Arrest Shtëpiak për 10 Protestues

Gjykata Komunale e Podujevës ua ka shqiptuar masën e arrestit shtëpiak prej 15 ditësh, 10 pjesëmarrësve në protestën e 14 janarit, të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Nëntë nga ta janë aktivistë të Vetëvendosjes. Ata kanë paralajmëruar se nuk do ta respektojnë këtë masë.

Trupi gjykues, nën udhëheqjen e gjyqtarit Behxhet Muçiqi, në seancën që ka zgjatur rreth 6 orë, ua ka shqiptuar këtë masë: Frashër Krasniqit nga Prishtina, Salih Zybës nga Prishtina, Hysen Durmishit nga Prishtina, Naim Bunjakut nga Vushtrria, Bekim Sylejmanit nga Mitrovica, Genc Musës nga Podujeva, Musa Ajetit nga Mitrovica, Gëzim Hysenit nga Podujeva e Sabri Bajraktarit nga Dragashi.

Vendimet për arrest shtëpiak nuk i pranuan asnjëri nga aktivistët e Vetëvendosjes. Kurse Sabri Bajraktari, në seancën dëgjimore, ka deklaruar se nuk është as përkrahës i Vetëvendosjes dhe se më 14 janar është arrestuar nga policia, pa ditur shkakun dhe arsyen, transmeton Zëri.

“Unë atë ditë kam ardhur me një mik timin nga Dragashi për të shitur një veturë në Podujevë dhe, pasi kemi pirë një kafe në pompën e derivateve ‘Albi Petrol’, ku më herët kishim caktuar takimin, në dalje e sipër nga kafiteria jam arrestuar nga policia speciale e Kosovës dhe jam rrahur pa pikën e fajit. Nuk kam ditur se atë ditë ka protestë në Podujevë, sepse as nuk jam anëtar i Vetëvendosjes”, ka thënë Bajraktari.

Aktivistët e Vetëvendosjes të cilët ishin pjesëmarrës në protestat e 14 janarit janë sjellë fillimisht në Gjykatën Komunale në Prishtinë me qëllim të caktimit të paraburgimit. Por më pas janë dërguar në Gjykatën Komunale në Podujevë, me shpjegimin se ngase ngjarja ka ndodhur në atë rajon.