Kallxo.com, njëri nga administratorët e grupit “AlbKings” i cili u arrestua  nga Policia, dyshohet për shpërndarjen e të dhëna personale, emrave, mbiemrave, numrave të telefonit si dhe video e fotografi intime, denigruese kryesisht të vajzave dhe grave në rrjetin social “Telegram”.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se sipas detyrës zyrtare ka iniciuar hetime dhe në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës-Njësinë e Hetimeve të Krimeve Kibernetike ka ndërmarrë veprime hetimore në identifikimin e personave të cilët kanë menaxhuar këtë llogari dhe grupe të tjera që ndërlidhen me këtë grup.

Një hulumtim i KALLXO.com pati zbuluar se në vend ishte krijuar një grup i cili në kohë rekorde kishte arritur të mblidhte mbi 112 mijë anëtarë.

Në grup  shpërndaheshin të dhëna personale, emra, mbiemra, numra të telefonit si dhe video e fotografi intime, denigruese kryesisht të vajzave dhe grave.

Shënim: Redaksia e KALLXO.com ka vendosur që për shkak të sigurisë kibernetike të gazetarëve të mbuloj emrin e gazetarëve.

I dyshuari për shpërndarjen e pamjeve denigruese të vajzave/grave në ‘Telegram’ sillet para gjykatës