Gjykim gati 10-vjeçar për të konstatuar raportimin e drejtë

Brenda 3 mijë e 318 ditëve kalendarike Gjykata e Prishtinës arriti të caktonte vetëm disa seanca dhe brenda tyre të vendoste për një çështje nga Ligji civil kundër shpifjes dhe fyerjes.

Më 10.12.2014, Enes Goga, një imam nga Peja paditi gazetarin Visar Duriqi dhe tri media të tjera me pretendimet se ishte shpifur në shkrimet “Inteligjenca Ndërkombëtare: vehabistët e Pejës merreshin me haraç e drogë – kishin edhe kampe rekrutimi”, “Nëna e kryeimamit radikal, Enes Goga pa mbulesë”.

E neglizhuar në procedurë, çështja u gjykua nga gjykata e shkallës së parë vetëm pas 9 vjetësh. Një analizë mbi ecurinë e procedurës së këtij rasti, e realizuar nga BIRN, tregon se për vite me radhë gjykatësit nuk e morën në dorë trajtimin e lëndës dhe nuk ndërmorën veprime në rast.

Hulumtimi i BIRN tregon se fillimisht padia me pretendimet për shpifje dhe fyerje ishte paraqitur më 10.12.2014 në Gjykatën e Prishtinës.

Seanca e parë për këtë rast u mbajt në Gjykatën e Prishtinës më 13.07.2017, kur tashmë prej paraqitjes së padisë kishin kaluar plot 2 vjet, 7 muaj, e 3 ditë. Sipas dosjes, në këtë Shqyrtim Përgatitor mori pjesë Enes Goga së bashku më përfaqësuesin e tij, avokatin Durim Osmani.

Atë ditë gjykata vendosi që t’ia kthejë në plotësim dhe përmirësim padinë paditësit Enes Goga duke e obliguar të njëjtin që ta plotësojë padinë duke dhënë shpjegime dhe prova në lidhje me afatin për ushtrimin e kësaj padie në përputhje me Ligjin kundër shpifjes dhe fyerjes.

Gjithashtu, Gjykata e urdhëroi kryeimamin që në plotësimin e padisë të tregojë se cilat shkrime janë shkrime me përmbajtje shpifëse dhe cilat janë shkrime me përmbajtje fyese, po ashtu të precizojë kërkesën për çështjen kryesore ashtu që të tregojë çka duhet të bëjë të bëjë secili i paditur.

Me parashtresën e datës 17.07.2017 drejtuar Gjykatës së Prishtinës, paditësi kishte bërë precizimin e subjekteve të paditura. Kështu në vend të medias online “Express” ka emërtuar si të paditur NB Media Works Shpk duke arsyetuar se në kohën e publikimit të artikujve të kontestuar, media online “Express” nuk figuronte si biznes.

Dosja tregon se seanca e radhës u caktua më 19.09.2022, kësaj radhe nga një gjyqtare tjetër, Rrezarta Sylejmani Voca.

Pjesëmarrja në këtë seancë ishte e ngjashme me të kaluarën, për paditësin dhe tri subjektet e paditura pati përfaqësues kurse për “Bota Sot” nuk përfaqësoi askush.

Por kësaj radhe mungesa nga ky subjekt nuk binte tërësisht në domenin e përgjegjësisë subjektive, kjo sepse gjykata konstatoi se ftesa për “Bota Sot” nuk ishte dorëzuar në mënyrë të rregullt.

“Sipas shënimit rezulton se në adresën ku i është bërë dorëzimi i ftesës seancave të kaluara, nuk vjen askush nga punëtorët për faktin se botimi i gazetës është ndalë” – thuhet në shkresat e lëndës.

Me këtë rast, Gjykata e obligon përfaqësuesin e paditësit që në afat prej 3 ditësh të lokalizojë adresën e “Bota Sot”.

Seanca tjetër e cila sërish është përgatitore mbahet më 09.11.2023. Kjo seancë u mbajt larg syve të publikut pasi gjykimi u mbajt në zyrën e gjykatësit dhe prania e mediave u refuzua me arsyetimin se nuk kishte hapësirë.

Në procesverbalin e gjykimit tregohen një varg vendimesh procedurale të marra nga gjykata.

