Për Çizmet e Policit dhe Topat e Ujit

Lëvizja “Vetëvendosje” i fton tash sa vjet banorët, tanimë nënshtetas të Kosovës, për bojkotim të mallrave nga shteti “armik” Serbia. Dikush ia ka vënë veshin dhe i është përgjigjur pozitivisht kësaj thirrjeje, e dikush vazhdon ta trashë kapitalin e tij.

Kosova importon gjithçka që nuk prodhohet nga nënshtetasit e saj. Nuk importon njerëz, por i eksporton ata/ato nëpër shumë vende të botës, bile edhe duke ua rrezikuar jetën e tyre nëpër ujërat e Evropës.

Kështu ndodh kur push-shteti (nga anglishtja “push” i bie “shtyje”, “shtytës”) i jep njerëzit e vet, vetëm sa për të pasur më lehtë të kontrollojë masën e mbetur. Askush nuk mund ta dijë se sa njerëz do të mbesin në Kosovë, deri në ato integrimet e shumëpritura evropiane. Pra, mund të ndodhë që pushtetarët të mbesin të vetëm, kurse populli do të integrohet vetvetiu, mbase edhe ilegalisht nëpër strukturat euroatlantike. Ndoshta deri atëherë edhe VW do të ketë një shitore të veten, por nuk besoj se është ky qëllimi i tyre.
 
Bizneset e Kosovës të themeluara tash e disa dekada, nuk bën që të dëmtohen, por të bisedohet me ta dhe të binden që të shesin prodhime vendore. Këto biznese janë (të mira apo të këqija) zinxhiri financiar i Kosovës, duke shpresuar që një ditë do të jenë shtylla e ekonomisë sonë.

Kur SHBA-ja përkrahu institucionet financiare dhe prodhuesit e automobilave, në vitin 2009, pas kolapsit financiar, kishte kritika nga populli amerikan, përse u ndihmuan këto kompani gjigante. Por dy vjet më vonë, këto kompani kthyen dollarët e marra nga qeveria amerikane, dhe gjithashtu bënë edhe fitime shumë miliardëshe.

Në rastin tonë, Kosova duhet që t’i ndihmojë prodhuesit vendorë që edhe ata të shesin prodhimet e tyre, nëse është nevoja edhe me Euro.

Në qoftë se “Vetëvendosja“ i ka bllokuar (edhe pse në fakt nuk u bllokuan) dy pika kufitare në Merdar dhe të Dheu i Bardhë, nuk u bllokua bota. Bota na ka bllokuar tash e njëzet vjet dhe kush pesë Euro nuk i jep për këtë punë.

“Vetëvendosja” kishte paralajmëruar për këto protesta qysh më herët, pra të gjitha institucionet e Kosovës kishin kohë për t’u ulur dhe biseduar me ta, e JO të dërgojnë policët në stilin “Robocops”, dhe të rrahin çdo shqiptar që doli në rrugë, atë ditë të ftohtë të 14 janarit. Kur merrja pjesë nëpër demonstrata kundër pushtetit serb, gjatë viteve 90-të, mendoja se kur të çlirohemi, policia jonë nuk do të na e nxijë ballin me çizme të paguara nga qytetarët e Kosovës. Kam shpresuar se do të kemi ujë të mjaftueshëm për me u la komplet, e jo vetëm flokët. Dikujt mund t’i shkojë mendja se ndoshta, uji po u ruajka për cisternat e policisë, që po derdhnin pa dhimtë vrushkuj uji mbi trupat e të rinjve shqiptarë, në dimrin e acartë.

Polici ia shante nënën shqiptarit që kishte dalë të protestojë (unë kisha propozuar që sharja me nanë e motër të dënohet me ligj) edhe pse protestat janë të garantuara për ne shqiptarët, biologjikisht, ndoshta.

Fundi i fundit, çdokush ka të drejtë të protestojë ku t’ia dojë shpirti, sepse Kosova nuk është e Ramë Cullakut, e as e Policisë së Kosovës, por është, e sidomos është, e shqiptarëve të cilën dhanë gjithçka që patën për Kosovën e kuqe.

E ju pushtetarë dilni në televizorë dhe deshni dhëmbët sa të doni. Apo ndërroni kanalet e TV-së, të blerë nga qytetarët e Kosovës, për të shikuar se mos në kanalin tjetër po shohin dikë që duket si refugjatët shqiptarë ne Bllacë, e pastaj me hedh valle në “Facebook”, apo ndoshta në kanalin tjetër mund të shihni ndonjë shkelëm të policisë, më të fortë, në ballin e shqiptarit.

Nuk do të thotë se mospajtimi me pushtetin, është edhe shkelje e ligjit.

Edhe një gjë dhe e mbarova këtë shkrim. Të ulen njerëzit e politikës në Kosovë dhe të flasin e punojnë më shumë në mes vete, e më pak me Serbinë. Le të flasin me tregtarët tanë, për t’iu ndihmuar edhe atyre që të kuptojnë fjalën “vendor”, e ndoshta një ditë bien në “brazdë” edhe ata duke MOS blerë/shitur mallra të Serbisë.

Le të mbretërojë dialogu ndër shqiptarë.
 
Pastaj, të gjithë ia futim gjumë të lumtur.

Ju përshëndes nga Montreali.
 
(Autori është autor i librit “My English Cup of Tea” e botuar në Amazon.com)