Aktakuzë ndaj 18 personave, 11 prej tyre zyrtarë publikë

Prokuroria Themelore e Pejës më datë 18.04.2024 ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj 18 personave për vepra penale të korrupsionit lidhur me rastin e Subvencioneve të Ministrisë së Bujqësisë në Komunën e Istogut.

Sipas prokurorisë, dëmi i vlerësuar që iu është shkaktuar buxhetit të shtetit është rreth 100 mijë euro.

Nga 18 persona të përfshirë, sipas prokurorisë 11 nga ta janë persona zyrtarë, mbi të cilët rëndojnë akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje ryshfeti e mashtrim në detyrë.

Kurse 7 persona tjerë janë fermerë mbi të cilët rëndojnë akuza për “mashtrim me subvencione”.

“Prokuroria Themelore në Pejë njofton se njëmbëdhjetë (11) të pandehurit janë persona zyrtarë dhe ndaj tyre është ngritur aktakuza për vepra penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 i KPRK-së, ”Marrje e ryshfetit” nga neni 421 i KPRK-së dhe “Mashtrimi në detyrë” nga neni 419 i KPRK-së, ndërsa shtatë (7) persona të tjerët janë fermerë ndaj të cilëve është ngritur aktakuza për vepra penale “Mashtrim me subvencione” nga neni 324 i KPRK-së” – thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Vlera e parave e përfituar përmes marrjes së ryshfetit, sipas prokurorisë është rreth 17 mijë euro.

Me rastin e ngritjes së aktakuzës, prokuroria ka rekomanduar konfiskimin e një banese dhe rreth 20.000€ para të gatshme, shqiptimin e dënimit plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik dhe urdhri për kompensimin e humbjes apo dëmit, të shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës.

Prokuroria ka kërkuar nga gjykata që të njëjtit, me rastin e ngritjes së aktakuzës së të pandehurit t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë sipas ligjit.