Sipas dosjes, Gjykata e obligoi Enes Gogën që në afat prej 7 ditësh nga dita e seancës të deklarohet lidhur me objektin e kontestit duke precizuar qartë artikujt të cilët kontestohen mbi bazën e fyerjes dhe të shpifjes; t’i bashkëngjis provat të cilat do të administrohen në shqyrtimin gjyqësor në raport me të paditurën gazeta “Zëri” si dhe të listojë të gjitha provat të cilat propozon të administrohen në shqyrtimin gjyqësor; të precizojë lartësinë e kërkesëpadisë, për secilën palë të paditur veç e veç.

Precizimi i kërkesëpadisë u bë pas 4 ditësh. Përkatësisht, precizimin e kërkesëpadisë paditësi e ka bërë më 13.11.2023, në të cilën kishte precizuar se kërkon që të vërtetohet se shkrimet e lartcekura nën autorësinë e Visar Duriqit, publikuar në median online “Express” ishin me përmbajtje shpifëse.

Dhe se në këto shkrime, sipas paditësit, pa fakte është pretenduar se kryeimami Goga është i përfshirë në haraç, fajde, drogë, kampe rekrutimi. Pjesë e këtij precizimi ishin edhe shumat e kërkuara përkitazi me dëmin e pretenduar nga shpifjet.

Kështu, për dy shkrimet e lartcekura nga këta dy të paditurit ishin kërkuar 10,000 euro. Përkatësish, 4,000 euro për cenim të autoritetit,  2,000 euro për cenim të nderit, 4,000 euro për shkak të përmbajtjes fyese dhe shpifëse. E përveç shumës së cekur ishte kërkuar që të bëhet kalkulimi i kamatës.

Kërkesë për vërtetim të përmbajtjes shpifëse kryeimami Enes Goga kishte pasur edhe për shkrimet: “Kryeimami i Pejës si Shehrezadia” dhe “Enes Goga si sheik në xhaminë e Devollëve” të publikuara me 20 dhe 23 gusht të vitit 2014 në gazetën “Zëri”. Në emër të dhimbjes shpirtërore të shkaktuar nga këto shkrime paditësi kishte kërkuar 10,000 euro dëmshpërblim. Përmes të njëjtës parashtresë ishte ngushtuar kërkesëpadia në kuptim të subjekteve.

Kërkesëpadia në raport me “Bota Sot” ishte tërhequr.

Dosja tregon se gjykata veproi me efektivitet me rastin e caktimit të seancës tjetër pas vetëm 3 ditësh prej dorëzimit të parashtresës. Seanca kryesore u caktua tek me datë 20 dhjetor 2023.

Në këtë seancë, avokati Durim Osmani fillimisht e njoftoi gjykatën se përmes parashtresës së datës 13.11.2023 e ka tërhequr padinë në raport me “Bota Sot” duke kërkuar nga gjykata që të vendosë lidhur me këtë kërkesë. Përkitazi me këtë kërkesë gjyqtarja Rrezarta Sylejmanci Voca mori aktvendim përmes së cilit e konstatoi të tërhequr kërkesëpadinë në raport me “Bota Sot”.

Në këtë seancë avokati Durim Osmani, ndër të tjera theksoi se propozimi për caktimin e ekspertizës së psikiatrisë, sipas tij, ka relevancë për çështjen.

Po ashtu, aktvendimi i nxjerrë nga kjo seancë ishte ai përmes së cilit u lejua precizimi i kërkesëpadisë si dhe i lartësisë së saj, i parashtruar nga i autorizuari i paditësit si në parashtresën e datës 13.11.2023. Me këtë rast, gjykata e obligoi paditësin që në emër të ndryshimit të taksës në padi të paguajë shumën 85 euro, në arkën e kësaj gjykate, në afat prej 3 ditësh nga seanca e mbajtur, nën kërcënimin e pasojave ligjore.

Në këtë seancë të autorizuarit e palëve ndërgjyqësore i propozuan gjykatës që fjalën përfundimtare ta dorëzojnë me shkrim, duke i propozuar gjykatës që e njëjta të mos shkëmbehet.

Gjykata e aprovoi këtë propozim përmes një aktvendimi dhe njëkohësisht i obligoi palët që në afat prej 7 ditësh nga seanca të dorëzojnë fjalën përfundimtare me shkrim.

Sipas afatit ligjor, Gjykata Themelore e Prishtinës ka nxjerrë aktgjykim në të cilin e ka refuzuar në tërësi kërkesëpadinë e ish-kryeimamit të Pejës, Enes Goga, me objekt shpifje dhe fyerje kundër të paditurve: gazetarit Visar Duriqi, mediave online “Express” dhe “Zëri”.

