Protestë Qytetare Kundër Dhunës

Njëzetepesë organizata të shoqërisë civile, kanë thirrur një protestë qytetare, për sot në mesditë, kundër dhunës policore të shfaqur të shtunën kundër qytetarëve në protestën e Lëvizjes Vetëvendosje.

Protesta do të mbahet para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.
 
Nëpërmes një komunikate, 25 OJQ, kanë dënuar ashpër “dhunën brutale të urdhëruar nga Qeveria e Kosovës dhe të ushtruar nga policia ndaj qytetarëve…”

“Po ashtu, ne, shprehim revoltën tonë ndaj qëndrimeve të bashkësisë ndërkombëtare, e cila përmes deklaratave të saj ka legjitimuar dhunën e Qeverisë së Kosovës ndaj qytetarëve”.
 
Protesta e së shtunës, sipas këtyre organizatave, është manifestim i vullnetit të qytetarëve dhe instrument tërësisht demokratik. “Një e drejtë e tillë është e garantuar edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe aktet ndërkombëtare”.
 
Kurse ndërhyrja e tillë e dhunshme e policisë është sulm i drejtpërdrejt ndaj parimeve demokratike, vlerave dhe praktikave të saj.

Për të kundërshtuar brutalitetin e dhunës qeveritare ndaj qytetarëve të Kosovës, shoqëria civile iu bën thirrje qytetarëve të protestojnë kundër dhunës, më 16 janar 2012, para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, me fillim nga ora 12.

OJQ-të, organizatore të protestës

Instituti për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED), Lëvizja FOL, Iniciativa për Progres (INPO), Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHRKS), Qendra për Politika dhe Avokim (QPA) Ec Ma Ndryshe (ECI), Organizata për Demokraci, Dinjitet dhe Anti-Korrupsion (COHU), Rrjeti i Grupeve të Grave (RrRK), ATRC, Developing Together (DT), Community Building Mitrovica (CBM), Syri i Vizionit (SiV), Instituti për Studime të Avancuara (GAP), Klubi për Politikë të Jashtme (KPJ), Liria, “Elena Gjika”, Këshilli Rinor Lokal Istog, Podguri, Qendra Rinore Istog, QR At Lorenc Mazreku, Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ), Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Qendra Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës (QKRMT), ATTA, Cultural Heritage Foundation – EUIRC, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).