Ilustrim

Zjarrvënie në Dy Automjete

Persona ende të paidentifikuar i kanë vënë zjarrin, duke përdorur benzinë, një automjeti të tipit “Renault 19”, pa targa të  regjistrimit, në fshatin Mekinicë të Leposaviqit.

Rasti ka ndodhur rreth orës 2 pas mesnate, të mëngjesit të sotëm, ka njoftuar policia. Vetura ishte e parkuar afër shtëpisë së ankuesit, përkatësisht në rrugën e asfaltuar e cila lidhë fshatrat Dren dhe Bello Bërdo të Leposaviqit.

“Dëme materiale janë shkaktuar në pjesën e parme të automjetit, ndërsa nuk është raportuar për të lënduar në njerëz”, ka njoftuar Besim Hoti, zyrtar për informim publik i policisë në Mitrovicë. “Hetuesit policor dhe teknikët e kriminalistikës të cilët kanë bërë këqyrjen  dhe mbledhjen e provave materiale nga vendi i ngjarjes, kanë vlerësuar se i/të dyshuarit, paraprakisht kanë derdhur një sasi të benzinës mbi kofanon e automjetit e më pas i kanë vënë zjarrin”.

Një automjet tjetër i tipit “Renault Megan” pa targa të regjistrimit, i cili ishte i parkuar fare pranë automjetit të dëmtuar, besohet të kishte qenë cak i dëmtimit gjithashtu. Hetuesit policorë kanë vërejtur se edhe automjetit të dytë i ishte derdhur një sasi e benzinës sipër kofanos së automjetit, porse nuk i ishte vënë zjarri.

Zyrtarët policorë kanë kontaktuar pronarin e veturës, një 20-vjeçar, të përkatësisë etnike serbe.

Policia e Kosovës ka regjistruar rastin si vepër penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa autorët e këtij akti kriminal mbeten të panjohur deri në këtë moment. 

Një rast i ngjashëm i vënies së zjarrit në automjet, është regjistruar edhe në rrugën “Kolashini” në veri të Mitrovicës, ditën e martë, 17 janar, rreth orës 01:30.

Automjeti “Golf 2” ngjyrë e kuqe, pa targa të regjistrimit është përfshirë në flakë, ndërsa njësitë e zjarrfikësve kanë reaguar në shuarjen dhe përhapjen e mëtejmë të zjarrit.

Hetuesit  policorë të cilët kanë iniciuar hetimet për vepër penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” kanë kontaktuar viktimën e rastit i cili vlerësoi se dëmi i shkaktuar në veturën e tij, arrin shumën  prej 1500 euro ndërsa nuk kishte asnjë bazë të dyshimit mbi persona të dyshuar si kryes të mundshëm të këtij akti kriminal.