17 të Arrestuar në Bellanicë

 

Policia e Kosovës nëpërmjet një kumtese për shtyp thotë se ka arrestuar 17 persona të cilët nuk kanë zbatuar urdhrat e policisë për t’u larguar nga vendi ku po punohet.

“Deri më tash janë 17 persona të arrestuar. Ata nuk kanë zbatuar urdhrat e policisë por edhe kanë penguar zyrtarët në kryerjen e detyrës zyrtare,” Hazir Berisha, zëdhënës i drejtorisë së policisë rajonale të Prizrenit i tha Gazetës Jeta në Kosovë.

Të arrestuarit janë dërguar në stacionin policor të Malishevës dhe prokurori është i njoftuar me rastin.  

Banorët e Bellanicës ka muaj që po protestojnë për kthimin e pronave të cilat i konsiderojnë të vetat. Në prona të tyre po ndërtohet traseja e autostradës.

Bellanicasit thonë së këto prona u janë marrë nga regjimi jugosllav në vitet 1950 dhe 1960. Më pastaj, pronat janë inkorporuar në kuadër të ndërmarrjes “Mirusha”, e cila përfundimisht është privatizuar nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM) më 2007.