Janë Arrestuar 146 Protestues

(E plotësuar) Policia e Kosovës, në një komunikatë për media në orët e mbrëmjes, thotë se situata në vendkalimet kufitare në Merdar dhe tek Dheu i Bardhë është normalizuar.

Sipas policisë, deri në ora 20.15 numri i përgjithshëm i personave të ndaluar nga policia në magjistralen në drejtim të Merdarit është 112 persona, kurse në protestën tjetër në afërsi të vendkalimit kufitar Dheu i Bardhë, janë arrestuar 34 persona.

Sikurse dhe në komunikatat e mëhershme, policia thotë se ka intervenuar pasi ka hasur në rezistencë aktive nga ana e protestuesve. Nga gurët dhe gjësendet e tjera të forta të hedhura nga protestuesit, policia thotë se 28 pjesëtarë të saj kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë kërkuar ndihmën mjekësore.

Ndërkohë në bazë të informacioneve të pranuara nga qendrat mjekësore në Prishtinë dhe Podujevë, 21 protestues kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje ka shpërndarë një listë me emrat e 69 aktivistëve të saj, të arrestuar gjatë protestës së sotme, ku përfshihet nënkryetari Shpend Ahmeti si dhe deputetët Glauk Konjufca, Visar Imeri, Liburn Aliu, Afrim Hoti dhe Albana Gashi.

Ndërsa gjashtë aktivistë thuhet se kanë marrë lëndime më të rënda fizike, përfshirë anëtarin e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Po ashtu, sipas VV-së, janë qindra të lënduar nga gazi lotsjellës.

(Lista me emrat e të arrestuarve dhe të lënduarve)

Policia Ka Arrestuar 42 Protestues

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar 42 protestues, gjatë intervenimit për zhbllokimin e rrugës në afërsi të Podujevës, të cilët i ka shoqëruar në stacionin policor për procedurë të mëtutjeshme hetimore.

Gjatë intervenimit, Policia thotë se ka hasur në rezistence aktive nga ana e protestuesve, të cilët kanë sulmuar policinë me mjete të ndryshme të forta, gurë dhe gjësende të tjera të metalta. “Për pasojë, deri më tani 13 policë kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë kërkuar ndihmën mjekësore”, thuhet në një njoftim të policisë.

Gjithashtu, në bazë të informacioneve të pranuara nga qendra mjekësore, katër protestues kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Sipas policisë, megjithë protestat e sotme, “lëvizja e lirë e qytetarëve ka vazhduar në dy vendkalimet kufitare, Merdar dhe Dheu i Bardhë”.

“Gjatë ditës kanë hyrë automjete të ndryshme udhëtarësh dhe disa kamionë me mallra, të cilat kanë kaluar duke iu nënshtruar procedurave kufitare dhe doganore, sipas procedurës ligjore për kalimin e kufirit”. Policia e Kosovës thekson se është e përkushtuar që të kryejë të gjitha detyrat e saj konform autorizimeve të saj ligjore.

Qeveria: Policia po e kryen me profesionalizëm detyrën

Qeveria e Kosovës, në orët e mbrëmjes, nëpërmes një komunikate, ka shprehur keqardhjen “për veprimet e dhunshme të Lëvizjes Vetëvendosje të drejtuara kundër pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët janë në mbrojtje të rëndit dhe ligjit”.
 
Qeveria iu ka bërë thirrje krerëve të Lëvizjes Vetëvendosje që të shmangen nga përdorimi i dhunës dhe përpjekjet për të penguar lëvizjen e lirë të garantuar me Kushtetutë.
 
“Qeveria e Republikës së Kosovës qëndron fuqishëm në mbështetje të policisë së Kosovës e cila me profesionalizëm është duke mbajtur nën kontroll të plotë situatën”, thuhet në komunikatë.
 
