Parlamenti i Rrahur

Një protestë e perceptuar si paqësore nga Lëvizja Vetëvendosje dhe provokuese nga Qeveria e Kosovës përfundoi mu ashtu siç kishte planifikuar Qeveria për një javë rresht – dhunshëm.

Pamjet e gazrave lotsjellëse, dhunës dhe frikës prej policisë u kthyen në Kosovë duke sjellë së bashku edhe kujtimet e hidhura të represionit të policisë serbe para luftës.

Megjithatë, kësaj radhe dhuna buroi nga Policia e Kosovës, një institucion i cili ka që nga themelimi ka gëzuar respektin dhe lëvdatat e kosovarëve në përgjithësi. Ose së paku deri të shtunën që shkoi.

Në valën e arrestimeve poshtëruese të protestuesve, ishte mu Policia e Kosovës që u bë fajtori kryesor për dhunën e krijuar. KMDLNJ-ja reagoi shpejt dhe ashpër duke pohuar se përdorimi i dhunës ka qenë i panevojshëm dhe çoi në përshkallëzimin e situatës. Kjo është më se e vërtetë, përveç faktit se duhemi të kemi kujdes të mos e fajësojmë zbatuesin e ligjit. Zbatuesi i ligjit në këtë rast është Policia e Kosovës, e cila nuk duhet të mbahet përgjegjëse për atë çka ndodhi, sepse ajo zbatonte urdhrat nga lart.

Përkundër deklaratave të shteteve të Quintit dhe zyrtarëve të BE-së se ato e mbajnë Vetëvendosjen të përgjegjshme për çfarëdo eskalimi, kësaj radhe ishte Qeveria e Kosovës, ajo që e pengoi rrjedhën e një proteste që në thelb zhvillohej me një rritëm paqësor. Deklaratat e lëshuara nga bashkësia ndërkombëtare që kishin për qëllim të dekurajojnë Albin Kurtin nga ky aksion, patën një efekt krejtësisht të kundërt. Këto deklarata dhe ndjellja një javore e dhunës nga instancat shtetërore e fuqizuan Qeverinë në kauzën e saj dhe “legjitimuan” përdorimin e forcës.

Brengat e bashkësisë ndërkombëtare lidhur me potencialin destabilizues të protestave janë më se të qëndrueshme dhe racionale. Të autorizosh veten se je gardian i shtetit e kushtetutës dhe të bësh thirrje për bllokim të kufijve të shtetit e të pengimit të procedurave doganore, qoftë edhe në aspekt paqësor, është akt që nëpërkëmbë institucionet shtetërore dhe kredibilitetin e shtetit.

Mirëpo, çka të bëhet kur institucionet shtetërore janë vetë ato që e shkelin kushtetutën e një shteti me dy këmbë dhe rrugëdalja e vetme për ta zgjidhur këtë problem duket protesta?

Duhet ta kemi të qartë se Vetëvendosja fitoi në Parlament pasi që siguroi numrin e mjaftueshëm të votave për mocionin e reciprocitetit me Serbinë. Ky mocion, i përkrahur edhe nga partitë opozitare u ratifikua në Parlament dhe i mbetej Qeverisë të merrej me ekzekutimin e tij.

Ultimatumi njëmujor i dhënë Qeverisë nga Vetëvendosja për zbatimin e masave të reciprocitetit u neglizhua haptazi nga Hashim Thaçi. Kjo nënkupton një shkelje serioze te Kushtetutës nga ekzekutivi. Dhe mu këtu është pika ku bashkësia ndërkombëtare bëhet hipokrite.

Nëse rendi dhe ligji janë vlerat primare që ndërkombëtarët duan t’i ndërtojnë në Kosovë, atëherë pse u përmbajtën dhe e kursyen presionin drejtuar Qeverisë kur ajo qartazi po anashkalonte vendimet e Parlamentit? Si mundemi të bëhemi selektiv në shkeljet kushtetuese? A nuk po na mëson perëndimi mësime të gabuara për shtetësi?

Bashkësia ndërkombëtare duhet urgjentisht ta dënojë përshkallëzimin e situatës dhe përdorimin e forcës. Nëse ata dështojnë të kërkojnë llogaridhënie nga Qeveria për anashkalimin e Parlamentit dhe dhunën e ushtruar në protestë, atëherë rrezikojnë ta humbasin kredibilitetin e tyre. Një potez i tillë gjithashtu do të lente të kuptojmë se kur vjen puna te shkeljet kushtetuese ndërkombëtarët i qasen vetëm atyre që u konvenojnë. E këto definitivisht nuk janë mësimet që duhet të nxjerrim nga vëzhguesit e pavarësisë dhe shtetësisë sonë.

Për fund, pas ndodhive të së shtunës, tash e kuptojmë se ata që erdhën në pushtet duke vjedhur vota kanë instaluar një qeverisje brutale dhe regjim të ashpër, ku qeveria ndërhyn fizikisht në Nënkryetarin e Parlamentit, i rreh dhe arreston deputetët e saj, censuron mediat dhe e poshtëron një popull të tërë!

E kjo është Republika plot prosperitet e sjellë nga njeriu, që supozohet se do të na dërgojë në BE.