Gjyqtarja Rrezarta Sylejmani Voca e ka refuzuar në tërësi kërkesëpadinë e Enes Gogës që të vërtetohet se gazetari Visar Duriqi ka shpifur ndaj Enes Gogës në shkrimet: “Inteligjenca Ndërkombëtare: Vehabistët e Pejës merreshin me haraç e drogë – kishin edhe kampe rekrutimi”, “Nëna e kryeimamit radikal, Enes Goga pa mbulesë”, të publikuara më 30 shtator dhe 7 tetor të vitit 2014 në median online “Express”.

Gjithashtu, paditësit i është refuzuar në tërësi kërkesa që Media Work (e cila në tekstin e padisë referohet si pronare e të drejtave autoriale të të gjithë materialit dhe fotografive të medias online “Express”) t’ia paguajë 10,000 euro dëmshpërblim, plus kamatën ligjore deri në pagesën definitive.

Përmes aktgjykimit të marrë me datë 10.01.2024 u refuzua në tërësi kërkesëpadia e kryeimamit të Pejës, Enes Goga, me objekt shpifje dhe fyerje kundër të paditurve: gazetarit Visar Duriqi, mediave online “Express” dhe “Zëri”.

Rrjedhimisht, poshtë janë hedhur të gjitha kërkesat monetare për dëmshpërblim të Enes Gogës. Për më tepër, përveç mosrealizimit të kërkesave të veta, Enes Goga në rastin e plotfuqishmërisë së këtij vendimi do t’ua paguajë shpenzimet procedurale palëve të paditura, përkatësisht 1,934 euro Visar Duriqit dhe medias online “Express” si dhe 613.6 euro medias online “Zëri”.

Më 07.03.2024 përmes telefonit Enes Goga ia ka konfirmuar KALLXO.com se me datë 22.01.2024 e ka ankimuar këtë aktgjykim. Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, Gjykata e Apelit nuk ka nxjerrë aktgjykim lidhur me këtë ankesë.

Sipas përcaktimit kushtetues, liria e shprehjes përfshin të drejtën për të shprehur, për të shpërndarë dhe për të marrë informacione, mendime dhe mesazhe të tjera, pa u penguar nga askush.

Ndërsa neni 10 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e zbatueshme drejtpërdrejtë sipas Nenit 22 të Kushtetutës së Kosovës, ka paraparë se çdokush ka të drejtën e lirisë së shprehjes. Kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit dhe lirinë për të marrë ose për të dhënë informacione dhe ide pa ndërhyrjen e autoriteteve publike dhe pa marrë parasysh kufijtë. Por ushtrimi i këtyre lirive, mund t’u nënshtrohet atyre formaliteteve, kushteve, kufizimeve ose sanksioneve të parashikuara me ligj dhe që janë të nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë kombëtare, integritetit territorial ose sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e krimit, për mbrojtjen e shëndetit ose të moralit, për mbrojtjen e dinjitetit ose të të drejtave të të tjerëve, për të ndaluar përhapjen e të dhënave konfidenciale ose për të garantuar autoritetin dhe paanshmërinë e pushtetit gjyqësor.

Gjykatat në Kosovë janë të detyruara që të interpretojnë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë, respektivisht në këtë rast me Ligjin kundër shpifjes dhe fyerjes, në harmoni me vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Në interpretim të nenit 10 të Konventës, GJEDNJ me vendimet e saj mban një qëndrim kundërshtues ndaj çdo ndërhyrje në të drejtën e lirisë së shprehjes, që mund te kenë efekt frenues në ushtr

Kjo gjykatë në aktgjykimin e rastit “Handyside k. Mbretëria e Bashkuar” e përshkruan vazhdimisht lirinë e shprehjes si një nga themelet kryesoret të shoqërisë demokratike dhe një prej kushteve bazë për përparimin e saj dhe për përmbushjen vetjake të çdo individ.

Në të njëjtin aktgjykim kjo Gjykatë ka përcaktuar se liria e shprehjes “gjen zbatim jo vetëm për ‘informacionin ose ‘idetë që pranohen pozitivisht apo konsiderohen si të padëmshme ose çështje për t’u shpërfillur, por edhe për ato që ofendojnë, tronditin ose shqetësojnë shtetin ose çdo grup të popullsisë. Të tilla janë kërkesat e pluralizmit, tolerancës dhe mendjes së hapur, pa të cilat nuk ka një shoqëri demokratike”.

Ky parim, sipas gjykatës, krijon hapësirën e nevojshme për një debat publik të fortë e pluralist në shoqërinë demokratike.