Më tutje, Qeveria shpreh konsideratën e lartë “për maturinë dhe sjelljen korrekte të qytetarëve, forcave politike, shoqërisë civile dhe informimin profesional të medieve”. Sjelljet e tilla thuhet se janë në përputhje të plotë me vlerat civilizuese perëndimore dhe synimet e Kosovës për integrime euro-atlantike.

Kurti S’u Arrestua, Protestuesit Rigrumbullohen

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se lideri i saj, Albin Kurti, nuk është arrestuar, sikur ishte njoftuar më herët. Por, ai është dërguar në një autoambulancë për mjekim, dhe pastaj iu është bashkuar protestuesve.

Vetëvendosje njofton se pas orës 16, rreth 30 aktivistë të saj po mbaheshin në stacionin policor në Podujevë.

Njoftohet edhe për së paku katër protestues të lënduar më rëndë, Alban Jupolli, Burim Hoqa, Hysen Kaqiku dhe Besfort Morina. Ata po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë.

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se pas orës 17 janë arrestuar Arbër Zaimi, Shpend Ahmeti, Frashër Krasniqi dhe Naim Bunjaku.

PK: 10 Policë Janë Lënduar

Policia e Kosovës ka njoftuar se dhjetë pjesëtarë të saj janë lënduar gjatë aksionit për shpërndarjen e protestuesve, të mbledhur nën organizim të Vetëvendosjes, në hyrje të Podujevës.

“Gjatë intervenimit, Policia ka hasur në rezistence aktive nga ana e protestuesve, të cilët e kanë sulmuar policinë me mjete të ndryshme të forta (gurë dhe gjësende tjera të metalta). Për pasojë, deri më tani janë 10 policë që kanë pësuar lëndime trupore, dhe të cilët kane kërkuar ndihmën mjekësore”, thuhet në një komunikatë të policisë.

Policia ka konfirmuar se ka përdorur gazin lotsjellës dhe topin e ujit për shpërndarjen e turmës, me qellim të vënies së situatës nën kontroll dhe për të siguruar lëvizjen e lirë.

Deri rreth orës 16, policia thotë se ka shoqëruar 18 persona në stacionin policor për procedurë të mëtutjeshme hetimore.

Nga ana tjetër, Lëvizja Vetëvendosje thotë se përkundër ndërhyrjes së policisë, protestuesit janë rigrumbulluar dhe protesta po vazhdon. “Në Besianë, te Qendra Tregtare “Albi Center”, qindra protestues po sulmohen brutalisht nga Policia e Kosovës”.

Arrestohet Albin Kurti

Vetëvendosje ka njoftuar se është arrestuar lideri i saj, Albin Kurti, i cili është edhe deputet i Kuvendit të Kosovës si dhe një numrë aktivistësh të tjerë.

Vetëvendosje ka konfirmuar nëpërmes një komunikate shtypi arrestimin e Kurtit, si dhe të një numri aktivistësh të tjerë: Hysen Durmishi, Salih Zyba, Gani Krasniqi, Naser Shatri, Fisnik Ismajli, Blerim Maqastena, Durim Jasharaj, Skender Merturi. Ka edhe të arrestuar të tjerë, por emrat e tyre nuk janë siguruar ende.

Sipas Vetëvendosjes, policia ka filluar ndërhyrjen me gaz lotsjellës, rrahje dhe arrestime në Podujevë, rreth orës 14:30. “Në momentin e ndërhyrjes së policisë aktivistët dhe qytetarët kanë qenë të ulur në tokë”.

Rreth orës 15, protestuesit janë shpërndarë nga udhëkryqi në hyrje të Podujevës, pasi policia ka përdorur edhe gas lotsjellës e topa uji. Por informacionet e fundit flasin për grumbullimë me të vogla të protestuesve në rrugët e tjera, ndërkohë që protestues tashmë ka edhe te pika kufitare e Merdarit.

Ndërkohë protesta është shpëndarë te Dheu i Bardhë në afërsi të Kamenicës.

Dy policë janë lënduar nga gurët

Policia e Kosovës ka njoftuar se dy pjesëtar të saj janë lënduar nga mjetet e forta të hedhura nga protestuesit. Ata kanë marrë trajtim mjekësor në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Podujevë.

