Jahjaga në Samitin Botëror për Energjetikë

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, udhëtoi sot për në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe, ku do të marrë pjesë në Samitin Botëror për të Ardhmen e Energjetikës.

Në samit do të marrin pjesë përfaqësues të mbi 140 shteteve. Mes pjesëmarrësve është edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, zyrtarë të tjerë të lartë të OKB-së, presidentë, kryeministra, ministra të jashtëm, ministra të energjetikës dhe përfaqësues të tjerë të lartë të shteteve nga e mbarë bota, thuhet në një komunikatë shtypi të Zyrës së Presidentit.

Gjatë pjesëmarrjes në samit, Presidentja Jahjaga do të zhvillojë një sërë takimesh me personalitete të larta botërore.

Samiti do të mbahet nën patronazhin e emirit të Abu Dhabit, Mohamed bin Zayed al Nahyan.