FH: Kosova pjesërisht e lirë

Kosova sërish renditet në kategorinë e vendeve pjesërisht të lira, në raportin e fundit të publikuar të enjten nga Freedom House.

Raporti bën fjalë për të drejtat politike dhe liritë civile, kurse matjet janë bërë nga 1 janari deri më 31 dhjetor të vitit 2011.

Në kategorinë e vendeve pjesërisht të lira, së bashku me Kosovën gjendet edhe Shqipëria, Bosnja dhe Maqedonia, kurse Serbia dhe Mali i Zi janë radhitur në kategorinë e vendeve të lira.

Edhe në raportin e kaluar, Kosova ka qenë vend gjithashtu pjesërisht i lirë dhe notimet në dy shtyllat kryesore që sipas Freedom House përcaktojnë lirinë e një vendi kanë mbetur identike, nota 5 për të drejtat politike dhe 4 për liritë civile.

Notimet nga 1 deri në 2.5 vlejnë për vendet e lira, nga 3 në 5 vendet pjesërisht të lira dhe nga 5.5 në 7 vendet jo të lira.

Sipas Freedom House, një vend është “pjesërisht i lirë” kur në të ka respekt të limituar të të drejtave politike dhe të lirive civile, transmeton REL.

Shtetet “pjesërisht të lira” shpesh vuajnë nga një mjedis i korrupsionit, sundimit të dobët të ligjit, grindjeve etnike dhe fetare, si dhe nga një ambient politik në të cilin një parti e vetme e gëzon dominimin, pavarësisht shkallës së caktuar të pluralizmit.

Një vërejtje më serioze kësaj radhe i është dhënë Shqipërisë, e cila ka marrë këtë përkufizim.

“Shqipëria ka pësuar ulje për shkak të vrasjes së protestuesve të opozitës në muajin janar, politizimit të mekanizmave zgjedhorë lidhur me zgjedhjet komunale në maj, si dhe për shkak të dështimit të gjykatave për të gjykuar paanshmërisht një çështje korrupsioni kundër një politikani të lartë qeveritar”, thuhet në raport.

Përgjithësisht, Freedom House vlerëson se kryengritjet në botën arabe në vitin 2011 i kanë inspiruar njerëzit e shtypur kudo nëpër botë.