“Gjatë orëve të paradites kanë filluar lëvizje të qytetareve nga rajone dhe komuna të ndryshme për t’u mbledhur dhe protestuar në dy vendkalimet kufitare Merdar dhe Dheu i Bardhe”, thuhet në komunikatën shpërndarë medieve.

“Policia e Kosovës është duke i ndërmarrë te gjitha veprimet konform Kushtetutës se Republikës se Kosovës dhe autorizimeve policore për te siguruar rendin dhe qetësin publike si dhe lëvizjen e lirë te qytetareve dhe mallrave ne dy vendkalimet kufitare dhe ne gjithë territorin e Republikës se Kosovës”.

Sipas policisë, përfaqësues të subjektit politik “Vetëvendosja” dhe protestues të tjerë kanë bllokuar rrugën magjistrale në hyrje të Komunës se Podujeve, duke pamundësuar lëvizjen e lirë te njerëzve dhe mallrave. Ata kanë ndaluar dy kamionë. “Njësitet policore kanë intervenuar për të liruar qarkullimin e dy kamionëve e ndaluar që kishin ardhur nga vendkalimi kufitar Merdar, ku gjatë këtij intervenimi policor, janë lënduar dy zyrtarë policorë të cilët kanë pësuar lëndime trupore”.

Po ashtu, policia ka konfirmuar se në vendkalimin kufitar të Vërmicës, policia ka ndaluar një autobus me qytetarë, të cilët po hynin nga Shqipëria për në Kosovë. “Gjatë kontrollit dhe verifikimit të dokumentacioneve të tyre është vërejtur se disa nga udhëtarët nuk kane poseduar dokumentacione, si dhe autobusi nuk ka qenë në gjendje te rregullt teknikisht, për kalimin e kufirit, prandaj atij i është refuzuar hyrja”.

Policia thotë se është duke menaxhuar situatën e sigurisë, konform planifikimeve operacionale, dhe iu ka bërë thirrje qytetarëve që t’iu shmangen te gjitha veprimeve te kundërligjshme.

Policia Ndërhyn të Shpërndajë Protestuesit

Njësitet speciale të Policisë së Kosovës kanë ndërhyrë për të zhbllokuar rrugën që qon në drejtim të pikës kufitare të Merdarit. Policia ka përdorur gas lotsjellës dhe ka arrestuar disa aktivistë të Vetëvendosjes.

Ndërhyrja erdhi pasi më herët, rreth orës 14, policia i kishte dhënë ultimatum protestuesve të Vetëvendosjes për ta liruar rrugën.

Protestuesit, në organizim të Vetëvendosjes, të cilët ishin nisur drejt pikës së Merdarit, ishin bllokuar te udhëkryqi i Podujevës, rreth 4 kilometra larg nga kufiri.

Vetëvendosje ka njoftuar se së paku dy aktivistë të saj janë arrestuar – Hysen Dyrmishi dhe Fisnik Ismajli.

Gjatë një fjalimi të mbajtur para më shumë se 200 protestuesve, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u bëri thirrje të gjithëve të protestojnë në mënyrë paqësore kundër moszbatimit të mocionit të reciprocitetit të Kuvendit të Kosovës me Serbinë.

Albin Kurti tha se me bllokimin e rrugës nga Policia e Kosovës, Qeveria e Kosovës po bllokon lëvizjen e lirë të qytetarëve të saj në territorin e Kosovës, ndërsa po lejon qarkullimin e veturave dhe mallrave serbe për në Kosovë.

Ndërkaq, Shpend Ahmeti nga Lëvizja Vetëvendosje, duke qëndruar në mesin e turmës së ndaluar në Podujevë, në një deklaratë për mediat vendore tha se sipas të dhënave të akstivistëve të Vetëvendosjes në Merdare, asnjë kamion dhe asnjë makinë nga Serbia nuk ka arritur të kalojë.